Durimi qëndron në thelb të çdo mirësie

Durimi

Durimi është një prej cilësive më të rëndësishme që mund të arrijë njeriu. Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë sesa durimi. Ai qëndron në thelb të çdo virtyti, është baza e çdo suksesi dhe arritje. Allahu i Lartësuar e ka vendosur brenda kësaj cilësie, ndihmën, mbrojtjen, dashurinë, suksesin dhe udhëzimin e Tij. E cilësoi atë prej shenjave të vendosmërisë dhe e krahasoi me gradët më të larta të besimit dhe Islamit. Ai premtoi se do t’i dhurojë të duruarve shpërblimin e pamasë.

Durimi është cilësia më e rëndësishme që mund të zotërojë njeriu. Ajo është arma më efektive për të përballuar vështirësitë dhe sfidat e jetës. Për më tepër, pa durim nuk arrihet asnjë gjë. Durimi është përkufizuar si largpamësi dhe përballim i situatave. Nëse do të vështrojmë me kujdes çdo mirësi dhe virtyt, do të shohim se në themelin e tyre qëndron durimi.

Ndershmëria është durim ndaj ruajtjes së nderit. Toleranca është durim ndaj zbrazjes së zemërimit. Trimëria është durim ndaj shuarjes së zjarrit të luftës. Falja është durim ndaj ndjenjës së hakmarrjes. Bujaria është durim ndaj ndjenjës së koprracisë. Puna është durim ndaj ndjenjës së dembelizmit dhe dobësisë. Për këtë arsye mbërritja në gradët e larta janë të lidhura të gjitha me durimin.

Nuk është për t’u çuditur që Allahu u premtoi të duruarve ndihmën e Tij dhe tha: “Vërtet Allahu është me të durueshmit.” Premtoi që shpërblimin do t’ua jepte atyre me një metodë të veçantë dhe tha: “Padyshim, të duruarve do t’u jepet shpërblimi pamasë.”

Durimi është një moral dhe sjellje që mësohet, ai nuk buron nga natyrshmëria jonë. Shikoje fëmijën e vogël që vazhdimisht insiston dhe nuk ka durim. Ai pret që t’i plotësohen të gjitha nevojat dhe dëshirat e tij menjëherë. Durimi është produkt i rritjes dhe edukimit në shtëpi, shkollë dhe shoqëri. Më pas është vendimi i njeriut, që të lartësohet në gradët e durimit.

Durimi është përmendur në Kur’anin e Madhërishëm vetëm se në kontekstin pozitiv. Ai është durimi i përpjekjes, këmbënguljes dhe rezistencës. Ky lloj durimi sjell edhe ndryshimin. Durimi kur merret me kuptimin e tij pozitiv është një mjet efektiv i ndryshimit dhe zhvillimit. Ky është durimi që fton Kur’ani, ku thotë: “Duro, ashtu siç duruan profetët e vendosur.”

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: