Kush janë bartësit e Kur’anit?

Sipas shpjegimit të dijetarëve të parë, bartës i vërtetë i Kur’anit nuk është vetëm ai që e lexon drejt Kur’anin apo e nxë atë përmendësh, por leximit i bashkëngjit edhe veprimin. Lidhur me këtë, personi që e lexon Kur’anin në përputhje me të gjitha rregullat e tij, por nuk vepron sipas porosive të Kur’anit, nuk konsiderohet bartës i tij.

Po, më tepër sesa leximi apo mësimi përmendësh i Kur’anit, ka rëndësi të kuptosh përgjegjësinë e të qenët nxënës dhe shërbyes i tij. Shërbyesit më të mëdhenj të Kur’anit ishin sahabët. Praktika e tyre ishte mësimi i dhjetë ajeteve bashkë me kuptimin e tyre. Më pas vepronin sipas asaj që kishin kuptuar dhe vetëm pas praktikimit të tyre në jetë, kalonin të mësonin dhjetë ajete të tjera.

Sot, është shumë e rëndësishme t’i kthehemi me seriozitet leximit të Kur’anit dhe përpjekjes për të nxjerrë mësime nga ai. Njeriu kur lexon Kur’an, nuk duhet të tregohet i pavëmendshëm ndaj tij, duke u mjaftuar vetëm me leximin e fjalëve, pa depërtuar në kuptimin e tyre. Profeti (a.s) ka thënë: “Kur’ani është argument pro ose kundra teje.”

Ai do të jetë argument dhe ndërmjetësues, kur ne ta lexojmë si duhet, me përpjekjen për ta kuptuar mesazhin dhe për ta vepruar atë. Ai do të jetë argument kundra nesh, kur ne ta lexojmë dhe më pas ta kundërshtojmë me veprimet tona. Leximi i Kur’anit duhet t’i kalojë grykët tona dhe të depërtojë në zemra, në mënyrë që të japë ndikimin e kërkuar.

Postime të ngashme