A nuk të vjen turp?!

Tregohet një histori për një person i cili shkoi tek Ibrahim b. Ed’hemi dhe i tha:

-O Imam dua të pendohem dhe t’i braktis gjynahet, por përsëri kthehem dhe i veproj ato. Më trego diçka që të më mbrojë nga gjynahet.

Ibrahimi i thotë:
– Nëse të shkon mendja të bësh gjynah, mos e bëj mbi tokën e Allahut.

Ai i habitur e pyet:

– Po si është e mundur kjo, kur ne të gjithë e dimë se e gjithë toka është pronë e Allahut.

Ibrahimi i thotë:

– Nëse e di që e gjithë toka është pronë e Allahut, si mundesh të bësh gjynahe mbi tokën e Tij. Nëse dëshiron të bësh ndonjë gjynah dhe të shkelësh ligjet e Allahut, atëherë mos ha nga furnizimi i Tij.

– Po si të jetoj unë o imam?

Ibrahimi ja kthen:

– A nuk të vjen turp të hash nga rrizku i Allahut dhe shkel ligjet e Tij, në një kohë që të ka dhënë kaq të mira.

Imami sërish i thotë:

– Nëse dëshiron patjetër të kundërshtosh urdhrat e Allahut, bëje në ndonjë vend tjetër ku nuk të sheh Allahu.

– Po ku ta gjej unë atë vend o imam, pasi Allahu është në çdo vend me shikimin dhe dijen e Tij, Ai di çdo gjë që ndodh.
– A nuk të vjen turp prej Allahut që të sheh në çdo moment dhe vend ku ti ndodhesh dhe çfarë do që të bësh?

– Nëse dëshiron të bësh ndonjë gjynah, kur të vijë Meleku i vdekjes thuaji më prit sa të pendohem!
– Po kush e ka diçka të tillë në dorë o imam?

Ibrahimi ja ktheu:

– A nuk të vjen turp! Mund të vdesësh duke vepruar gjynahe, nëse do të vijë Meleku i vdekjes dhe ti je duke vepruar kundër ligjeve të Allahut.

Nëse kërkon përsëri të bësh gjynahe, kur të vijnë Zebanijet (rojet e xhehemit)  dhe të çojnë drejt zjarrit, thuaji atyre se nuk pranoj të vij me ju. Nëse nuk e ke këtë mundësi, atëherë bëje tani, largohu nga gjynahet.

Nëse dëshiron të bësh gjynahe, shiko mëshirën dhe mirësinë e Allahut ndaj teje që të mësosh ndjenjën e të pasurit turp prej Allahut.

Përgatiti: Marius Tafani 

©URTËSI.AL

 

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: