HALID BIN UELIDI PRANON ISLAMIN

Halidi i nderuar (radijallahu anh) tregon: “Kur Allahu vendosi më të mirën për mua, duke më hedhur në zemër një shkëndijë dashurie për Islamin, atëherë mund të them se më erdhi mendja në vend. Thashë njëherë me vete: “Unë kam marrë pjesë në të gjitha luftërat që janë bërë kundër Muhamedit. Sa herë që kthehesha nga lufta, e ndieja se isha duke u munduar për një punë të kotë dhe e shihja se herët a vonë do të ishte Muhamedi Ai që do të dilte ngadhënjimtar.” Kur Resulullahu u ngjit në Hudejbije, mora edhe unë një grup kalorësish dhe u ngjita atje. Atë e hasa në vendin e quajtur Usfan, ishte bashkë me disa nga sahabët e Tij. Bëra ca hapa përpara, në mënyrë që të ishim në të njëjtin drejtim e Ai të mund të më dallonte. Doli përpara tyre dhe u fali atyre namazin e drekës. Edhe pse donim t’i sulmonim, e kishim të pamundur. Kjo duhet të kishte një domethënie të veçantë. Duhet ta kishte kuptuar se ç’kishim shkuar nëpër mendje, që i lidhi të dy namazet me njëri-tjetrin, duke u falur sahabëve edhe namazin e ikindisë. Kjo më preku shumë; “këtë njeri vërtet që e mbron një Fuqi e veçantë.”
U largua nga ne, duke marrë në të djathtë. Kur bëri paqe me Kurejshin në Hudejbije dhe Kurejshi e detyroi të kthehej mbrapsht, për andej nga kishte ardhur, atëherë thashë me vete: “E ç’më mbeti mua? Po tani, ku të shkoj? A të shkoj te Nexhashiu? Po edhe ai i besoi Muhamedit dhe tashmë tek ai jetojnë të sigurt edhe sahabët. Të shkoj te Herakliu, të braktis fenë time e të pranoj të bëhem i krishterë ose jude? Apo të qëndroj në Iran? Apo të kthehem në Mekë, dhe të qëndroj në vendlindjen time, bashkë me të tjerët, njësoj si ta? Dhe, ja, teksa mendjen e kisha të zënë me gjithë këto mendime, në Mekë po vinte Profeti për të bërë kazanë e umres që nuk e kishte bërë dot një vit më parë, si pasojë e Marrëveshjes së Hudejbijes. Duke qenë se atëherë përpiqesha të mos takohesha me askënd, as Atë nuk e pashë dot. Në Mekë, bashkë me të Dërguarin e Allahut kishte ardhur edhe vëllai im, Uelid bin Uelidi, i cili më kishte kërkuar gjithandej dhe kur nuk më kishte gjetur dot, kish lënë këtë letër:
“Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit… Nuk kam parë ndonjëherë gjë më të habitshme se kjo; si ka mundësi që një njeri si ti, kaq i zgjuar, i shmanget Islamit, duke u rrekur që si e si që të mos e pranojë atë. Kush është ai njeri që mund të dojë të mbetet i paditur karshi një feje si Islami? I Dërguari i Allahut më ka pyetur, “Ku është Halidi?” – dhe unë gjithmonë i jam përgjigjur: – “Do ta sjellë Allahu.” Ndërsa Ai më thotë gjithmonë: – “Si ka mundësi, është shumë për t’u habitur që një njeri si Halidi të mos e kuptojë e të mos e pranojë Islamin! Sikur me trimërinë dhe seriozitetin e tij të gjendej në radhët e myslimanëve, kjo do të kishte qenë shumë herë më e mirë për të, e ne do ta mbanim atë më lart se të tjerët.” Kështu që, vëllai im, të duhet të heqësh dorë e të mos i humbasësh më të gjitha këto të mira e mbarësi që të kanë aq shumë hije.”
Halid bin Uelidi (radijallahu anh) thotë se: “Kur më erdhi letra që vëllai kishte lënë për mua, seç ndjeva njëfarë lehtësimi dhe më dukej se tani mund të dilja mes njerëzve. M’u shtua edhe më shumë simpatia për Islamin. Ndërsa fakti që vetë Resulullahu kishte pyetur për mua me emër më gëzoi pa masë. Në ëndërr pashë sikur nga mesi i një shkretëtire të ngushtë dhe të thatë dola drejt një vendi të gjelbër e të paanë dhe në shpirt seç më vetiu sikur “kjo ëndërr do të bëhej realitet.” Kur të shkoj në Medinë, do t’ia tregoj ëndrrën njëherë Ebu Bekrit. Ia tregova dhe ai ma interpretoi kështu:
– “Ai vend i gjelbër, plot gjelbërim, dhe i gjerë e i paanë është shenjë se Allahu ka vendosur udhëzimin tënd në Islam. Ndërsa vendi i ngushtë ku je tani është idhujtaria.”
“Kur vendosa të dilja përpara të Dërguarit të Allahut, me kë të shkoj thashë me vete. Në rrugë u hasa me Safuan bin Umejen. E pyeta: “O Ebu Uehb, a nuk e sheh se si jemi katandisur, kemi mbetur një grusht njerëzish; po sikur të shkojmë e t’i besojmë  Islamit! Nderimet për Muhamedin do të jenë edhe nderimet tona!” Si i çmeritur m’u përgjigj: “Sikur të gjithë t’i bashkohen Atij dhe të mos mbetet askush tjetër përveç meje, prapë as nuk e pranoj, as nuk e ndjek!”
U ndamë nga njëri-tjetri. Me vete thashë: “Ky ka humbur vëllain dhe babanë në Bedër.” Takova djalin e Ebu Xhehlit, Ikrimen, e edhe atij të njëjtat gjëra i thashë. Edhe ai m’u përgjigj po njësoj. – “Mirë,” – i thashë Ikrimes. – “këto që folëm të mbeten mes nesh. – “Në rregull, mos ki merak,” – m’u përgjigj. Shkova në shtëpi dhe u kërkova që të më përgatitnin kafshën, se do të nisesha për rrugë. U nisa. Në rrugë rastisa Osman bin Talhanë. Me vete thashë, “ky është shoku im, po sikur t’ia them ato që më shkojnë nëpërmend.” Pastaj, kur kujtova se edhe atij i ishin vrarë shumë kushërinj, u stepa. Do të vazhdoja rrugën, i thashë vetes: “Ç’të duhet ty me kushërinjtë e tij, më e mira është t’i them njëherë.”
– “Ne jemi si dhelpra në fund të pusit, që po të hedhë dikush një kovë me ujë, dalim menjëherë,” – i thashë atij, duke shtuar edhe të gjitha ato që u kisha thënë dy miqve të mi. Ai e pranoi menjëherë ftesën time.
– “Unë u nisa sot dhe dua të vazhdoj rrugën, ja ku e kam edhe kafshën e transportit,” – i thashë.
U morëm vesh dhe e lamë të takoheshim në vendin e quajtur Jexhuxh. Kush mbërrinte i pari do të priste tjetrin. U nisëm atyre drejt agimit. Ende pa dalë mirë dielli, u takuam me njëri-tjetrin, siç e kishim lënë, në Jexhuxh. Vazhduam rrugën pa ndërprerje, deri kur mbërritëm në Hide. Atje u takuam me Amr bin Asin. – “Mirë se keni ardhur,” – na tha. – “Mirë se ke ardhur edhe ti,” – ia pritëm edhe ne.
– “Për ku jeni nisur kështu?” – na pyeti Amri.
– “Po ty ç’të ka shtyrë që e ke marrë këtë rrugë?” – i thamë ne, por edhe ai të njëjtën pyetje na bëri.
– “Kemi ardhur të pranojmë Islamin dhe t’i besojmë Muhamedit,” – iu përgjigjëm ne.
– “Edhe mua po i njëjti mendim më ka shtyrë që ta marr këtë rrugë,” – qe përgjigja e tij.
Kështu u bëmë bashkudhëtarë, sepse të gjithë rrugën e mbetur deri në Medinë e bëmë të pandarë nga njëri-tjetri. Kur erdhëm, me sa dukej Atë e lajmëruan menjëherë. Edhe Ai ishte kënaqur shumë për ardhjen tonë. Vesha menjëherë rrobat më të mira që kisha marrë me vete dhe u nisa duke ecur, të shkoja te Resulullahu. Doli të më priste vëllai im Uelidi, duke na thënë: – “Nxito! I Dërguari i Allahut ka marrë vesh se ke ardhur ti dhe është shumë i kënaqur; po ju pret!”
Aty i nxituam hapat. Shkova menjëherë pranë Tij. Më buzëqeshte pareshtur. Qëndrova mu përballë Tij; unë e përshëndeta atë ashtu siç përshëndeten profetët. E pranoi përshëndetjen tonë me atë buzëqeshjen e Tij aq të bukur. Unë i thashë: – “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, që të meritojë të adhurohet dhe nuk ka kurrfarë dyshimi që Ti je i Dërguari i Allahut.”
– “Eja, lëvduar qoftë Allahu që të udhëzoi ty në të drejtën. Të kam njohur përherë si njeri të zgjuar. Gjithmonë kam dashur që ajo mendje të të printe ty veçse kah më e mira!” – m’u përgjigj Ai.
– “O Resulallah, në çdo luftë që është bërë me Ty, unë kam parë se unë luftoja me të Drejtën më shumë nga inati. Lutju Allahut, që të m’i falë mëkatet që kam bërë.”
– “Me Islamin fshihen të gjitha mëkatet e bëra para pranimit të tij, o Halid. Megjithatë, mirë është që ju të vazhdoni t’i luteni Allahut që Ai t’ju falë!”
Nuk ma prishi dhe filloi të lutej: “O Zoti im! Falja Halid bin Uelidit të gjitha të këqijat e ato që ka bërë për t’i larguar njerëzit nga udha Jote!”[1]

[1] Ibni Kethir, el-Bidaje 4/238; el-Hindi, Kenzu’l-Ummal 13/352 (37024).

Postime të ngashme

%d bloggers like this: