A thuhet “Bismil’lah…” kur bëhet lutje? Si duhet të bëhet lutja?

Nuk ka ndonjë rregull të mbështetur mbi një urdhër që lutjet të nisin me “Bismil’lah…”. Ne jemi të urdhëruar të bëjmë “Bismil’lah” kur nisim të këndojmë Kuran. Megjithatë, kam mendimin se nuk ka ndonjë pengesë që edhe lutjet të nisin kështu. Në fakt, meqë në të përgjithshmen e rregullit, sipas të cilit çdo punë e dobishme duhet nisur me “Bismil’lah”, hyn, gjithsesi, edhe një punë e dobishme si lutja, mundemi të themi se nisja me “Bismil’lah” në lutje është sunet, këshillë dhe traditë e mirë.

Sa për mënyrën se si duhet bërë lutja, ato çka na janë këshilluar për këtë gjë, shkurtimisht janë këto:

E para: Ta falënderojmë dhe lartësojmë Zotin me një dëshirë që buron prej zemre ose, siç themi shqip, me tërë zemrën, nga thellësitë e zemrës![1]

Ja, për shembull, mund të themi kështu: “Zoti im, Ti je krijuesi i qiejve e i tokës! Ti e di se ç’kam në zemër! Ti ma ke shtruar në zemër besimin dhe sigurinë! Ti ma mbush zemrën me dëshirë e ma përgatit qysh tani xhenetin tim! Prapë Ti e bën bilbilin të këndojë, lulen të çelë ngjyra-ngjyra e të lulëzojë!”, etj. Numërimi i gjërave që janë e ndodhin në natyrë, mrekullitë e panumërta që shohim në gjithësi, duke ia atribuuar që të gjitha Zotit me një stil ku të ndihet mahnitja dhe përulja e thellë ndaj Krijuesit, këto pra, janë falenderim e lartësim i Zotit, gjë të cilën e shohim vazhdimisht në lutjet e të Dërguarit të Allahut.

E dyta: Ta përmendim Profetin tonë duke iu lutur Zotit për t’i falur atij mëshirë e paqe. T’i dërgojmë atij përshëndetje. Për këtë, në terminologjinë fetare ka formulime të caktuara. Njëra prej këtyre dhe më e shkurtra, është: “Alejhi selam!” Kuptimi i kësaj është kështu: “Paqja (shpëtimi) qoftë mbi Të!” Kjo shkruhet shkurt dhe në kllapa menjëherë pas emrit të tij, (a.s.). Kurse formulimi tjetër, por më i gjatë është ky: “Sal’lallahu alejhi ue sel’lem!” “Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Të!” Kjo shkruhet shkurt me iniciale kështu: (s.a.s.).

Kjo është e njëjtë si të përshëndesnim, duke trokitur në një portë, të zotin e asaj porte, atë që mban çelësat e saj. Lutja nga zemra për Profetin tonë nga të gjithë myslimanët dhe sa herë që ta përmendim emrin e tij, do të thotë krijimi i një atmosfere nderimi e respekti të thellë për të dhe një lutje e tillë e bërë sinqerisht, pa asnjë dyshim që do të pranohet. Njëkohësisht, shoqërimi i lutjes sonë që i drejtojmë Zotit me një qëllim të caktuar, me përshëndetjen për Profetin e nderuar, do të thotë vënie e asaj lutjeje nën garanci.

E treta: Të bëhet lutja pa ndjerë dhe shfaqur lëkundje as sa grimca se ajo ka për t’u pranuar në mënyrë absolute prej Zotit si dhe, me kushtin e pandarë të lutjes, duke e bërë atë me përgjërim të thellë e me pamje të përulur, për shembull, krejt si të ndodheshe në mes të detit pasi të të jetë mbytur anija, i kapur vetëm në një copë dërrase, duke e pasur krejtësisht të qartë se s’ke asnjë shpëtim përveç ndihmës së Zotit, me një nënshtrim absolut ndaj Tij… Kështu i duhet drejtuar Zotit dhe kjo duhet të jetë fryma e lutjes, principialitet dhe sinqeritet…

Të mendosh se lutja nuk të është pranuar, është kategorikisht e gabuar. Po qe se lutja është bërë sipas kushteve të saj, absolutisht pranohet. Vetëm se cilësia dhe niveli i pranimit mund të mos jenë të njëjta me atë që e mendojmë ne. Disa herë, meqë ajo çka kërkojmë nuk është për të mirën tonë, gjë që s’mund ta dimë që më parë, Zoti na fal jo atë që kërkojmë, por atë që në fakt nuk e kërkojmë. Dhe disa herë, lutja jonë pranohet për llogari të jetës sonë të pastajme. Prandaj, është shumë e rëndësishme të bëhet lutje me mendimin se lutjet e bëra do të pranohen në mënyrë absolute!

E katërta: Lutja duhet përfunduar përsëri me përshëndetje për Profetin (a.s.).

Lutja është shprehje e një adhurimi të kulluar, e frymës së nënshtrimit të robit ndaj Zotit. E thënë ndryshe, robi, duke njohur dobësinë, varfërinë dhe pamundësinë e vet, i drejtohet portës së Zotit që zotëron fuqi, mundësi dhe pasuri të pafundme, drejtpërdrejt, pa ndërmjetësi dhe i kërkon diçka.

Dhe një tjetër specifikë e rëndësishme mbi të cilën duhet qëndruar me këmbëngulje, është kjo:

Nëse këmbëngulet disa herë, me anë të lutjes, shkaqet elementare bien (mënjanohen) dhe Zoti e pranon lutjen. Sepse edhe të gjitha shkaqet, gjithashtu, janë në dorën e Tij të fuqishme. Ai zotëron fuqinë për të krijuar çdo gjë dhe në trajtën që dëshiron. Mjafton që lutja të bëhet brenda një vetëdijeje të tillë dhe të kihen kujdes momentet e duhura për një lutje të rregullt.

Postime të ngashme