Argumentet logjike për ekzistimin e Allahut
Besimtarit islam i mjaftojnë tekstet për t’u bindur rreth Njëshmërisë së Allahut, por krahas tyre në univers ekzistojnë edhe mijëra e mijëra argumente për ekzistimin e Allahut si i Vetëm dhe i Pashoq. Po sjellim dy-tri argumente, vetëm sa për ilustrim.
Botërat e ndryshme, krijesat e llojllojshme dhe të shumta dëshmojnë për ekzistimin e një Krijuesi universal. Nuk mbahet mend se ndokush, pos Allahut xh.sh., ka pretenduar se e ka krijuar gjithçka që na rrethon. Në anën tjetër, logjikisht është e pamundur që ato të jenë krijuar vetvetiu. Po ashtu, edhe teoria e rastit është tërësisht absurde dhe irracionale. Atëherë çdo krijesë doemos duhet ta ketë edhe krijuesin e vet. Krijuesi i çdo krijese domosdo duhet të jetë i dijshëm, i fuqishëm dhe i vullnetshëm. Raziu transmeton se kalifi Harun Er-Reshidi e ka pyetur imam Malikun për dëshminë që vërteton ekzistimin e Krijuesit, dhe Maliku i është përgjigjur: “Ndryshimi i gjuhëve, i zërave, është fakt që dëshmon ekzistimin e Allahut xh.sh.”
Imam Ebu Hanifja është pyetur prej jobesimtarëve për ekzistimin e Allahut xh.sh. dhe ai është përgjigjur: Më lejoni, se jam duke u menduar për një çështje, – u tha Ebu Hanifja në fillim. Më pastaj Ebu Hanifja ua parashtroi këtë pyetje: Anija e ngarkuar me mallra, lundron nëpër dete pa timonier, megjithatë ajo iu përballon valëve të detit, lundron si dëshiron pa e drejtuar askush dhe vjen te porti. E besoni këtë?”. –Njeriu i mençur nuk mund të bindet se anija pa e drejtuar askush mund të vijë te porti! – thanë të pranishmit. – Të mjerët ju, – u tha Ebu Hanifja, – sendet dhe gjërat që ju rrethojnë, poshtë e lart dhe në mes tyre që janë, a nuk kanë Krijues dhe drejtues që i drejton?” Pabesimtarët ulën kokat dhe u kthyen tek e vërteta duke e pranuar Islamin në praninë e Ebu Hanifes.
Në lidhje me këtë është pyetur edhe Imam Shafiu dhe ai është përgjigjur: “Kjo është fleta e manit, e ha krimbi dhe prej saj nxjerr mëndafsh; e ha bleta dhe nga ajo nxjerr mjaltin; e ha delja ose lopa, nga ajo nxjerr mbeturinën (plehun); e ha drenusha, nga ajo nxjerr miskun. Në të vërtetë, të gjitha ato kanë ngrënë një materie, një ushqim e që është gjethi i manit. A nuk është kjo dëshmi që e vërteton ekzistimin e Allahut xh. sh.?”