A mund të debatosh në emër të fesë?
Me fjalën debat kuptojmë diskutimin e zjarrtë midis dy personave, ku argumenti i njërit bie poshtë dhe tjetri fiton. Qëllimi i të dy debatuesve është mposhtja e kundërshtarit me argumente dhe askush nuk futet në një debat me qëllimin për të humbur. Kur flitet për fenë, debati nuk është diçka e pëlqyeshme, madje bëhet i ndaluar kur nuk ke autoritetin për të folur, argumentet përkatëse dhe një qëllim të caktuar.
Imam Maliku nuk e pëlqente debatin, madje largohej nga personat që debatonin me njëri-tjetrin në emër të fesë. Ata i konsideronte si sprovë dhe theksonte se debati nuk ka të bëjë asgjë me këtë fe.
Imam Ragib el-Isfahani ka thënë: “Debati është i papëlqyeshëm për dijetarët dhe i ndaluar për njerëzit e thjeshtë.”
Më poshtë do të përmendim një thënie të njohur të Imam Shafiut dhe qëndrimin e tij ndaj kësaj çështjeje.
“Asnjëherë nuk debatoj me dikë me dëshirën ta dëgjoj atë të thotë gabim, ose të fitoj ndaj tij. Kurdo që të përballem me kundërshtarin në debat, unë lutem në heshtje – “O Zot, ndihmoje atë që e vërteta të rrjedhë nga zemra dhe nga gjuha e tij, dhe nëse e vërteta është në anën time, ai të më ndjekë; dhe nëse e vërteta është në anën e tij, unë ta ndjek atë.”