Adhurimi i Profetit (s.a.s.) në netët e fundit të muajit të Ramazanit
Muaji i Ramazanit është i gjithi një muaj i begatë dhe në çdo ditë të tij gjenden mirësi të panumërta. Sidoqoftë, shohim se 10 ditët e fundit të këtij muaji kanë një vlerë edhe më të jashtëzakonshme. Netët e fundit të muajit Ramazan marrin një vlerë tepër të madhe, për arsye se në një prej këtyre netëve gjendet edhe nata e madhe e Kadrit, e cila është më e vlefshme se 1000 muaj, apo sa e gjithë jeta jonë. Kërkimi me ngulm i kësaj nate, duke i kaluar të gjitha netët me një përkushtim ndryshe, është një adhurim që e mësojmë edhe nga Profeti ynë Muhamedi (a.s). Teksa jemi në fund të muajit të Ramazanit dhe para nesh shohim vijën e përfundimit, atëherë duhet të shpejtojmë sa më shumë në adhurimet tona, duke i çuar ato në pikën më maksimale të mundshme.
Hz. Aishja (r.a) na tregon se Profeti (a.s) i kalonte zgjuar 10 netët e fundit të Ramazanit, e zgjonte familjen e tij për adhurim dhe e mblidhte shtratin në të cilin flinte. Këtu shohim qartë se ndaj këtyre 10 netëve, Profeti tregonte një përkushtim ndryshe dhe një nga qëllimet e kësaj ishte edhe mbërritja e natës së Kadrit, nata specifike e së cilës është mbajtur e fshehtë. Kur Profeti (a.s) e harroi natën në të cilën ishte ajo e Kadrit, ai i tha shokëve se kjo ndoshta ishte më mirë për ta. Urtësia e kësaj është në përpjekjen e njeriut në kërkimin me ngul të kësaj nate në të gjithë Ramazanin dhe më specifikisht në 10 netët e fundit të tij, duke i kaluar ato me më shumë adhurim.
Një nga metodat që Profeti ynë (a.s) përdorte për të rritur nivelin e adhurimit të tij në 10 netët e fundit të Ramazanit ishte edhe itikafi, qëndrimi mbyllur në xhami për një kohë të caktuar. Hz. Aishja na tregon se ai kishte bërë itikaf çdo vit në Medine dhe një herë që kishte qenë i sëmurë e kishte zëvendësuar atë në muajin e shevvalit. Çdo Ramazan kishte bërë itikaf në xhaminë e tij 10 netët e fundit të Ramazanit, ndërsa në vitin e fundit thuhet që kishte bërë itikaf 20 netët e fundit të muajit të Ramazanit. Itikafi është një nga sunnet e Profetit tonë të dashur dhe ky adhurim përmendet gjithashtu edhe në Kuranin Famëlartë.
Cili është kuptimi i fjalës itikaf dhe për çfarë na shërben itikafi në këto 10 netë të Ramazanit?
Fjala itikaf do të thotë të mbyllesh dhe të izolohesh në një vend të caktuar, specifikisht në një xhami, ku falet namazi me xhemat, apo edhe në një vend tjetër, i cili i është kushtuar këtij qëllimi. Itikaf do të thotë edhe t’ia dedikosh dhe kushtosh veten diçkaje, në këtë rast adhurimit ndaj Allahut të Lartësuar. Vetë Profeti (a.s) nuk caktoi ndonjë numër fiks për sa i përket ditëve që një person mund të bëjë itikaf, prandaj sipas disa dijetarëve minimumi i tij është një ditë, ndërsa sipas disa të tjerëve edhe një kohë më e shkurtër. Qëllimi kryesor i itikafit është rritja në maksimum e nivelit të adhurimeve tona, përkushtimi i plotë ndaj Allahut dhe largimi përkohësisht nga shqetësimet e jetës së kësaj bote.
Itikafi na shkëput për një kohë të caktuar nga shqetësimet dhe përditshmëria jonë, e cila shpeshherë nuk na lejon të përkushtohemi ndaj adhurimit të Zotit aq sa duhet. Besimtari në këtë kohë shkëputet nga kjo botë fizikisht dhe psikologjikisht. Përveç nevojave thelbësore, ai nuk duhet të dalë nga vendi i itikafit, duke qëndruar gjatë gjithë kohës në vendin e adhurimit. Shkëputja psikologjike bëhet duke i lënë mënjanë disa veprimtari ditore të zakonshme dhe duke synuar qëllimin e epërm të krijimit, njohjen dhe adhurimin e Zotit.
Dimensioni shpirtëror i itikafit është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. Kjo do të thotë që në ato ditë të caktuara në fokusin e besimtarit duhet të jetë zhvillimi sa më shumë i lidhjes së tij me Zotin, përmirësimi i vetes dhe ngritja e botës shpirtërore. Në itikaf janë të lejuara të gjitha adhurimet që bëhen edhe jashtë tij, siç është namazi, leximi i Kuranit, dhikri, lutja, etj. Besimtari që ka bërë nijet për t’u futur në itikaf, nuk do të thotë që e ka të ndaluar të qëndrojë dhe bisedojë për pak kohë me njerëzit e tjerë që mund të jenë bashkë me të, por duhet të tregohet shumë i kujdesshëm për disa gjëra. Ai nuk duhet ta shndërrojë këtë adhurim në një kohë të bukur të kaluar me shokë, duke u futur nëpër biseda të panevojshme, herë herë që mund të jenë edhe të dëmshme, siç është përgojimi apo gjëra të kësaj natyre.
Qëllimi i itikafit është përkushtimi maksimal në adhurim, duke bërë sa më shumë adhurime të mundemi. Ai është një mjet shumë i mirë për t’u afruar me Zotin, për të kërkuar natën e Kadrit me ngulm dhe për t’u pastruar nga çdo gjynah, nëpërmjet kërkimit të faljes dhe pendesës. Itikafi në netët e fundit të Ramazanit është një tregues shumë pozitiv për besimtarin dhe shfrytëzimin nga ana e tij e muajit të Ramazanit, sepse është pikërisht mbyllja e këtij muaji. Profeti (a.s) na tregon se përfundimi dhe mbyllja me sukses e punëve është një shenjë shumë e mirë për besimtarin. “Punët janë sipas përfundimit të tyre.” Zoti dëshiron që kur besimtari bën një vepër të mirë, ta përsosë atë.