Surja Alak-96

Interpretimi i Sures Alak – 96

بِسمِ اللَّهِ الرَّحمٰنِ الرَّحيمِ

اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ (1) خَلَقَ الْإِنْسَانَ مِنْ عَلَقٍ (2) اقْرَأْ وَرَبُّكَ الْأَكْرَمُ (3) الَّذِي عَلَّمَ بِالْقَلَمِ (4) عَلَّمَ الْإِنْسَانَ مَا لَمْ يَعْلَمْ (5) كَلَّا إِنَّ الْإِنْسَانَ لَيَطْغَى (6) أَنْ رَآهُ اسْتَغْنَى (7) إِنَّ إِلَى رَبِّكَ الرُّجْعَى (8) أَرَأَيْتَ الَّذِي يَنْهَى (9) عَبْدًا إِذَا صَلَّى (10) أَرَأَيْتَ إِنْ كَانَ عَلَى الْهُدَى (11) أَوْ أَمَرَ بِالتَّقْوَى (12) أَرَأَيْتَ إِنْ كَذَّبَ وَتَوَلَّى (13) أَلَمْ يَعْلَمْ بِأَنَّ اللَّهَ يَرَى (14) كَلَّا لَئِنْ لَمْ يَنْتَهِ لَنَسْفَعًا بِالنَّاصِيَةِ (15) نَاصِيَةٍ كَاذِبَةٍ خَاطِئَةٍ (16) فَلْيَدْعُ نَادِيَهُ (17) سَنَدْعُ الزَّبَانِيَةَ (18) كَلَّا لَا تُطِعْهُ وَاسْجُدْ وَاقْتَرِبْ (19

Shqipërimi

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!

  1. Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka).
  2. Krijoi njeriun prej një pikëze gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës).
  3. Lexo! Se Zoti yt është më Bujari.
  4. Ai i mësoi (njeriut) të përdorë Penën.
  5. I mësoi njeriut atë që njeriu nuk e dinte,
  6. Por, njeriu i kalon (të gjitha) caqet,
  7. Sepse kujton se është i pavarur.
  8. Por, për te Zoti yt është kthimi.
  9. A e ke parë atë që ndalon?
  10. Një rob që kërkon të falet?
  11. Ç’mendon, kur ai (robi) është në Rrugë e Drejtë?
  12. Ose kur ai (robi) urdhëron për devotshmëri (tekua)?
  13. A më tregon nëse ai e mohon të Vërtetën dhe i kthen shpinën asaj?
  14. A nuk e di ai se Allahu e sheh?
  15. Jo, jo! Nëse nuk tërhiqet, vërtet Ne do ta tërheqim zvarrë për ballukesh.
  16. Për ballukesh gënjeshtare, mëkatare.
  17. E ai le t’i thërrasë për ndihmë ata të vetët.
  18. Ne do t’i thërrasim engjëjt e ndëshkimit të merren me të.
  19. Jo, jo! Ti mos iu bind atij, vazhdo me sexhde dhe afroju Zotit sa më afër.

 

Kjo sure e ka marrë emrin nga fjala “Alak” në ajetin e dytë që ka kuptimin pikëz gjaku e ngjizur (në mitrën e nënës). Po ashtu quhet edhe surja “Ikrra” që ka kuptimin lexo, fjalë e cila kalon në ajetin e parë. Ka 19 ajete dhe nuk ka asnjë kontestim që ka zbritur në Meke. Por, ka mosmarrëveshje nëse kjo është surja e parë e zbritur në Kuran ose jo?

Në bazë ajetesh, 5 ajet e para të sures Alak janë ajetet e para të zbritura në Kuran. Ndërsa, surja e parë e zbritur e plotë është surja Fatiha. Surja Fatiha, edhe pse e zbritur pas ajeteve të zbritura në suret Alak, Muddethir, Muzemil është surja e parë e zbritur e plotë. Në bazë suresh, surja Fatiha është surja e parë e zbritur në Kuran, ndërsa në bazë ajetesh, 5 ajetet e para të sures Alak janë ajetet e para të zbritura në Kuranin Fisnik.

Surja trajton këto tema:

  1. Fillimin e shpalljes (uahj) Profetit Muhamed (sal’la llahu alejhi ue selem) dhe theksohet rëndësia e leximit, shkrimit dhe vlera e dijes.
  2. Mosmirënjohja kundrejt Allahut (xh.sh) e mosbesimtarëve që pasurohen dhe kundërshtimi i urdhrave të Allahut (xh.sh).
  3. Pengimi që i bënte Ebu Xhehli dhe shokët e tij Profetit Muhamed (sal’la llahu alejhi ue selem) kur falte namaz dhe dënimi i tyre në botën tjetër.

Interpretimi (Tefsir)

                                اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ

  1. Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka).

Pra, me emrin e Tij të Lartë, lexo duke filluar me emrin e Tij të lartë “Allah”. Fillo të lexosh. Lexo me emrin e Tij, Zotit, i cili të krijoi ty dhe çdo gjë tjetër.

Kjo është shprehja e parë hyjnore drejtuar Profetit Muhamed (sal’la llahu alejhi ue selem). Në këtë fjali bëhet thirrje për lexim, shkrim dhe dije. Sepse, dija është simbol i Islamit.

                                          خَلَقَ الْإِنْسَانَ مِنْ عَلَقٍ

  1. Krijoi njeriun prej një pikëze gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës).

عَلَق është shumësi i fjalës  عَلَقَة‎. Fjala alak ka disa kuptime të ndryshme.

Sipas disa dijetarëve të tefsirit kjo fjalë ka këtë kuptim: shumësi i pikëzës së gjakut që formohet pas fekondimit të spermës vezën. Por, fjala Alak mund të ketë edhe kuptimin e një prej proceseve të fekondimit deri në krijimin e fetusit. Gjatë këtij procesi ndodhin disa të vërteta shkencore, të cilat janë: 1. (Mesatarja e shkarkimeve të derdhjes së spermës nga 40 – 150 milion) të cilat notojnë në rrjedhën e sipërme në drejtim të tubave fallopiane në misionin e tyre për të fekonduar një vezë. 2. Nëse qeliza sperme takon dhe penetron një vezë, ajo do të fekondojë vezën. Kur ndodh fertilizimi, ndryshimet ndodhin në sipërfaqen e vezës për të parandaluar spermat e tjera nga penetrimi. Në momentin e fekondimit, përbërja gjenetike është e plotë, duke përfshirë edhe gjininë e foshnjës. 3. Veza e fekonduar fillon ndarjen me shpejtësi, duke u rritur në shumë qeliza. Ajo e lë tubën fallopiane dhe hyn në mitër tri apo katër ditë pas fekondimit. 4. Pas implantimit, disa qeliza bëhen placentë përderisa disa të tjera bëhen embrion. Zemra fillon rrahjet gjatë javës së pestë. Truri i bebes, palca kurrizore, zemra dhe organet tjera fillojnë të formohen. Në javën e tetë të zhvillimit të bebes, tanimë të quajtur fetus, është 1.6 cm.[1]

Si përfundim; kjo fjalë që kuptimin “ngjizës, që kapet dhe rri varur“, shpreh se përmendja e krijimit nga një ngjizje, ka për qëllim vënien në vëmendje të krijimit të njeriut nga një qelizë e ngjitur në muret e mitrës.

 

          اقْرَأْ وَرَبُّكَ الْأَكْرَمُ (3) الَّذِي عَلَّمَ بِالْقَلَمِ (4) عَلَّمَ الْإِنْسَانَ مَا لَمْ يَعْلَمْ (5)

3-5 “Lexo! Se Zoti yt është më Bujari. Ai i mësoi (njeriut) të përdorë Penën. I mësoi njeriut atë që njeriu nuk e dinte.”

Ai është që na e mësoi shkrimin me laps dhe na fiksoi dije me anë të tij. Përndryshe, njeriu i krijuar prej gjakut të ngjizur nuk dinte as penë e as shkrim. Ai (xh.sh), ashtu siç i mësoi njeriut të pafuqishëm dhe të paaftë shkrimin duke i dhënë atij aftësi dhe penë, mëson edhe pa pasur nevojën e ndonjë mjeti, pra uehbi (dhuratë nga Allahu).

Allahu (xh.sh) ashtu siç na mëson me laps, pra me anë të një mjeti, Profetit Muhamed (sal’la llahu alejhi ue selem) që s’dinte shkrim e këndim ia mësoi shkrimin e këndimin pa asnjë mjet. Duke na treguar se Profeti s’ka nevojë që të dijë shkrim për të lexuar dhe duke na treguar se edhe shkrimi me laps është një dhuratë prej Allahut (xh.sh), e nxit umetin (popullin e Profetit Muhamed sas) drejt shkrimit dhe këndimit.

Ajetet nga 1-5 kanë zbritur në periudhën kohore kur Profeti Muhamed (sal’la llahu alejhi ue selem) ishte tërhequr për adhurim në shpellën Hira, gjatë muajit të Ramazanit. Aishja (r.a) e transmeton këtë ngjarje kështu:

“Engjëlli më kapi e më shtrëngoi fort, derisa nuk kisha më fuqi. Më lëshoi dhe më tha ‘Lexo!’. ‘Unë nuk di të lexoj’, i thashë. Më shtrëngoi për herë të dytë, derisa nuk kisha më fuqi dhe më tha sërish ‘Lexo!’. ‘Unë nuk di të lexoj’, i thashë. Më kapi sërish, më shtrëngoi për herë të tretë më lëshoi e më tha: ‘ Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka). Krijoi njeriun prej një pikëze gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më Bujari. Ai i mësoi (njeriut) të përdorë Penën. I mësoi njeriut atë që njeriu nuk e dinte!’ [2]

Ashtu siç sqarohet në transmetim, nëse këto janë ajetet e para të Kuranit, këto duhet të kenë zbritur në një natë Ramazani. Sepse në suren Bekare ajeti 186 tregohet se Kurani zbriti në muajin e Ramazanit, po ashtu në suren Kadr ajeti 1: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit.” dhe, po ashtu, në suren Duhan ajeti 3:  “Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar.” Duke u bazuar në këto tre ajete, kuptohet që Kurani ka zbritur në një natë të muajit të Ramazanit.

Siç mund të kuptohet nga vazhdimi i kontekstit, urdhri “Lexo” është rreth leximit të asaj që ka zbritur. Pra, O Muhamed! Lexo Kuranin që të është zbritur, lexo me emrin e Zotit tënd, lexo duke kërkuar ndihmë prej Zotit. Ose “Lexo me emrin e Zotit tënd, lexo për Krijuesin tënd.”[3]

Në vijim, Allahu (xh.sh) për të treguar arsyet e krekosjes dhe ekstremizmit të njeriut thotë:

 

                       كَلَّا إِنَّ الْإِنْسَانَ لَيَطْغَى (6) أَنْ رَآهُ اسْتَغْنَى (7)

6-7. Por, njeriu i kalon (të gjitha) caqet, sepse kujton se është i pavarur.

Pjesa tjetër e sures, pas 5 ajeteve të para kuptohet që ka zbritur pas një kohe të gjatë. Transmetohet se shkaku i zbritjes të jetë Ebu Xhehli (babai i injorancës). Në transmetimin e Ibn Abas’it (r.a) që gjendet tek Buhariu dhe Tirmidhiu thuhet:

“Ebu Xhehli tha: Nëse e shoh Muhamedin të falet në Qabe do t’ia shtyp kokën.”[4]

Sipas disa interpretuesve të Kuranit, ajeti i drejtohet sërish Profetit (sal’la llahu alejhi ue selem) me kuptimin “Mos u shmang nga leximi o Muhamed!”

                       كَلَّا إِنَّ الْإِنْسَانَ لَيَطْغَى (6)

  1. Por, njeriu i kalon (të gjitha) caqet.

Njeriu i kalon të gjitha caqet, shkon në ekstrem, e mohon Krijuesin e tij dhe u bën dëm krijesave.

 

                       أَنْ رَآهُ اسْتَغْنَى (7)

  1. Sepse kujton se është i pavarur.

Për arsye se e shikon veten si të pavarur prej asgjëje, sikur ta kishte arritur qëllimin e tij final, duke e parë veten në gradën e të pasurve, ai i kalon të gjitha caqet. Por, në fakt, është Allahu (xh.sh) Ai që ia ka dhuruar atij : pasurinë, mallin, nderin, prestigjin dhe gjërat e tjera që i përkasin kësaj bote. Në vend të falënderimit, ai kundërshton dhe mohon. Për rrjedhojë, asnjëherë mos e shiko veten si të pasur, lexo me emrin e Zotit tënd, lexo vazhdimisht, silli urdhrat në vend.

Sepse;

                    إِنَّ إِلَى رَبِّكَ الرُّجْعَى (8)

  1. Por, për te Zoti yt është kthimi.

Ky ajet tregon për ahiretin (botën e pasme). Njeriut që,  Allahu (xh.sh) i ka dhënë mirësi pa fund e ai i kalon të gjitha caqet, i kujton faktin se ai një ditë do të kthehet tek Krijuesi i tij dhe do të japë llogari për veprat e kryera. Ky ajet i drejtohet të Dërguarit të Allahut (sal’la llahu alejhi ue selem) .

Sipas disa dijetarëve të tjerë, ky ajet është i përgjithshëm, u drejtohet të gjithë njerëzve. Ky ajet dhe pjesa tjetër deri në fund të sures janë për Ebu xhehlin (babain e injorancës). Ka zbritur pas një kohe të gjatë pas zbritjes së 5 ajeteve të para. Ebu Xhehli krekosej me pasurinë e tij dhe kalonte në ekstremizëm në armiqësinë ndaj Profetit tonë të dashur (sal’la llahu alejhi ue selem). Këtu nuk merret për bazë specifika e shkakut por përgjithësimi i fjalisë. Pra, ajeti flet për të gjithë ata duke filluar nga Ebu Xhehli e të cilët do të vijnë deri në ditën e gjykimit.

Pra, surja duke e treguar si shembull atë që pasuria e bën të krekoset e të mburret thotë në vijim:

                          أَرَأَيْتَ الَّذِي يَنْهَى (9) عَبْدًا إِذَا صَلَّى (10)

 9-10. A e ke parë atë që ndalon? Një rob që kërkon të falet?

أَرَأَيْتَ “E rraejte?”, a e pe? Pra, “A nuk e shikon?”, me një shprehje që të tërheq vëmendjen. Me kuptimin: Më njofto çfarë ideje apo mendimi ke! Duke qenë se është një pyetje retorike këtu nuk ka si qëllim për me u informuar por me tërheq vëmendjen, sepse Allahu (xh.sh) normalisht që di gjithçka. A e shikon këtë që duke menduar se është i pasur i kalon të gjitha caqet? Pra, O Muhamed! Ose, O Njeri shiko! Shiko se si e ndalon një rob të shkëlqyer që falet. Ç’guxim dhe ç’kalim caku i madh, të ndalosh një rob pikërisht se fal namaz. Ai e ndalon, sepse, e cilëson veten si të pasur dhe të vetëmjaftueshëm.

Shumica e dijetarëve kanë thënë se, robi që falet është Muhamed (sal’la llahu alejhi ue selem) dhe se penguesi është Ebu Xhehli.

SHKAKU I ZBRITJES

Transmeton Ebu Hurejre: “Ebu Xhehli sa herë që e shihte Profetin të falte namaz betoj për Lat’in dhe Uzen se do t’ia shtypte kokën. Kur e pa Profetin (s.a.s) të falej, i shkon pranë për të kryer atë për të cilën u betua. Por, u tërhoq mbrapa duke vendosur duart para për t’u mbrojtur. Kur e pyesin se “Ç’ka ndodhi”, ai u thotë se midis meje dhe Atij ka një zjarr, një krijesë të tmerrshme dhe disa flatra.”[5]

I Dërguari i Allahut (sal’la llahu alejhi ue selem) thotë: “Nëse do të më afrohej engjëjt do ta bënin atë copë-copë.”[6] Pas kësaj ngjarjeje Allahu (xh.sh) zbriti këto ajete.

Gjithashtu nga ky ajet kuptohet që: Allahu i Lartë, pas dhënies së profetësisë Muhamedit (sal’la llahu alejhi ue selem) i mëson Atij edhe faljen e namazit. Në asnjë ajet të Kuranit nuk flitet rreth mënyrës së faljes së namazit. Për rrjedhojë, kjo tregon se Profetit Muhamed (sal’la llahu alejhi ue selem) i janë edhe urdhra të tjerë që nuk gjenden në Kuranin Famëlartë.

أَرَأَيْتَ إِنْ كَانَ عَلَى الْهُدَى (11) أَوْ أَمَرَ بِالتَّقْوَى (12)

11-12. Ç’mendon, kur ai (robi) është në Rrugë e Drejtë? Ose kur ai (robi) urdhëron për devotshmëri (tekua)?

Pa mendo njëherë! O njeri i krekosur që e privon robin nga falja e namazit! Eh sikur ai robi të ishte në rrugë të drejtë dhe i udhëzuar, ose sikur të lartësohej bashkë me të duke i këshilluar edhe të tjerët për devotshmëri, që t’i druhen Allahut (xh.sh) dhe të ndalojnë nga keqja. A s’do të ishte më mirë?!

Ose me një shprehje tjetër: O Muhamed! Tani që e pe atë njeri të krekosur që ndalon nga namazi, pa mendo njëherë: Sa mirë do të ishte sikur ai të mos krekosej e të mos ndalonte nga namazi, ose në vend që të ndalonte nga namazi të këshillonte për mirë duke u druajtur prej Allahut (xh.sh). Ai akoma se ka kuptuar se Allahu e shikon atë, apo jo?

Në ajet kuptojmë që, një njeri që Allahu e ka udhëzuar, ashtu siç ai nuk e kundërshton Allahun dhe ka frikë prej Tij, po ashtu duhet t’i këshillojë edhe të tjerët që të druhen prej Allahut dhe t’i binden urdhrave të Tij. Sipas ajetit, atë që janë të udhëzuar dhe falin namaz, në rast se nuk këshillojnë për devotshmëri, do të thotë se kanë një mangësi serioze.

                               أَرَأَيْتَ إِنْ كَذَّبَ وَتَوَلَّى (13)

  1. A më tregon nëse ai e mohon të Vërtetën dhe i kthen shpinën asaj?

Po ashtu, edhe në këtë ajet ka dy mundësi komentimi dhe ajeti sërish i drejtohet Profetit Muhamed (sal’la llahu alejhi ue selem): “A nuk e shikon, ose, a e pe o Muhamed! Ti je në rrugë të drejtë dhe këshillon për mirë. Ndërsa, ai i krekosuri ndalon nga namazi dhe përgënjeshtron të vërtetën, dhe me këtë përgënjeshtrim mohon të vërtetën. A është mirë kështu?!”

Meqë i drejtohet atij të krekosurit, ka këtë kuptim: “O ti i krekosur që e ndalon robin nga namazi! Nëse ai robi të dëgjon ty dhe e përgënjeshtron të vërtetën, nuk fal namaz por vepron të kundërtën, a do të ishte mirë ashtu?!”

                أَلَمْ يَعْلَمْ بِأَنَّ اللَّهَ يَرَى (14)

  1. A nuk e di ai se Allahu e sheh?

    كَلَّا لَئِنْ لَمْ يَنْتَهِ لَنَسْفَعًا بِالنَّاصِيَةِ (15) نَاصِيَةٍ كَاذِبَةٍ خَاطِئَةٍ (16)

15-16. “Jo, jo! Nëse nuk tërhiqet, vërtet Ne do ta tërheqim zvarrë për ballukesh. Për ballukesh gënjeshtare, mëkatare[7]“. [8]

نَّاصِيَة “nesije”, ka kuptimin e flokëve të ballit, balluke. Shprehja “nasijetin kedhibe” balluke gënjeshtare, ka kuptim të figurshëm. Sepse, ai që kryen mëkate dhe përgënjeshtron të vërtetën është vetë poseduesi i ballukeve.

                           فَلْيَدْعُ نَادِيَهُ (17)

  1. E ai le t’i thërrasë për ndihmë ata të vetët.

Nadi, vjen nga fjala “ned’ue” me kuptimin e atij që i thërret dhe njofton njerëzit për ndonjë mbledhje apo diçka tjetër. Kuvendi ku mblidheshin Kurejshët para ardhjes së islamit quhej “Derru Ned’ue”. Nadi ka kuptimin e grupit që merr pjesë në kuvende të tilla si; kuvende qejfesh dhe dëfrimi, kongrese, parlament etj.

                                        سَنَدْعُ الزَّبَانِيَةَ (18)

  1. Ne do t’i thërrasim engjëjt e ndëshkimit të merren me të.

زَّبَانِيَ, زَّبَانِيَةَ Zebani, Zebanije, janë engjëjt e ndëshkimit, të cilët janë të sertë dhe të pamëshirshëm.

Sipas transmetimit Profeti Muhamed (sal’la llahu alejhi ue selem) po falej në Qabe, tek vendi i Ibrahimit (a.s). Aty vjen Ebu Xhehli dhe i thotë: “O Muhamed! A s’të kam ndaluar që të falesh aty?” Profeti (s.a.s) kur e dëgjoi këtë iu përgjigj ashpër. Ebu Xhehli pyeti: “Me ç’ka më kërcënon O Muhamed? Unë jam ai që ka më shumë njerëz këtej rrotull.” Fill pas kësaj ngjarjeje Allahu (xh.sh) zbriti këto ajete. Ibn Abas shprehet kështu: “Nëse ai do t’i thërriste njerëzit e tij, engjëjt e ndëshkimit do ta mbërthenin atë në vend.”[9]

                                 (كَلَّا لَا تُطِعْهُ وَاسْجُدْ وَاقْتَرِبْ (19

  1. Jo, jo! Ti mos iu bind atij, vazhdo me sexhde dhe afroju Zotit sa më afër.

O Muhamed! Mos iu bind urdhrit të atij kryeneçi e mohuesi që të ndalon nga namazi dhe shkel të drejtat e të tjerëve.

وَاسْجُدْ “Bëj sexhde”, pra, fal namaz. “O Muhamed! Mos u frikëso, por vazhdo të falësh namaz dhe اقْتَرِبْ kështu afrohu me Zotin tënd.” Bindju Zotit tënd, lexo dhe vazhdo me sexhde i palëkundur. Lexo duke iu bindur urdhrit të Zotit tënd dhe vazhdo me sexhde që t’i afrohesh Atij. Afroju Zotit tënd me namaz, me sexhde dhe me ibadete (adhurime) të tjera që janë bërë shkak për t’iu afruar Atij.

Ashtu siç shprehet dhe një hadith të saktë: “Çasti kur robi është më pranë Zotit të tij është kur ai është në sexhde.”[10]

Në një hadith kudsi: “Robi më afrohet Mua vazhdimisht me adhurime nafile (suplementare). Më afrohet në atë gradë sa, Unë bëhem veshi i tij që dëgjon, syri i tij që shikon, dora e tij që mban dhe këmba e tij që ecën.”

Po ashtu, edhe ne duhet të lexojmë, le të themi Allahu Ekberr e të shkojmë në sexhde dhe të përpiqemi t’i afrohemi Allahut (xh.sh). Sepse, në fund kthimi është tek Ai.

Sqarim

Ai që e lexon ajetin e fundit të sures Alak ose e dëgjon atë, e ka vaxhip (të domosdoshme) bërjen e sexhdes së tilauetit (leximit).

Ai që lexon një nga 14 ajetet e sexhdes që gjenden në Kuran, e ka të domosdoshme (vaxhip) bërjen e sexhdes së tilauetit (leximit). Këto ajete ndodhen në suret: A’raf, Rra’d, Nahl, Isra, Merjem, Haxh, Furrkan, Neml, Sexhde, Sad, Fussilet, Nexhm, Inshikak dhe Alak. Edhe në rast të dëgjimit të këtyre ajeteve është vaxhip bërja e sexhdes së tilauetit.

Sexhdeja e Tilauetit bëhet në këtë formë: Me nijetin (qëllimin) e sexhdes së tilauetit pa i ngritur duart lart thuhet Allahu Ekberr dhe shkohet në sexhde. Në sexhde, thuhet tre herë “Subhane Rrabije’l-e’ale” ose një herë “Subhane Rrabbene in kene ua’du rrabibine lemef’ule”. Pastaj ngrihemi duke thënë “Allahu Ekberr”. Kur ngrihemi në këmbë themi: “Gufrraneke Rrabbene ue ilejkel-mesirr”.[11]

[1] Shkëputur nga biologjia e zhvillimit para lindjes.

[2] Buhari, Bedu’l-Uahj 3.

[3] Suleyman Ates, Komentimi modern i Kuran’it famëlartë, Istanbul 1991, XI, 6.

[4] Buhari, Tefsiru Sure 96, 4; Muslim, munafikun 38; Tirmidhiu, Tefsiru surre 96,1.

[5] Buhari, Tefsiru Sure 96, 4; Muslim, Munafikun 38; Tirmidhi, Tefsiru Sure 86, 1; Musned, I, 638, II; 370.

[6] Muslim, Munefikun 38.

[7]  لَنَسْفَعًا”patjetër që e kapim dhe e tërheqim zvarrë”; tenvini, është përfituar nga nga heqja e nun’it, لَنَسْفَعن. Sepse folja nuk mund të marrë tenvin.

[8] سْفَع sef, ka kuptimin tërhqe duke e shtrënguar fort. Pra, ka kuptimin që do ta kapim pa asnjë dyshim dhe do ta tërqim zvarrë.

[9] Kurrtubi, XIX, 27.

[10] Muslim, Salat 215; Nesai, Tatbik 78, Meuekait 35; Tirmidhi, Dauet 118; Musned, II, 421.

[11] Më informacione më të detajuara rreth sexhdes së tilauetit mund të shihni në librat e fikhut.

Postime të ngashme