Allahu nuk është i kufizuar në vend dhe kohë; si duhet kuptuar që Ai u ngrit në Arsh?
Në Kuranin Famëlartë ka disa ajete kuptimi i të cilave është i paqartë, këto ajete quhen “muteshabih”. Në lidhje më këto ajete, dijetarët janë ndarë në dy grupe kohore:
1)Dijetarët e hershëm (selef), të cilët kanë preferuar të mos thonë gjë për këto ajete, duke thënë se kuptimin e vërtetë të tyre e di vetëm Allahu.
2)Dijetarët e vonshëm (halef), të cilët duke u nisur nga shtimi i pyetjeve të tilla e kanë parë të nevojshme t’i japin një shpjegim logjik duke u bazuar në parimet bazike të besimit Islam.
Allahu ka krijuar edhe Arshin, edhe Kursijin, edhe kohën edhe vendin. Prandaj, Ai nuk mund të kufizohet nga krijesa të tij. Në këtë kuadër dijetarët e vonshëm, halefët kanë analizuar nga ana gjuhësore fjalët e përdorura në ajetin “Er-Rahmanu alal arshi isteua.” (Taha: 5)
Ata thonë se fjala “isteua” ka 3 kuptime gjuhësore: 1)barazohet me, 2)sundon dhe 3)ulet, sheshohet. Kuptimet “barazohet me dhe ulet, sheshohet” nuk mund të përshtaten madhështinë e Allahut (xh.sh) pasi ai vetë thotë: “Allahu nuk ka askënd të ngjashëm.” (Shura: 42). Kështu kuptimi më i përshtatshëm me madhështinë e Allahut (xh.sh) është se Ai e sundoi Arshin. Këtë shpjegim dijetarët e mëvonshëm e kanë dhënë vetëm në rast pyetjeje për të qartësuar mendjen e njerëzve. Kuptimin e vërtetë të saj e di vetëm Allahu.
Në mënyrë që ky ajet të mos keqkuptohet dhe në të njëjtën kohë kuptimi i tij të mos ngushtohet vetëm në një nga aspektet e veta, shohim se përkthyesi i njohur i Kuranit, Hasan Nahi e ka përshtatur kështu në shqip: “I Gjithë mëshirshmi mbi Fron u ngrit (ashtu si i takon Madhërisë së Tij)”.