Cila është urtësia e zbritjes së Kuranit në 23 vite?

Fillimisht duhet të qartësojmë se nëse Kurani do të kishte zbritur në një herë të vetme nuk do të reshtnin pyetjet se pse ai nuk zbriti pak nga pak në një periudhë të shtrirë kohe. Në çështje të tilla, njeriu duhet t’i dorëzohet gjykimit të Allahut (xh.sh) dhe ta pranojë atë ashtu si është, përndryshe pyetjet nuk do të kenë fund; Pse janë pesë vakte namaz? Pse janë kaq rekat? Pse xhumaja është caktuar ditën e premte? Pse zekati është 1/40? etj…

Pasi qartësojmë se ky ka qenë një vendim hyjnor, nuk ka ndonjë problem nëse shohim se cila është urtësia e këtij gjykimi për të nxjerrë mësime. Në fakt ka shumë urtësi ndër të tjera:

1) Gradualizimi në kurimin e veseve të shoqërisë. Shoqëria ku zbriti Kurani duhej të ishte shembull për të gjithë njerëzimin deri në Ditën e Kiametit, por në kohën kur zbriti Kurani ajo shoqëri ishte e zhytur në vese të cilat ishin bërë pjesë e karakterit të tyre. Zëvendësimi i këtyre veseve me morale dhe virtyte të larta në një moment të vetëm, binte ndesh me natyrën njerëzore dhe ata njerëz nuk do t’i përballonin dot të gjitha ndalesat dhe urdhëresat e ardhura me Kuranin. Prandaj për t’i çrrënjosur këto vese dhe për të ngulitur moralet kuranore, Allahu (xh.sh) e zbriti Kuranin në 23 vite dhe duke ndjekur metodën e gradualizimit i shërbeu gjykimet e reja si të përtypshme për shoqërinë. Kështu na mëson edhe neve që të sillemi me njerëzit kur ata i ftojmë në fenë e Allahut (xh.sh).

2) Përforcimi i zemrës së Profetit (alejhi selam) dhe shokëve të tij. Këtë arsye Allahu (xh.sh) e shpjegon Vetë në një ajet kuranor: “E ata që nuk besuan thonë: “Përse të mos i ketë zbritur atij Kurani menjëherë?” (Ai nuk ka zbritur) kështu që me të, të forcojmë zemrën tënde.” (Furkan: 32)

3) Lehtësimi në të kuptuarit dhe memorizuarit të Kuranit. Mësimi menjëherë përmendësh i një libri prej 600 faqesh do të ishte shumë i vështirë në mos i pamundur. Për të parandaluar këtë gjë Allahu e zbriti Kuranin pjesë-pjesë. Ai shprehet kështu në ajetin 106 të sures Isra: “Dhe Kuranin e ndamë pjesë-pjesë për t’ua lexuar njerëzve dalëngadalë.”

4) Rregullimi i ngjarjeve dhe ndodhive. Sa herë ndodhte diçka që priste zgjidhje nga Krijuesi, zbriste ajet nga Kurani përmes të cilit caktohej dispozita e asaj ngjarjeje dhe ndodhie. P.sh. ajete 11-15 të sures Nur në lidhje me pastërtinë e Aishes (r.a), ajeti 118 i sures Teube ku tregohet pranimi i pendesës së Ka’b b. Malik (r.a) etj.

5) Vërtetimi se Kurani është fjalë dhe mrekulli e Allahut. Përmes përgjigjeve ndaj pyetjeve të bëra nga mosbesimtarët dhe ithtarët e librave të mëparshëm vërtetohej se Kurani është fjalë e Allahut dhe mrekulli e Tij.

Në zbritjen e Kuranit në 23 vite mund të ketë shumë urtësi por ne po mjaftohemi vetëm me këto.

Postime të ngashme