A është lajmëruar ardhja e profetit Muhamed (a.s) në Teurat dhe Ungjill?
I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi Të!) është një profet për ardhjen e të cilit qe njoftuar shekuj më parë, saqë gjithë bota ishte në pritje të tij. Allahu i Lartësuar e kishte bërë atë (Paqja qoftë mbi Të!) pejgamberin e fundit dhe e pati dërguar për të gjithë njerëzimin pa përjashtim. Për këtë arsye, prej çdo të dërguari më herët kishte marrë fjalën se popujt e tyre do ta besonin, do t’i bindeshin dhe do ta ndihmonin profetin e fundit.
Prej Aliut të nderuar dhe Ibn Abasit përcillet kështu në lidhje me këtë çështje: Allahu, ashtu sikurse pati marrë fjalën prej çdo profeti se do ta besonte dhe ndihmonte profetin Muhamed (Paqja qoftë mbi Të!) nëse do ta arrinte, i pati urdhëruar ata që të merrnin fjalën për të njëjtën gjë prej popujve të tyre: që edhe ata do ta besonin dhe ndihmonin profetin e fundit nëse do ta arrinin kohën e tij. Allahu i kishte bërë të ditura me hollësi cilësitë e atij profeti në librat e pejgamberëve të shkuar.
Fakti që “Ithtarët e Librit” (hebrenjtë dhe të krishterët) ishin në dijeni të ardhjes së Profetit (Paqja qoftë mbi Të) është i provuar në dorëshkrime. Por librat e shenjtë, përveç Kuranit, u janë nënshtruar ndryshimeve të shumta. Megjithatë, pavarësisht gjithë falsifikimeve, kur bëhet studimi i tyre me imtësi, mund të vihen re shumë cilësi dhe shenja që tregojnë për Muhamedin e nderuar.
Veçoritë, madje edhe emri i Vulës së Profetëve, Muhamed Mustafait (Paqja qoftë mbi Të), që janë njoftuar në librat e mëparshëm (Teurati dhe Ungjilli) janë larguar nga origjinali përmes përkthimit nga një gjuhë në tjetrën; ndonjëherë në mënyrë të qëllimshme. Në ditët e sotme ka nga ata priftërinj që me një logjikë të paanshme kanë shqyrtuar Teuratin dhe Ungjijtë aktualë dhe pasi kanë gjetur shenja dalluese të Profetit (Paqja qoftë mbi Të) në to, i janë dorëzuar të vërtetës duke u kthyer në myslimanë.
Kemi shumë prova që tregojnë se hebrenjtë e dinin që i Dërguari i Allahut ishte me të vërtetë profet. Librat historikë bien në një mendje për këtë pikë. Përpara Islamit, mes arabëve të Medines dhe hebrenjve që jetonin prej kohësh si fqinj me ta, herë pas here ndizeshin zënkat. Kur mundeshin, hebrenjtë thoshin: “Është afruar koha e ardhjes së një profeti që do të vërtetojë ato që themi ne. Duke u bashkuar me të ne do t’ju vrasim siç qenë shfarosur popujt e Adit dhe Iremit.” Pas kësaj i luteshin Zotit për hir të fytyrës së pejgamberit që do të shfaqej në kohën e fundit: “O Zoti ynë! Na ndihmo ne me pejgamberin e Kohës së Fundit, me atë profet që e kemi parë të përshkruar me të gjitha cilësitë në Teurat!” Por hebrenjtë prisnin që me të ardhur profeti i fundit të bashkohej me ta, nën udhëheqjen e tij të mundnin arabët, të bëheshin sundimtarë të botës. Më pas, duke qenë se Profeti nuk i shërbeu kauzës së tyre, luftoi racizmin dhe shpalli vëllazërimin mes njerëzve, e armiqësuan me vetëdije të plotë.