Askush nuk e dinte për veprën e tij të mirë
Sahabët ishin brezi më i artë që kishte parë ndonjëherë historia e njerëzimit. Ata ishin njerëz që u ndikuan dhe e përvetësuan aq shumë moralin profetik, saqë mund të thuhet se e shfaqën potencialin e tyre për të mirë në një dimension të rrallë. Ata u udhëhoqën nga qëllimi i lartë i ekzistencës, i cili sillej rreth njohjes e adhurimit të Allahut, dhe kështu vepruan çdo gjë të mirë që ishte në përputhje me këtë qëllim të lartë. Prej cilësive më të rëndësishme të tyre mund të përmendim sinqeritetin, besnikërinë, ndershmërinë, trimërinë, bujarinë, etj. Prej atyre që ishin më të dalluarit ndër sahabët e tjerë ishte edhe Ebu Bekri me Omerin (r.a).
Në disa raste vihet re se këta dy sahabë garonin me njëri-tjetrin se cili do të ishte më i shpejtë në vepra të mira, apo thënë ndryshe, cili do të dallonte më tepër në rrugën e dorëzimit pakusht ndaj Zotit të Madhëruar. Kur njëherë Profeti (a.s) kishte bërë thirrje për ndihmë dhe çdokush kishte sjellë pranë tij ç’të mundte, dy sahabët e lartpërmendur kishin nisur një garë mes njëri-tjetrin, por standardi ishte më lart se ç’mund ta imagjinojmë. Në fakt, ai i cili ishte përfshirë më tepër në këtë shpirt të garës ishte Omeri (r.a), i cili atë ditë kishte bindjen se do të fitonte kur erdhi me gjysmën e pasurisë së tij pranë të Dërguarit të Allahut. Por pothuajse e kuptoi epërsinë e Ebu Bekrit kur pa se ai e kishte sjellë të gjithë pasurinë e tij për ta dhuruar në rrugën e Zotit.
Gjithsesi, Omeri të paktën në veprime nuk ishte dorëzuar dhe ndoshta priste atë çastin e artë, atëherë kur do të dilte qoftë edhe pak përpara një njeriu të përkushtuar si Ebu Bekri. Ai mendoi se e gjeti këtë moment ditën kur dikush bëri njoftimin se një grua e moshuar dhe e verbër kishte nevojë për ndihmën e dikujt. Omeri vendosi menjëherë t’i shkonte në ndihmë dhe pandehu si do të ishte ai i pari që do ta bënte këtë gjë. Kur shkoi pranë saj i përgatitur me të gjitha mjetet për ta ndihmuar siç i shkonte për shtat, u përball me diçka që nuk e priste. Dikush kishte qenë përpara tij dhe ia kishte plotësuar të gjitha nevojat kësaj gruaje të moshuar që jetonte e vetme. Shtëpia ishte pastruar, ushqimi ishte ende i ngrohtë dhe thuajse për momentin dukej sikur s’mungonte gjë.
Kush vallë kishte qenë përpara Omerit në atë shtëpi, i cili kishte menduar se kishte kapur çastin e artë dhe në fakt, ai iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë? Mesa duket dikush tjetër kishte qenë më i gatshëm dhe ndoshta kishte kohë që njihej nga afër me rastin në fjalë. Omeri kërkoi që ajo grua t’i tregonte personin që i kishte ardhur në ndihmë, por nuk ia doli dot ta zbulonte emrin e tij. Kishte një marrëveshje mes plakës dhe personit që e ndihmonte, që ajo s’do ta tregonte asnjëherë emrin e tij. Ai kishte dashur të mos njihej dhe të mos shfaqej në publik me sjelljen e tij të rrallë.
Ashtu siç u ka hije të mëdhenjve, ata nuk dorëzohen përballë së mirës, derisa ta arrijnë atë, edhe Omeri vendosi të priste në shtëpi. Në një orë të ditës apo të natës, u shfaq personi i cili ishte tepër i njohur për të. Kush të ishte tjetër, ai që e fitonte gjithnjë garën. Thuajse i dorëzuar para tij dhe njëkohësisht e mrekulluar me këtë sjellje, Omeri i vendosi një epitet. Ai e quajti atë “Sebbak”, gjithnjë i pari për të mbërritur në punë të mira. Kjo ishte gara e dy miqve, garë në vepra të mira, pavarësisht vështirësive dhe angazhimeve të tyre në jetën e përditshme. Veprimi i së mirës e mbush zemrën e njeriut me gëzim e entuziazëm, ai bëhet gjithnjë kërkues i rasteve që kanë nevojë për solidarizim dhe vrapon për të ndihmuar sipas mundësive që Zoti i ka dhënë.