Allahu është i drejtë

Kur hejbet e ngarkuara të kafshës të jenë të ekuilibruara ose pjatat e peshores të jenë në një nivel, themi se është zbatuar drejtësia.

Allahu është i drejtë; edhe ekuilibrin, mbi këtë drejtësi e ka vendosur. Nga atomet te galaktikat, nga bimët te kafshët e gjer te njerëzit, çdo qenieje të gjallë ose jo të gjallë i janë dhënë pa­jisje në nivel të domosdoshëm në përshtatje me natyrën e kriji­mit të tyre. Për sa i përket njeriut, ai s’paguan asgjë për to. Po qe se drejtësia është dhënia në të njëjtën masë e cilësi me ma­rrjen, në përgjithësi, kundërshpërblim i njëvlefshëm e i ekuilib­ruar, urdhëroni e jepini Allahut barazvlerësen e atyre gjërave që ju ka dhënë!

Pasuria i përket tërësisht Allahut. A ka diçka që të na bjerë neve në pjesë? Po çfarë kemi ne tonën për ta dhënë si kundër­vlerë të gjërave që na ka dhënë Allahu falas?! Po qe se Allahu na kërkon që, nga gjërat që përdorim dhe përfitojmë, pjesën e Tij ta ndajmë veç e tonën, veç, neve na mbetet vetëm një zero dhe ajo e tillë, për të cilën nuk mund të themi imja! Atëherë the­mi se nuk kemi të drejtë dhe kompetencë të përzihemi në punët e të zotit të pronës në pronën e vet! Në mënyrë të veçantë, pa­varësisht nga masa e gjësë që i është dhënë falas, njeriut i bie për detyrë vetëm të falënderojë për pjesën e vet.

Është e dobishme ta sqarojmë çështjen me një shembull. Le të mendojmë tre shokë të varfër, të panjeri e nevojtarë për gjë­në më të vogël. Vjen një njeri i pasur, i kap për dore me radhë dhe, nga rrugë të ndryshme, i hip në minare me tre ballkone, si minaret e Selimijes.

Për ta, në shkallët spirale të minares ka dhurata të ndrysh­me. Ndërkaq, dhuratat për të parin mbarojnë tek dalja e ball­ko­nit të parë. Prandaj shoku i parë del në ballkonin e parë. Dhu­ratat për të dytin mbarojnë tek dalja e ballkonit të dytë dhe ai del në ballkonin e dytë. Kurse për shokun e tretë ka dhurata më shumë. Ato mbarojnë në daljen e ballkonit më të sipërm. Së ba­shku me dhuratat, ai del në ballkonin e tretë.

Të tre shokët e shohin tashmë njëri-tjetrin dhe e kuptojnë se u janë dhënë dhurata në mënyrë të pabarabartë. A kanë të dre­jtë, megjithëkëtë, të ankohen? Fundja, ato janë dhurata dhe i pasuri nuk u kishte asnjë detyrim. Shokëve u mbetet për detyrë vetëm ta falënderojnë mirëbërësin.

Sipas këtij kriteri dhe në këtë masë duhen vlerësuar favoret dhe të mirat e Zotit. Duke e nxjerrë njeriun nga mosqenia në shkallaren e qenies dhe, pastaj, duke e ngjitur në nivelin nje­rëzor, Zoti ka vepruar vetëm me favorin dhe mirësinë e Tij. Pra­ndaj, ajo çka i bie njeriut, është ta falënderojë Zotin në çdo shkallare të të mirave dhe, përballë çdo të mire, vetëm të entu­ziazmohet me ndjenjën e falënderimit.

Po të mendohet edhe ca më shumë, njeriu do të kuptojë se nuk është fjala për t’u ankuar ndaj Zotit, por për t’u drojtur prej Tij kur niset t’i kërkojë diçka. Fundja, nuk e ka falënderuar për të mirat e të shkuarës që t’i kërkojë Atij diçka për të ardhmen! Nëse i kërkojmë, këtë e bëjmë sepse i besojmë favorit dhe mirë­sisë së Tij dhe se është vetë Ai që na e ka dhënë të drejtën për të kërkuar!

Postime të ngashme

%d bloggers like this: