Allahu di, kurse ju nuk dini!

Nuk ka absurditet në univers. Asgjë nuk u krijua kot dhe pa urtësi. Në çdo vepër të Allahut të Madhëruar ka sekrete, urtësi dhe mësime të panumërta. Të gjitha krijesat dhe ngjarjet janë vargje natyrore që duhen lexuar me sytë e zemrës. Allahu i Madhëruar dëshiron që ne të jemi të njohur me mësimet dhe urtësinë në to dhe na urdhëron në Kuran e na thotë;

“… A nuk arsyetoni?” (el-Bekare, 44);

“…A nuk kuptoni?” (Âl-i İmrân, 65; el-A‘raf, 169…)

“… A s’po mendoni?” (el-En’am, 50).

Nëpërmjet këtyre ajeteve, Allahu i Madhërishëm dëshiron që ne t’i nënshtrohemi me zemër urtësisë hyjnore për çështje që nuk i kuptojmë. Sepse, ndërsa Allahu i Plotfuqishëm mund ta shfaqë pamjen e jashtme të disa ngjarjeve si të mira, bazuar në urtësinë e provës, Ai mund ta vlerësojë fytyrën e brendshme si të zymtë. Ndonjëherë është e anasjellta. Me fjalë të tjera, ndërsa fytyra e jashtme e disa ngjarjeve mund të duket e zymtë, fytyra e saj e brendshme është vlerësuar si e mirë. Për këtë arsye, besimtari nuk duhet të jetë indiferent ndaj urdhrave hyjnorë, por duhet të nënshtrohet me zemër në rastet kur mendja e tij është e paaftë për të kuptuar.

Allahu i Madhëruar në një ajet thotë:

“…Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (el-Bekare, 216)

Në të vërtetë, shumica e njerëzve ndjejnë shumë keqardhje për disa ngjarje, urtësinë e të cilave nuk e dinë. Ata nuk mund ta shohin mëshirën hyjnore të fshehur në të. Ndonjëherë, njerëzit shikojnë vetëm anën sipërfaqësore të ndodhive ose sprovave, dhe harrojnë të mendojnë se pse vallë ndodhi kështu, ose çfarë urtësie fshihet pas kësaj ngjarjeje.

Tregohet se ishte një fis arab i cili në mesin e tyre kishin një njeri të urtë, këshillat e të cilit ishin ligj për ta. Ata i dëgjonin me vëmendje ligjëratat dhe këshillat e tij dhe ai u jepte drejtim zemrave të tyre. Kur u zgjuan një mëngjes, gjetën të gjithë qentë të ngordhur. Ata shkuan drejt e tek ai njeri i urtë dhe i shpjeguan situatën. Pas një shqyrtimi të shkurtër, ai tha me tevekul (mbështetje ndaj Allahut):

– “Shpresojmë që ngordhja e tyre të jetë një shpëtim për ju!”

Të nesërmen ngordhën të gjithë gjelat. Ata erdhën përsëri tek njeriu i urtë dhe i trguan ç’kishte ndodhur. Përgjigja që ata morën ishte e njëjtë:

– “Shpresojmë që ngordhja e tyre të jetë një shpëtim për ju!”

Pastaj njëri prej tyre pyeti:

– “Zotëri, qentë ishin rojet tonë dhe gjelat ishin myezinët tanë. Çfarë përfitimi mund të ketë për ne nga ngordhja e tyre?”

Njeriu i urtë u përgjigj:

– “Është Allahu Ai që i di të gjitha urtësitë dhe të fshehtat. Sigurisht, ai ka fshehur një të vërtetë të madhe në këtë ngjarje që mendja jonë nuk mund ta kuptojë.”

Natën tjetër, askush në fis nuk kishte zjarr. Të gjithë të habitur e të merakosur thonin me vete:

“Çfarë është kjo e keqe që na ka rënë kështu?”

Por kur u ngritën në mëngjes u kuptua e vërteta e ngjarjeve enigmatike që kishin përjetuar. Doli se natën e fundit armiku kishte bastisur fise dhe kishte plaçkitur qytetet. Ata kishin ardhur në afërsi të këtij fisi, por kishin kaluar pa u vënë re, pasi nuk kishin dëgjuar asnjë zhurmë qeni, këndimin e gjelit dhe nuk kishin parë as dritën më të vogël të zjarrit. Kështu populli shpëtoi nga një plaçkitje dhe masakër e madhe. Kjo ishte dhe urtësia e madhe që fshihej pas gjithë këtyre të këqijave. Allahu e dinte më së miri, ndërsa njerëzit nuk dinin asgjë.

Postime të ngashme