Cili është ilaçi i shqetësimit?
Shqetësimi në ditët e sotme është bërë shoqëruesi më besnik i njeriut, që nuk largohet asnjëherë prej tij. Por a është një shqetësim i dobishëm? Përkundrazi, shqetësimi është një shoqërues mjaft i keq për njeriun, madje e ka bërë atë aq të verbër, saqë vetë njeriu edhe pse nuk e do, nuk mundohet ta largojë, ose ndoshta nuk di si ta largojë.
Por po të mendojmë thellë, patjetër që ka zgjidhje. Zgjidhja më e efektshme është padyshim përmendja e Allahut. Zoti thotë në Kuran: “Më kujtoni Mua, që t’ju kujtoj Unë juve”. Shpeshtojini veprat e mira dhe do të shihni që shqetësimi do të largohet vetë, pa e kuptuar dhe ju do të ndiheni shumë më mirë.
Për ta larguar shqetësimin, lexoni Kuranin dhe atëherë brenda jush do të mbizotërojë një qetësi shpirtërore e pakrahasueshme. T’i përkujtosh vetes që nuk do të marrësh asgjë nga kjo botë, të ndihmon të mos shqetësohesh dhe të mos biesh pre e kësaj bote.
Mendo që s’je i vetmi që shqetësohesh, madje ka edhe më keq se ti, andaj buzëqeshi jetës, sepse ajo është shumë e bukur për ta harxhuar me shqetësime të kota.