BESIMI NË RINGJALLJEN PAS VDEKJES
Pas besimit në Një Zot të Vetëm, ajo që e rregullon jetën dhe e vendos atë në një regjim të caktuar për të siguruar qetësinë e individit dhe qetësinë kolektive të njerëzimit, është pikërisht besimi në ringjallje, në llogaridhënie dhe në jetën pas vdekjes.
Besimi në ringjalljen dhe se njeriu do të shpërblehet një ditë, e motivon njeriun e mirë për punë, kurse ideja e ndëshkimit për mëkatet e frenon njeriun të jetë dhunues e shpërfillës. Frika e llogaridhënies e frenon njeriun të bëjë keq edhe atje ku askush nuk mund ta shohë.
Në terminologjinë islame “Ahireti” është jeta e fundit, e cila fillon pas ringjalljes dhe do të vazhdojë në pafundësi. Në këtë jetë përfshihen të gjitha ngjarjet dhe etapat e quajtura ringjallje (ba’th), grumbullim (hashr), llogaridhënie (hisab), peshore (mizan), ndërmjetësim për falje (shefaat), urë (sirat), parajsë (xhenet), ferr (xhehenem).
Ne besojmë në ringjalljen pas vdekjes, e që është kusht i besimit (imanit), pa të cilin njeriu nuk mund të konsiderohet besimtar. Përderisa besojmë në Allahun Një të Vetëm, Absolut, atëherë as besimi në jetën e Botës Tjetër nuk është aspak i vështirë.
Vetëm besimi në jetën e fundit (në atë të përtejmen) e mundëson ravijëzimin përfundimtar të tablosë së qenies dhe u jep përgjigje pyetjeve që aq shumë i preokupojnë mendjet e njerëzve që prej kohësh më të hershme dhe do të vazhdojnë t’i preokupojnë edhe sot.
1 – Argumenti mbi ringjalljen dhe jetën e përtejme
Argumenti dhe garancia më e madhe mbi realizimin e jetës së Ahiretit është premtimi i Zotit për robërit e vet. Duke theksuar në shumë vende se çdo frymë do të vdesë, se nuk do të mund të iket nga vdekja, se Allahu është ai që e jep vdekjen dhe se, në fund, kthimi do të jetë tek Ai. Kur’ani bën të ditur se ringjallja pas vdekjes është domosdoshmëri e premtimit të Allahut xh.sh.:
إِنَّمَا تُوعَدُونَ لَصَادِقٌ وَ إِنَّ الدِّينَ لَوَاقِعٌ
“Ajo që po ju premtohet juve është mëse e vërtetë. Nuk ka asnjë dyshim se edhe llogaridhënia, edhe ndëshkimi do të realizohen patjetër.” (Dharijat:5-6)
Rezultati më i rëndësishëm i krijimit të universit është jeta. E vetë jeta nuk mund të përkufizohet vetëm tek kjo jetë kalimtare, e shkurtër, e mangët dhe e mundimshme e kësaj bote. Ai që beson se Allahu është i Drejtë, është i Mëshirshëm, është i Gjithëpushtetshëm dhe i Gjithëditur, nuk mund ta pranojë se vdekja është asgjësim total për njeriun. Kjo është kundër drejtësisë, urtësisë, e mëshirës së Allahut. Të mohosh ringjalljen do të thotë t’i atribuosh Zotit dobësi, do të thotë t’i mohosh cilësitë dhe emrat e Tij, i Gjithëditur, i Dashur, i Urtë, i Fuqishëm, Absolut etj.
Zoti në këtë botë, me gjithë ndarjen e njerëzve në besimtarë dhe jobesimtarë, çdo njeriu i jep mirësi, ngase do të ketë një vend tjetër ku do të shpërblehen besimtarët e do të ndëshkohen jobesimtarët.
Shumë tiranë e diktatorë e vazhdojnë tiraninë e tyre deri në vdekje në këtë botë, e madje disa edhe varrosen me ceremoni. Drejtësia dhe urtësia e Allahut kërkon që të ketë një vend ku ata do të gjykohen siç e meritojnë.
Se cili do të jetë pozicioni i jetës sonë në jetën e përhershme varet nga veprimtaria jonë në këtë botë, ku sot po jetojmë, ngase vlerësimi do të bëhet mbi bazën e besimit dhe të veprave tona. Allahu Fuqiplotë thotë:
وَ نَضَعُ الْمَوَازِينَ الْقِسْطَ لِيَوْمِ الْقِيَامَةِ فَلا تُظْلَمُ نَفْسٌ شَيْئًا وَ إِن كَانَ مِثْقَالَ حَبَّةٍ مِّنْ خَرْدَلٍ أَتَيْنَا بِهَا وَ كَفَى بِنَا حَاسِبِينَ
“Ditën e Gjykimit, Ne do të vëmë peshore të drejta dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi, edhe nëse është (vepra) sa pesha e një kokrre të melit. Ne mjafton të jemi llogarimarrës.” (Enbija:47)
Kur Ubej bin Halef, këmbëngulës në mohim, duke i treguar Pejgamberit tonë një kockë të thatë e pyeti: “Këtë kush do ta ringjallë?” përgjigjen Pejgamberi ia dha përgjigjen me Kur’an:
مَّن يَبْدَأُ الْخَلْقَ ثُمَّ يُعِيدُهُ قُلِ اللَّهُ يَبْدَأُ الْخَلْقَ ثُمَّ يُعِيدُهُ فَأَنَّى تُؤْفَكُونَ
“Thuaj: “A ka prej idhujve tuaj ndokush që ta fillojë krijimin e mandej atë (pas vdekjes) ta rikthejë?” Thuaj Allahu e nis krijimin dhe sërish e rikthen. Si i largoheni pra të vërtetës?!” (Junus:34).