Bukuritë janë të Tijat, mangësitë dhe të metat janë tonat.

“Çdo fatkeqësi që ju ndodh vjen për shkak të asaj çfarë keni bërë me duart tuaja. Allahu jua fal më të shumtat.”( Shura, 42/30.) 

E shpreh vetë Kurani se si gabimet dhe boshllëqet e ndryshme dalin në pah si pasojë e një vështrimi të syrit, një dëgjimi të veshit, një arsyetimi të mendjes, një fjale të gjuhës, një prekjeje të dorës, një hedhjeje të hapit apo ndijimi nëpërmjet ndjenjave përkundër qëllimit të tyre të krijimit, dhe se se si Allahu (xh. sh.) i fal shumicën e tyre.

Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), në hadithin e Tij, “Çdo bir i Ademit gabon. Por më të mbarët ndër ata që gabojnë, janë ata që pendohen më shumë.”  (Tirmidhi, kiamet, 49; Ibni Maxhe, zuhd, 30.) Përpiqet të na kujtojë se njeriu i ka të ngërthyera brenda vetes ndjesitë dhe ndjenjat për të gabuar, me pak fjalë e ka në natyrë gabimin. Kështu, më e rëndësishmja është që njeriu ta kuptojë gabimin dhe të përpiqet për ta shlyer atë. Edhe kalifët e mëdhenj e kanë gjykuar vazhdimisht veten për hapat e hedhur, madje vende-vende edhe kanë thënë: “Ah sikur të mos e kisha bërë kështu këtë punë, por të kisha vepruar ndryshe.”( Për Ebu Bekrin e nderuar (r.a.) shihni: et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-Kebir, 1/62.) për të shprehur, sipas botëkuptimit të tyre, gabimet në veprimet e tyre.

Madje, njeriu duhet t’i dijë prej vetes të gjitha belatë dhe fatkeqësitë që mund t’i ndodhin, edhe nëse për nga mënyra se si kanë ndodhur mund të mos kenë kurrfarë lidhjeje me qëllimet apo vullnetin e tij. Për shembull, sikur edhe gjilpërën që mund t’i ngulet në këmbë teksa ecën, ai nuk duhet ta shohë si një ndodhi të rastësishme, por si një pasojë e mangësive apo të metave të tij.

Postime të ngashme