Mënyrat dhe llojet e shpalljes hyjnore

Në koleksionin e imam Buhariut përfshihet edhe hadithi të cilin e transmeton Aishja r.a. se Harith bin Hishami e ka pyetur të dërguarin e Allahut: Si të vjen shpallja ty? I Dërguari i Allahut iu përgjigj: Nganjëherë më vjen sikur zëri i ziles dhe ky lloj është më i vështirë për mua, pasi që t’i kem kushtuar kujdes atij se çka tha. Nganjëherë më paraqitet meleku në formë të njeriut, më flet e unë i kushtoj kujdes se çka më thotë.

Hadithi në fjalë tregon mënyrën praktike të zbritjes së shpalljes, kurse mënyrat të cilat përmenden në hadith janë:

1) Shpallja i zbret të Dërguarit në formë shushurime të zërit, ose si tingujt e ziles. Kjo mënyrë është më e vështirë, më e rëndë për të Dërguarin.

2) Meleku vjen në formën e njeriut dhe i flet atij fjalë me lejen e Allahut xh.sh.

Muhamedi a.s., gjatë zbritjes së shpalljes (gjatë frymëzimit), haste në vështirësi, skuqej, ngushtohej, lodhej. Kjo gjë ishte normale, sepse ai ishte i vetëdijshëm se prej kujt inspirohej, me kë bisedonte, kush ishte Dërguesi i tij dhe i asaj që po i dërgohej atij. Sesa ndiente lodhje Muhamedi a.s. pas zbritjes së shpalljes, pas frymëzimit, këtë më së miri na e përshkruan Aishja r.a.h., e cila thotë: E kam parë të Dërguarin duke i zbritur atij shpallja në ditën më të ftohtë të dimrit, kur i ndërpritej, vetullat e tij ishin të përmbushura me djersë.

Postime të ngashme