Ringjallja sipas Kuranit

Argumentimi më i shkëlqyer i jetës së përtejme është pikërisht argumentimi Kur’anor. Gati një e treta e këtij Libri hedh dritë mbi argumentet, specifikat dhe veçoritë e Botës tjetër, duke na ftuar në besimin e saj, por ndërkohë edhe duke na përgatitur për udhëtimin përtej. Kur’ani ka sjellë argumente kategorike që e vërtetojnë ringjalljen pas vdekjes dhe grumbullimin (hashr) si njëra ndër çështjet me rëndësi që e preokupojnë mendjen e njeriut.

Shembëllimi dhe analogjia është një metodë argumentimi e Kur’anit. Falë kësaj metode, besimi i njeriut mbi Kiametin ose Katastrofën e kësaj bote dhe pastaj ringjalljen, forcohet gjithnjë e më shumë.

أَوَلَيْسَ الَّذِي خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَ الأَرْضَ بِقَادِرٍ عَلَى أَنْ يَخْلُقَ مِثْلَهُم بَلَى وَ هُوَ الْخَلاَّقُ الْعَلِيمُ

A nuk është i fuqishëm Ai që ka krijuar qiejt dhe tokën, të krijojë njerëz sikundër që i krijoi ata? Sigurisht që është! Po, Ai është Krijuesi, i Gjithëdituri. (Jasin:81)

أَأَنتُمْ أَشَدُّ خَلْقًا أَمِ السَّمَاء بَنَاهَا رَفَعَ سَمْكَهَا فَسَوَّاهَا

A krijimi juaj është i vështirë, apo krijimi i qiellit, të cilin Allahu e ka bërë dhe e ka ngritur? (Naziat:27)

A krijimi juaj është i vështirë, apo krijimi i të gjitha sistemeve, përfshirë njerëzit dhe xhindet? Allahu, që ka ngritur pallatin e gjithësisë, a nuk mund të shpikë dhe të ndërtojë për ju në parajsë pallate më të vegjël?

وَ مِنْ آيَاتِهِ أَنَّكَ تَرَى الأَرْضَ خَاشِعَةً فَإِذَا أَنزَلْنَا عَلَيْهَا الْمَاء اهْتَزَّتْ وَ رَبَتْ إِنَّ الَّذِي أَحْيَاهَا لَمُحْيِي الْمَوْتَى إِنَّهُ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ

Nga argumentet e Tij është edhe toka që ti e sheh të thatë, të plasaritur e të tkurrur. Por kur lëshojmë shi mbi të, ajo fillon të dridhet e të fryhet. Allahu që e ringjall atë, pa dyshim që i ringjall edhe të vdekurit. Ai ka mundësi për çdo gjë. (Fussilet:39)

Të gjitha këto janë të vërteta, sepse janë nga Allahu. Ja, pra, është Ai që ka për t’i ringjallur të vdekurit. Dhe Ai ka mundësi për çdo gjë. Allahu xh.xh. që i drejton dhe administron mijëra ngjarje mbi kryet tuaj, me anë të shfaqjeve të Tij, ju tregon se ka mundësi për çdo gjë!

وَ أَنَّ السَّاعَةَ آتِيَةٌ لّا رَيْبَ فِيهَا وَ أَنَّ اللَّهَ يَبْعَثُ مَن فِي الْقُبُورِ

… sepse momenti (i Kiametit) do të vijë patjetër, në të nuk ka dyshim. Dhe Allahu do t’i ringjallë ata që ndodhen në varre. (Haxh:27)

Siç shihet, Kiameti do të vijë patjetër. Për këtë nuk ka dyshim dhe Allahu do t’i ringjallë të gjithë të vdekurit.

Mirëpo, është interesant se edhe mohuesi i shekullit të parë, edhe mohuesi i fundit thonë të njëjtën gjë: “Kush do t’i ringjallë këta eshtra të kalbur e të bërë hi?”. Kur’ani u përgjigjet, duke u thënë:

 قَالَ مَنْ يُحْيِي الْعِظَامَ وَ هِيَ رَمِيمٌ قُلْ يُحْيِيهَا الَّذِي أَنشَأَهَا أَوَّلَ مَرَّةٍ وَ هُوَ بِكُلِّ خَلْقٍ عَلِيمٌ

Kush i ngjall eshtrat duke qenë ata të kalbur? Thuaj, i ngjall Ai që i krijoi për herë të parë. Ai është shumë i dijshëm për çdo krijim. (Jasin :78-79)

Si përfundim, mund të themi se jeta e Ahiretit do të ndodhë patjetër. Së pari, si një mirësi hyjnore, e më pas, si shpërblim i adhurimit të kryer nga njeriu dhe marrje prej tij e vlerës së vërtetë të punëve dhe veprave të tij, ashtu edhe si realizim i qëllimeve dhe synimeve të krijimit:

يَوْمَئِذٍ يَصْدُرُ النَّاسُ أَشْتَاتًا لِّيُرَوْا أَعْمَالَهُمْ

Atë Ditë, njerëzit do të paraqiten grupe-grupe, që t’iu tregohen veprat e tyre. (Zilzal:6).

Postime të ngashme