Atmosfera magjepsëse e Kuranit

Nga Ali Zaimi

Kurani është manuali më i mrekullueshëm i mesazheve dhe ligjeve hyjnore. Ai është kodi që zgjidh enigmën e jetës, është çelësi i të vërtetave. Ai është një burim drite që i bën dritë zemrave dhe shpirtrave; mendjes dhe shkencës; materies dhe përtej saj;

Kurani është drita dhe themeli i botës shpirtërore dhe intelektuale të Islamit; është treguesi i rrugës më të ndriçuar drejt lumturisë. Kurani është Fjala e mrekullueshme e Allahut që iu shpall Profetit Muhamed.

Kurani është një libër urtësie e drejtësie, lutjeje e adhurimi, urdhri e thirrjeje, libër mendimi e meditimi.

Ai është libri që urdhëron drejtësinë e vërtetë, lirinë, barazinë e drejtpeshuar, dobinë, nderin, virtytin, dhembshurinë ndaj të gjitha qenieve. Ai ndalon hapur dhunën, politeizmin, padrejtësinë, injorancën, kamatën, gënjeshtrën, dëshminë e rreme… Profeti ka deklaruar se Kurani ishte mrekullia e përjetshme e profetësisë së tij.

Pavarësisht nga tentativat që s’reshtën kurrë për ta tjetërsuar atë, me gjithë intrigat dhe sulmet për ta bllokuar, Kurani, duke depërtuar përtej çdo kohe dhe hapësire, ruan me dinjitet freskinë e parë.

Një sërë arritjesh, vlerash e bukurish të qytetërimit të sotëm, që vlerësohen e duartrokiten në të katër anët e botës, janë po ato gjëra që Kurani i pati inkurajuar shekuj më parë.

Në sajë të Kuranit, njeriu është ngjitur në pozitën e bashkëbiseduesit me Zotin. Vëzhgon me ëndje hapat e krijimit, bashkëbisedon me Profetët, rrok mentalitete të ndryshme, analizon ngjashmëritë, ndasitë, veset, vlerat dhe veçoritë e popujve të kaluar.

Por, që ta njohësh e kuptosh Kuranin në mënyrë të atillë që të kënaqë mendjen dhe zemrën, duhet të kesh një dëlirësi shpirtërore që të mund t’i dallosh të gjitha bukuritë e gjithësisë në një lule, që të mund ta vëzhgosh furtunën në një pikë ujë.

Kurani është një mrekulli e gjerë dhe e pasur që i kapërcen të gjitha hapësirat dhe kohërat dhe u jep përgjigje nevojave të të gjithë njerëzimit nga besimi gjer te rregulli më i thjeshtë i edukatës.

Nxënësit e parë të gatuar në atmosferën e Kuranit arritën një përsosmëri të tillë saqë u kthyen në burim frymëzimi për të gjithë brezat.

Kurani vazhdon t’ua ndriçojë zemrat atyre që hyjnë pa paragjykime, me zemër, vetëdije dhe ndjenja të pastra në ambientin e tij.

Si një udhërrëfyes drejt të vërtetave, ai ka katër pikësynime kryesore: Të argumentojë dhe demonstrojë ekzistencën dhe njësinë e Allahut; të argumentojë dhe tregojë profetësinë; të njoftojë dhe shpjegojë për ringjalljen dhe botën tjetër (ahiretin); të përhapë adhurimin ndaj Allahut e të hedhë themelet bazë të drejtësisë.

Kurani shërben si burim për mijëra të vërteta shkencore që janë zbuluar e vazhdojnë të zbulohen.

Gjithashtu, Kurani është një mjet shërimi shpirtëror.

Kurani është fjala më e përkryer, është drita e amshuar, e cila shkëlqen në botën e shkronjave dhe fjalëve; është mesazhi, ligji, katalogu dhe udhërrëfyesi më i përkryer i njerëzimit.

©URTESI.AL

Postime të ngashme

%d bloggers like this: