Besimtarët janë më të lumtur

 “Fetarët janë më të lumtur në jetë sesa të tjerët.” Ky është konkluzioni i një studimi të ri amerikan, i cili tregon se vlerat shpirtërore reflektojnë në aspektin social të fetarëve, gjë e cila ua përforcon ndjenjën e lumturisë.

Studimi i kryer nga Liga Amerikane e Shkencave Sociale, pohon se rezultati i deklaratave të mbledhura tregon se fetarët janë më të gëzuar dhe të kënaqur në jetën e tyre.

Studimi i titulluar “Feja dhe lidhjet sociale me jetën e kënaqur” u krye me një numër prej pesëmijë personash të rritur në Amerikë, të cilët u përkisnin besimeve të ndryshme fetare. Pyetjet u drejtoheshin personave nëpërmjet telefonit.

Fetarët ndiheshin më të lumtur në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre jo fetarë. Studimi tregoi se 28 % e atyre që marrin pjesë në ritet fetare në vendet e kultit, ishin “të kënaqur në maksimum” me jetën e tyre, në krahasim me 19.6 %  të atyre që nuk i kishin frekuentuar kurrë vendet e kultit.

Dr. Chion Lem, profesor i sociologjisë në universitetin amerikan të Wisconsin, shprehet se: “Gjatë një periudhe të shkurtër, u vu re se individët që nuk kishin vajtur kurrë në objektet fetare, kishin filluar të përmirësonin nivelin e të qenit të kënaqur në jetën e tyre, pasi kishin filluar të merrnin pjesë në ritet dhe në shërbesat fetare.”

Nëpërmjet këtij studimi, shkencëtarët kishin si objektiv t’i përgjigjen pyetjes: Përse feja lidhet ngushtë me lumturinë dhe kënaqësinë në jetë? Në fund, ata arritën në përfundimin se lumturia e fetarëve nuk buron domosdoshmërish nga ushtrimi i riteve fetare, por sepse vetë feja ofron formën e saj të komunikimit me njerëzit dhe e mbështet individin në mënyrën e tij të jetesës.

Analiza e dëshmive dhe deklaratat e mbledhura gjatë studimit, treguan se marrëdhëniet sociale dhe identitetet e forta fetare, janë faktorët kryesorë që ndërmjetësojnë marrëdhëniet pozitive dhe ndjenjën e kënaqësisë në jetë. Fetarët ndihen më të lumtur në jetë, për shkak se ushtrojnë ritet fetare kolektivisht. Si dhe krijojnë marrëdhënie sociale të forta me njerëzit që i rrethojnë.

Dr. Lem thekson se: “Fetarët e ndjejnë që i përkasin diçkaje më të madhe se vetja e tyre. Kështu, kryerja e riteve me shokët e tyre më të afërt, u fal më shumë kënaqësi sesa kur i kryejnë vetëm.”

Studimi mbyllet me një sugjerim për të gjithë fetarët, që ritet dhe faljet e përditshme, t’i kryejnë me shokët e miqtë e tyre në mënyrë kolektive, gjë e cila u fal më shumë kënaqësi dhe ua rrit nivelin e lumturisë.

Ky nuk është studimi i vetëm, i cili nxjerr në pah lidhjet e fuqishme mes lumturisë dhe fesë. Një studim tjetër i para disa vitesh, i përgatitur në Londër mblodhi informacione nga mijëra evropianë, ku u zbulua qartë se niveli i lumturisë në mesin e të rinjve fetarëve, ishte më i lartë krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre jofetarë.

Sipas po të njëjtit studim, fetarët janë më të mbrojtur nga çrregullimet, nga pasojat e papunësisë dhe nga ndryshimet e befasishme në nivel personal.

Edhe studiuees, psikologë e sociologë shqiptarë janë të mendimit se  Sa më moderne, shekullare të bëhet jeta e njeriut, sa më e zhvilluar është ajo nga ana materiale, aq më shumë ndihet nevoja e besimit fetar. Sepse ka ca probleme që nuk janë materiale, apo që janë përtej saj dhe që kanë të bëjnë me anën shpirtërore të jetës, e cila për shumë njerëz, bëhet më e pasigurt, e paqartë, dilematike dhe e mbushur me probleme shpirtërore individuale dhe sfida të mëdha sociale.

©URTËSI.AL

 

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: