Duke pasur parasysh se të gjithë profetët janë shfaqur në Gadishullin Arabik, ç’drejtësi ka në marrjen në përgjegjësi besimore e vepruese të njerëzve që jetojnë në zonat e tjera ku nuk janë dërguar profetë?

Kjo pyetje ka dy aspekte: e para, profetët dolën vetëm në Gadishullin Arabik; e dyta, nuk ka drejtësi në ndëshkimin e popujve të cilëve nuk iu dërgua profet.

Tani le t’i trajtojmë me radhë secilin nga këto dy aspekte. Vetëm se është e dobishme, madje e domosdoshme, të ndalemi më parë për të tërhequr pak vëmendjen rreth pozicionit që zë profeti midis njerëzve.

Profetësia është një post tejet i lartë. Ajo është një degë e lartësisë esenciale të njeriut, e varur nga i Vërteti te populli dhe, brenda natyrës, gjuha dhe ndjesitë e qenies që përjeton trashëgimin e natyrës. Aty gjallon një zgjedhje, lartësim, por ka edhe ngarkim me detyrë. Siç ndodh me gjenitë, Profeti nuk është vetëm një mendje e lartë, vetëm një kapacitet që ndikon mbi sendet dhe ndodhitë. Ai është njeriu-horizont i këndshëm, në bashkëveprim të përhershëm me engjëjt, i cili valëvitet vazhdimisht e në çdo valëvitje shënon një nivel të ri lartësimi, i cili pret zbërthimin e çështjeve që lartësohen përtej qiejve, nga frymërat hyjnore, i cili konsiderohet si pika e bashkimit të materies me botën përtej saj.

Tek ai, lënda është e kushtëzuar ndaj shpirtit, mendja ndaj zemrës; në botën e konsideratës, të emrave e të atributeve (të Zotit) hapi është kudo ku mund të ketë arritur konsiderata dhe bashkë me të…

Te Profetët, ndjenjat kanë mugulluar gjer tek ai sythi më i vogël; shikimi, dëgjimi dhe njohja janë lartësuar përtej kufijve natyrorë. Ashtu siç nuk ekziston mundësia për të shpjeguar atë që shohin ata me anë të valëve elektromagnetike të lartësive të ndryshme, ashtu edhe s’është e mundur të shpjegosh me valët e zërit atë që ata dëgjojnë. Sidomos brenda dimensioneve tona të analizë-sintezës. Aty, askujt nuk do t’i bjerë për pjesë të përvetësojë njohuritë që cenojnë kornizën e natyrës së tyre.

Njerëzimi mund ta zbulojë materien duke marrë njohuri për vetë ekzistencën me anë të tyre. Jashtë kuadrit të udhëzimit dhe aftësimit praktik të tyre, kurrë nuk qe e mundur një njohje e shkëlqyer e materies dhe e ndodhive, e aq më pak si dhe një ndërhyrje e qëlluar në natyrë e kurrë nuk mund të bëhet…

Mësimi i parë i tyre është që t’i dhurojmë njeriut të fshehtën e natyrës dhe ligjet hyjnore që kryejnë funksionet brenda saj. Ky është mësimi i posaçëm për fillestarët. Kurse përtej kësaj, njoftimi i botës ekzistente, i Emrave e i Atributeve që dëshmojnë ekzistencën e Krijuesit të Lartë, maturi dhe kritere në lidhje me Individualitetin që nuk mund të perceptohet, vetëpërgjegjësi tek gjërat më të imta…

Po të mos ishin deklaratat e qarta të Profetëve mbi Zotin e Vullnetit dhe Fuqisë së Mrekullueshme, që i mban të gjitha botët nën kontroll, që e zbaton fjalën dhe urdhrin e Tij që prej molekulave deri te nebulozat, që i përshkon nga trajta në trajtë e nga forma në formë, rreth titujve dhe veçorive që do t’i ngarkoheshin, nuk do të ishte e mundur as të thuhej ndonjë fjalë të drejtë për të, as të mendohej drejtë.

Kjo do të thotë se Profeti, duke hyrë në brendësinë e gjërave e të ndodhive, ashtu siç na jep neve një mësim mbi jetën, njëkohësisht që na tregon për Krijuesin e Mrekullueshëm, me emrat dhe atributet e Tij, duke respektuar lidhjen e fshehtë dhe përshtatshmërinë delikate midis vetes dhe Individualitetit të Lartë.

Derisa kemi të bëjmë me një situatë të tillë, nuk duhet quajtur e mundur që të ketë mbetur ndonjë kontinent a fragment i kohës pa u nderuar me ardhjen e dritës së ndonjë profeti. E si do të mund të quhej? Jashtë kuadrit të rrugës së tyre të drejtë, përsa i përket botës ekzistente, deri më tani nuk ka qenë e mundur as dhe të jepet një konkluzion i qartë, madje as të dilet prej atmosferës plot mjegull dyshimi, lëkundjeje dhe kontradiksioni të filozofisë.

Në esencë, mendja, urtësia dhe Kurani, bashkërisht përforcojnë idenë se çdo kontinent dhe çdo epokë ka qenë nën drejtimin e një profeti…

Fakti që edhe në muzeun më të vogël ose në panairin më të thjeshtë ndihet nevoja e protokollarëve dhe e ciceronëve, madje edhe në vendet ku shëtitet e vizitohet me anë të një udhëzuesi e katalogu, me mungesën e një udhëzuesi a katalogu nuk do të kishte kuptim as ardhja, as shëtitja e vizita, argumentojnë kategorikisht se edhe për të treguar këtë pallat të mrekullueshëm të gjithësisë, për t’ua përshkruar atë vizitorëve që do të vijnë për t’u mahnitur prej tij, për të tërhequr vëmendjen e vizitorëve që do të vijnë të mahniten me të, për të tërhequr vëmendjen drejt pikave më të imta të saj dhe për t’ua zbërthyer atyre enigmat e kësaj bote, ekziston nevoja e lajmëtarëve dhe e protokollarëve.

Veçanërisht, Krijuesi që ka kompozuar këtë rregull dhe këtë harmoni, këtë ekspozitë dhe këtë kalim në regjistrim, që i ka ekspozuar gjërat në formën më të shkëlqyer në trajtën e një panairi dhe që ka kërkuar t’ua bëjë të njohur veten shikuesve me anë të të gjitha punëve dhe veprave të Veta, a është e mundur që t’i hapë këto ekspozita, t’i tregojë veprat e Veta, të tërheqë vëmendjen e shikuesve, dhe pas kësaj, të mos ua bëjë të njohur Individualitetin e Vet, atributet dhe emrat e Vet shikuesve të dëshiruar, me anë të disa personave të veçantë e të zgjedhur duke i zhvlerësuar sakaq, Zoti na ruajttë, punët e Tij plot urtësi?! Ta vërë veprimtarinë e Tij marramendëse nën fajin e mungesës së kuptimit ?! Qenia e Lartë që na tregon urtësitë dhe qëllimet e Veta me anë të çdo gjëje, të transformuar në gjuhë dhe tingull, është absolutisht i pastër nga çdo lloj kotësie dhe përsosmërisht i shenjtë!

Mbetet të themi se Kurani, si deklaratë e Vetë Atij Individualiteti, flet për Profetë që kanë dalë në çdo vend dhe në çdo anë të tokës. “Për të vërtetën e Madhështisë Sonë, Ne i dërguam çdo populli nga një profet me ftesën që t’i bëhen rob Zotit dhe të largohen nga adhurimi i idhujve.”[1] Por ç’e do që njerëzimi, më vonë, e pati harruar mësimin që pati marrë nga këto qenie të larta, duke u zhytur në perversitete, duke hyjnizuar profetët dhe personat e lartë saora u kthyen në as më shumë e as më pak, por në idhujtarët e vjetër.

Nga Olimpi grek e deri në Lumin Gang, ekzistojnë një tufë statujash të totemizuara nga imagjinata njerëzore, të tilla që, nga pikëpamja e sotme, kanë ndryshime me kuptimin e tyre të origjinës.

Është e pamundur të shikosh Konfucin e Kinës, as edhe Brahmanin e Budën e Indisë në mjedisin ku u rritën as edhe ato çka ata i përftuan njerëzimit. Është mjaft e vështirë të përcaktosh se sa i kanë larguar nga e vërteta, konsiderata njerëzore dhe koha që rrafshon e shuan çdo gjë

Po qe se Kurani Fisnik, me deklaratën e tij që shkatërron çdo dyshim[2], nuk do të na e bënte të njohur Isain (alejhi selam), nuk do të ishte e mundur të gjendej e të nxirrej një Mesih i saktë midis koncepteve të ngatërruara priftërore, brenda konsideratave pagane që gjallojnë mes gjysmë-errësirës së mureve të kishës.

Dedikimi i Lartësisë së njeriut dhe personifikimi i Individualitetit të Lartë, sjellja në dogmë si çështje primare e kontradiktës edhe tri, edhe një, janë tallje ndaj mendjes dhe logjikës si dhe paturpësia më e madhe që mund të bëhet ndaj Zotit.

Në ditët tona, me traditat rituale dhe adhurimet kristiane të nxjerra nga vraga, me qoshket dhe tempujt, nuk ndihet asnjë ndryshim serioz në formë me idolatrinë e Romës së Vjetër dhe Greqisë së Lashtë. Pa u marrë në konsideratë deklarata shpjeguese dhe ndriçuese e Kuranit, për çdokënd që do të shihte Kishën dhe gjithçka ndodh brenda saj, do të ishte mjaft e vështirë të dallonte Hz. Mesihun (a.s.) nga Apolloni.

Duke u nisur nga momenti dhe gjendja e sotme në të cilën i ka sjellë Krishtërimi Librat dhe Profetët e vet –Krishtërimi, që i përket një periudhe kaq të afërt të kohës së sotme – mund të themi se kushedi se sa Mesihë u katandisën e u dërrmuan mes dhëmbëve të frikshëm të kohës! Me ç’kemi mësuar nga një informacion i shëndoshë, ekziston një fjalë profetike[3] shumë e rëndësishme lidhur me faktin se detyrën e profetëve do ta vazhdonin pas tyre apostujt, ndërsa pas tyre, një pjesë trashëgimtarësh, që me kalimin e kohës do të përmbysnin çdo gjë. Po, si pasojë e kësaj, shohim sot se ekzistojnë sa e sa fe në gjendje bestytnie, ashtu që, duke qenë të ardhura nga një bazë e pastër, nga burimi i revelacionit, me anë të injorancës së njerëzve të hyrë në to si dhe të pangopshmërisë së armiqve, janë shndërruar sot pothuajse në një grumbull gërmadhash, madje me të gjitha bazat e tyre parimore.

Megjithatë, është mjaft e fuqishme mundësia që fetë me pikëpamje bestyte që kanë bartur deri në ditët tona ekzistencën e tyre, të kenë pasur në shumicën e tyre një bazë të shëndoshë dhe se është krejt e domosdoshme që çdo periudhë të ketë mbajtur emrin e një profeti.

T’i thuhet profet atij që s’është profet, konsiderohet blasfemi njëlloj sikur të mohohej misioni profetik i një profeti. Vetëm se, me shembullin e krishtërimit, ku ne u përqendruam, njeriut s’i vjen për mbarë të mos shohë me dyshim burimin e budizmit si dhe të mos e shqyrtojë brahmanizmin me kujdes. Madje pandeh se kërkimi përtej asaj filozofie, që ngec në sa e sa vende,të Konfucit, si dhe veprimi duke llogaritur interpretimin ndryshe të shamanizmit, konsiderohen si një qëndrim i mençur.

Askush nuk nguron në faktin se, pavarësisht nëse nga këto (fe) del ujë i kthjellët apo një lagështirë e turbulluar, në gjendjen e sotme asnjëra prej tyre nuk zotëron ndonjë identitet të veçantë. Koha dhe ngjarjet kanë ndikuar aq shumë mbi to, disa herë duke i fshirë e disa herë duke i transformuar me anë të shtresave të reja, saqë, po të supozojmë se themeluesit e tyre do të ktheheshin prapë, nuk do të mund ta njihnin fenë që vetë e patën sjellë.

Sa e sa të tjera, të korrigjuara, ka në botë? Shumë. Megjithatë nuk duhet të harrojmë se është shumë e domosdoshme të pranohet pastërtia në themelin e një pjese të madhe të tyre. Së pari, Kurani, duke thënë: ”Nuk ka një popull në mes të të cilit të mos jetë dërguar një profet” [4], jep një konkluzion mbarënjerëzor. Ç’e do se ne, nga profetët e shfaqur në të gjitha anët e njerëzimit, nga të cilët, sipas një njoftimi, rreth 124 mijë[5], njohim vetëm 28 prej tyre. Dhe, për shumicën mes tyre, nuk zotërojmë kurrfarë njohurie se kur dhe ku kanë jetuar.

Në thelb, nuk ekziston ndonjë përgjegjësi për të njohur të gjithë profetët që kanë ardhur e shkuar. Duke u shprehur “Të treguam ty për një pjesë prej tyre përmes ngjarjesh, kurse një pjesë nuk ta treguam” [6], Kurani na tërheq vëmendjen duke na thënë se nuk do të përqendrohemi mbi ata, për të cilët Ai nuk ka treguar..

Është e vërtetë kjo që, në shqyrtimet historiko-fetare, filozofike dhe antropologjike, bie në sy se edhe në bashkësitë ose popullatat tejet të largëta nga njëra tjetra, ekzistojnë një numër i madh pikash të përbashkëta. Kështu, te të gjithë vihet re ecuria nga shumësia drejt njësisë; duke lënë çdo gjë mënjanë përballë marrëdhënieve qëndresë-dorëzim. Vihet re një hapje duarsh në formë lutjeje drejt një rezidence të lartë; në kalimin në marrëdhëniet me ngjarje që i tejkalojnë caqet fizike, një qëndrim dhe sjellje e përbashkët; të gjitha këto bëjnë shenjë gjithmonë për të njëjtin burim dhe për të njëjtin mësues. Nga banorët vendas të ishujve Kanarie e deri te Majatë, nga lëkurëkuqtë gjer te kanibalët, madje edhe në traditat dhe këngët fetare, shihet gjithmonë i njëjti dekor me të njëjtat ngjyra, ndihet gjithmonë e njëjta thirrje dhe i njëjti ritual…

Hulumtimet e Prof. Dr. Mustafa Mahmudit rreth dy fiseve primitive, janë duke e përforcuar ndjeshëm këtë çështje. Siç shprehet ky studiues, fisi Mavmav i besojnë një hyjnie të quajtur Muxhaj. Ky zot, në Individualitet dhe në veprim, është një. Nuk ka lindur kënd dhe nuk është i lindur prej askujt. Nuk ka as shok dhe as të ngjashëm. Nuk shihet, nuk dihet, dhe njihet vetëm me anë të veprave të veta. Edhe për fisin Nejam-nejam, ose Maja, na përcjell gjëra të ngjashme me opinionin që ai ka arritur për Mavmavët: ekziston një zot çdo gjë ndodh me urdhrin e tij, që çdo gjë që gjendet në pyll, ai e vë në lëvizje me vullnetin e vet, që njerëzve të prapë e të dëmshëm u dërgon shkëndija rrufeje, dhe mendojnë se ky zot është Ai, pra i Adhuruari Absolut!

Dihet se midis konsideratës mbi Zotin tek këta fise dhe konceptit të Individualitetit të Lartë në Kuran, pothuajse nuk ka kurrfarë ndryshimi. Madje, do të ishte me vend të thoshim se Mavmavët shprehin të njëjtën përmbajtje që bart dhe surja Ihlas e Kuranit.

Këto fise primitive kaq larg qytetërimit dhe jashtë sferës së ndikimit të profetëve që njohim ne, derisa ende nuk njohin as ligjet më të thjeshta të jetës, si do ta arrijnë ata konsideratën më të thellë e më të kulluar për Allahun? Kjo do të thotë se deklarata sipas së cilës “Çdo komb ka një të dërguar, dhe kur vjen ai, midis njerëzve gjykohet me drejtësi e askush nuk dëmtohet”[7], është një e vërtetë mbarënjerëzore dhe asnjëri prej kontinenteve nuk ndodhet jashtë sferës së përgjithshme të kësaj të vërtete. Gjëra të ngjashme me ç’përcjell Dr. Mustafa Mahmudi, më pati përshkruar edhe profesori i matematikës, Dr. Adil nga Kejruku, me të cilin gjeta rastin të njihesha në vitin 1968. Në vitet kur ai po përgatiste doktoratën e tij në Amerikë, duke u takuar shpesh me banorët vendas (autoktonë), i përshkruante kështu disa situata që e kishin mahnitur së tepërmi: vendasit kryenin mes vedi rite që i përputheshin plotësisht besimit monoteist dhe shpallnin se Zoti nuk ha, nuk pi, nuk ndikohet nga koha, madje, përsërisnin se çdo gjë që ndodhte në gjithësi, pa dallim, i bindej vullnetit të tij. Akoma më tej, ata flisnin për një sërë atributesh selbi dhe vuxhudi, gjë që është krejtësisht e pamundur të shpjegohet ky nivel i lartë në mendimin e tyre po të krahasohet me jetesën e egër dhe nomade që ata bëjnë.

Kjo do të thotë se nga Lindja në e Perëndim, madje në qoshet më të largëta të botës, ky unitet besimi dhe konsiderate mund të shpjegohet vetëm me anë të përfaqësuesve të dërguar nëpër ato vende prej Zotit të gjithësisë. Sepse kurrë nuk është e mundur t’ua dedikosh këtë besim monoteist kaq të ekuilibruar të Mavmavëve, Nejam-nejamëve ose Majave, vetë atyre, gjersa ata gjenden të zhytur brenda një primitiviteti të tillë, që as filozofët më të mëdhenj nuk kanë mundur ta konceptojnë. Kjo do të thotë se Mëshiruesi i Amshuar, që nuk lë pa drejtues as bletën dhe milingonën, nuk e ka lënë as qenien njerëzore pa profet; me anë të tyre u ka shpërndarë shkëlqime kohëve e vendeve dhe sakaq ka ndriçuar njerëzimin.

Dhe tani të shqyrtojmë pjesën e dytë të pyetjes suaj, çështjen nëse do të ndëshkohen apo jo njerëzit që nuk u ka ardhur asnjë profet.

Më së fundi, në pjesën e parë pamë se toka në asnjë kohë nuk ka mbetur e privuar nga drita profetike. Edhe nëse kohë pas kohe është ndjerë një thatësirë kalimtare, menjëherë pas saj janë derdhur lumenj mëshire. Për pasojë, çdo individ pak a shumë e ka ndjerë këtë mëshirë, e ka shijuar dhe sakaq ka arritur ngopjen shpirtërore. Por sa keq që në ato vende ku korrigjimi ka qenë i menjëhershëm, dhe brenda një periudhe kalimtare, ka ardhur shpejt dhe e ka mbytur atë vend në errësirë. Mirëpo gjithnjë, pas çdo errësire ka ardhur një ndriçim dhe pas çdo ndriçimi, një errësirë, edhe atyre të mbeturve në errësirë jashtë vullnetit të tyre, i Drejti u ka dhënë sihariqin e mëshirës: “Ne nuk dënojmë asnjë popull, pa u dërguar atyre më parë një profet.”[8]. Kjo, si fillim, do të thotë paralajmërim, pastaj përgjegjësi, e më pas ndëshkim ose mëshirë…

Në të vërtetë, imamët e akaidit mendojnë pak ndryshe. Për shembull, Imam Maturidiu dhe përkrahësit e tij thonë se, duke patur në gjithësi me mijëra argumente, secili një libër më vete, nuk mund të justifikohet ai që s’njeh Zotin. Kurse Esh’aritë, për meritimin e ndëshkimit marrin për bazë ajetin “Ne nuk do të ndëshkojmë pa dërguar profet”.[9]

Ka edhe nga ata që interpretojnë pikëpamjet e të dy imamëve. Nëse dikush nuk ka parë asnjë profet, dhe as nuk ka kryer kurrfarë adhurimi ndaj idhujve, duke kryer sakaq një blasfemi, patjetër që është nga të shpëtuarit. Sepse, mes njerëzish ka të tillë që, ashtu siç nuk janë të aftë për asnjë lloj analize dhe sinteze, nuk kanë mundësi të nxjerrin asnjë kuptim nga vëzhgimi i gjërave dhe i ndodhive. Për pasojë, një të tilli i rrëfehet udha e drejtë, pastaj, sipas sjelljeve, i jepet ndëshkimi ose shpërblimi.

Por nëse një njeri e përvetëson blasfeminë si një profesion tijin, zhvillon filozofinë e saj dhe me vetëdije të plotë i shpall luftë Allahut, sikur të ndodhet edhe në skajin më të largët të botës, do të vuajë ndëshkimin e mohimit e të blasfemisë së vet.

Si përfundim, mund të themi se, ashtu siç ka ndonjë kontinent bosh, pa asnjë profet të dërguar nga Zoti, po ashtu nuk ekziston asnjë periudhë ndërmjetëse, e gjatë, në të cilën të mos ketë ardhur profet. Pothuajse çdo njeri, në çdo periudhë, e ka marrë pak a shumë pjesën e vet nga flladi i ëmbël i një profeti. Kurse në vendet ku emri i profetëve është harruar krejtësisht dhe veprat ua ka fshirë koha, gjersa të dërgohet një Profet i dytë, ajo kohë është quajtur periudhë ndërmjetëse dhe është pohuar se njerëzit e saj do të falen nga ndëshkimi. Mjafton që të mos biesh në mënyrë të vetëdijshme në mohimin e Zotit të Gjithëdijshëm.

Të drejtën e çdo gjëje e di Ai, që, me diturinë e Tij mbështjell tërë materien!

[1] Sureja Nahl, 36.

[2] Shih: Sureja Maide 72-73, 116-117; Sureja Nisa, 171.

[3] Muslim, iman 80; ibn Hanbel, el Musned 1/458,461.

[4] Sureja Fatir, 24.

[5] Shih: Ahmed ibn Hanbel, el Musned, 5/265; ibn Hibban, sahih 2/77; Hakim, el Mustedrek 2/652.

[6] Sureja Nisa, 64; Sureja Mu’minun, 78.

[7] Sureja Junus, 47.

[8] Sureja Isra, 15.

[9] Po aty.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: