AGJËRIMI I MUAJIT TË RAMAZANIT

Agjërimi i muajit të Ramazanit është detyrim (farz) për secilin mysliman me moshë të rritur dhe të aftë psikikisht dhe fizikisht, për çdo vit gjatë tërë jetës. Farz është, po ashtu, agjërimi kaza i ditëve të paagjëruara të Ramazanit me arsye ose pa arsye të justifikueshme. Kështu, po qe se dikush nuk agjëron, ose e prish atë sepse është i sëmurë ose duke udhëtuar, do t’i zëvendësojë pas Ramazanit në një kohë të përshtatshme, një për një, ditët e paagjëruara. Njëlloj vepron edhe femra, e cila gjatë Ramazanit është me të përmuajshmet e grave ose lehonë.

Sipas kalendarit hënor, muaji i Ramazanit është muaji i nëntë i vitit. Është muaji të cilin Allahu i Lartësuar e ka përmendur në Kur’an si njoftim për fillimin e zbritjes së tij në këtë muaj dhe si porosi për agjërimin e tij, duke thënë:

شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنْزِلَ فِيهِ الْقُرْآَنُ هُدًى لِلنَّاسِ وَ بَيِّنَاتٍ مِنَ الْهُدَى وَ الْفُرْقَانِ فَمَنْ شَهِدَ مِنْكُمُ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ

“Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). E pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” (Bekare: 185).

Nga Syneti – tradita e Pejgamberit a.s., veçojmë:

بني الإسلام على خمس: شهادة أن لا إله إلا الله و أن محمدا رسول الله و إقام الصلاة و إيتاء الزكاة و صوم رمضان وحج البيت لمن استطاع إليه سبيلا.

Pejgamberi a.s. ka thënë:

Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është  i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe vizita e Qabesë për ata që kanë mundësi.” (Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu).

Nga tradita profetike duhet të përmendim edhe faktin se Muhamedi a.s., në veçanti nga koha kur agjërimi u bë farz, ardhjes së Ramazanit i gëzohej tej mase, madje shokëve të tij sikur u jepte sihariq duke u thënë:

قد جاءكم رمضان شهر مبارك افترض الله عليكم صيامه تفتح فيه أبواب الجنة و يغلق فيه أبواب الجحيم و تغلّ فيه الشياطين فيه ليلة خير من ألف شهرٍ…

“Ju erdhi Ramazani, muaji  me plot begati, Allahu jua ka bërë detyrim agjërimin e tij, në të hapen dyert e Xhenetit, ndërkaq mbyllen ato të Xhehenemit, në të mbyllen (prangosen) shejtanët. Në të ka një natë që është më e vlefshme sesa një mijë muaj tjerë!” (Transmetojnë Nesaiu, Bejhekiu dhe Ahmedi nga Ebu Hurejreja).

Dhe jo vetëm kaq, por ky muaj, krahas begatisë së agjërimit që iu dhurohet besimtarëve, ai cilësohet edhe si muaj i lutjeve dhe pendimit, muaj i durimit dhe i shpërblimeve, i paqes dhe i dashurisë mbarë njerëzore. Ai është muaj i bujarisë, mëshirës dhe i humanizmit. Andaj, besimtari kurrë nuk është më i sinqertë, më bujar dhe më i dëlirë sesa në këtë muaj!

Përveç agjërimit të Ramazanit, është farz të kryhen edhe kefaretet, të cilat kryhen përmes agjërimit, si kefareti për ndonjë ditë të paagjëruar të Ramazanit pa justifikim sheriatik, apo edhe kefareti kur njeriu e vret dikë pa dashje, kefareti i dhiharit etj.

Postime të ngashme