A ka ndonjë përfitim prej dhimbjeve?
Askush nuk i pëlqen dhimbjet, por ndonjëherë dëshira për t’u larguar prej tyre i vështirëson edhe më shumë gjërat. Ajo kthehet në një formë të dhimbjes mendore, e quajtur edhe si ankth. Me disa dhimbje është e nevojshme të përballemi, kështu që është më mirë të mësojmë se si të përfitojmë prej tyre. Po, brenda dhimbjeve mund të ketë përfitime shumë të mëdha.
Aq shqetësuese sa dhimbjet janë, ato mund të jenë një eksperiencë e bukur, kur bindesh se në sajë të tyre po pastrohesh nga gjynahet. Durimi i paktë në çaste të tilla, sjell shpërblime pafund. Dhimbjet gjithashtu na mësojnë të jemi më të lumtur, duke i vlerësuar më mirë mirësitë e gjendjes normale.
Dhimbjet mund të jenë ato që sjellin ndryshim në jetën tonë. Në kohë të mira askush nuk mendon për ndryshim dhe progresi njerëzor ka qenë përpjekje për të gjetur zgjidhje ndaj problemeve.
Njeriu duhet ta kuptojë që çdo dhimbje e jetës së kësaj bote është e përkohshme dhe një ditë do të përfundojnë. Nëse njeriu nuk beson, dhimbja e tij më e madhe do të jetë ndarja nga kjo botë, vdekja. Nëse beson në një botë tjetër, atëherë do të përballojë me sukses çdo dhimbje, duke shpresuar shpërblimin e tyre në jetën e vërtetë.