Respekti dhe ndihma ndaj të moshuarve

Profeti Muhamed (s.a.s) ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk i mëshiron të vegjlit dhe nuk tregon respekt për të moshuarit!”

Një normë themelore e edukatës është respektimi i më të mëdhenjve, më të moshuarve. Në thelbin e saj qëndron vlerësimi për përvojën më të pasur jetësore të të rriturve, për kujdesin që ata tregojnë për më të rinjtë e të vegjlit, për ndihmën që u japin atyre.

Në këtë respekt, krahas vlerësimit duhet të ketë edhe mirënjohje dhe falënderim. Mirënjohja është një nga cilësitë më të mira që mund të ketë një qytetar i ndershëm. Ajo tregon se njeriu është i vetëdijshëm për rolin e tij në këtë botë, por nuk harron edhe rolin e të tjerëve, pa të cilët ai s’do t’ia dilte dot. Mendimi i thellë të shpie të sillesh mirë ndaj më të mëdhenjve, t’i respektosh për hir të moshës e përvojës së tyre të gjatë të jetës.

Është kërkuar e me të drejtë kërkohet që të madhin ta respektosh kudo, madje edhe pa e njohur, qoftë edhe në rrugë si kalimtar, t’i lëshosh radhën e vendin, sidomos po të jetë i moshuar e veçanërisht plak, ta ndihmosh për çdo nevojë që të ketë, ta dëgjosh me vëmendje e ta falënderosh për këshillën.

Nëse respektojmë më të mëdhenjtë, japim për më tepër edhe një shembull të mirë për brezat që do të vijnë pas nesh. Është provuar tashmë se të rinjtë mësojnë më tepër nga veprimet e të rriturve, sesa nga fjalët e tyre. Veprimi është ai që ngulitet thellë në mendjen e shpirtin e tyre, për t’i dhënë rezultatet në ditën kur ato priten prej tyre. Respekti ndaj më të mëdhenjve është një nga vlerat më të mëdha që një shoqëri mund të ketë dhe mund të ruajë.

Postime të ngashme