Engjëjt që përmenden në Kur’an dhe veçoritë e tyre
Nga Ali Zaimi
Allahu i Lartësuar më shumë se cdo krijesë ka krijuar engjëj. Numri i tyre nuk dihet, por është më i madh se numri i cdo krijese tjetër në univers. Në Kur’an nuk përmenden emrat e të gjithë engjëjve, por emrat dhe detyrat e disave prej tyre.
- Engjëjt e mëdhenj
- Xhebraili. Njihet edhe si “Engjëlli i zbulesës”. Është engjëlli që u çon profetëve urdhrat dhe ndalimet e marra prej Allahut.
- Mikaili. Është engjëlli që organizon dukuritë që ndodhin në natyrë: rënien e reshjeve, fryrjen e erës, krijimin e stinëve dhe furnizimin e njerëzve.
- Israfili. Është engjëlli i cili, ditën e kiametit, do t’i fryjë bririt. të quajtur “sur” duke lajmëruar se ka marrë fund jeta e kësaj bote dhe ka filluar jeta tjetër.
- Azraili. Quhet edhe “Engjëlli i vdekjes”. Ndan nga trupi shpirtrat e njerëzve që u ka ardhur vdekja.
- Engjëjt e tjerë që përmenden në Kur’an
- Engjëjt shkrues (kiramen katibin). Janë dy engjëj që, ndodhen gjithmonë pranë njeriut. Njëri shkruan punët e mira që bëjmë, tjetri, të këqijat.
Gjithashtu, këta engjëj, në ditën e kiametit, gjatë llogaridhënies, do të dëshmojnë për punët e bëra nga njerëzit në këtë botë.
- Engjëjt hetues (Munker dhe Nekir). Këta marrin në pyetje çdo njeri pasi futet në varr, për besimin dhe punët e bëra në këtë botë. .
- Engjëjt mbrojtës. Me lejë të Allahut, e ruajnë njeriun nga aksidentet dhe ngatërresat.
Allahu e mbron njeriun drejtpërdrejt, por mundet të ngarkojë edhe engjëjt që ta mbrojnë. Kjo varet nga dëshira hyjnore e Allahut. Ndodh shpesh, sidomos te fëmijët që tu ndodhin aksidente me pasoja fatale, por që cuditërisht nuk ju ndodh asgjë. Lidhja shpirtërore me engjëjt e njerëzve varet nga sjelljet dhe punët e mira që njerëzit kryejnë.
Kurani na e bën të ditur se engjëjt i duan besimtarët dhe u ndihmojnë atyre në çastet e vdekjes, kur janë duke u ndarë nga jeta, dhe pas vdekjes. Edhe besimtarët porositen që t’i duan engjëjt, por atyre nuk u duhet drejtuar me lutje gjatë faljeve e as nuk u duhet përulur, sepse kjo shkon në kundërshtim me monoteizmin islam. Engjëjt nuk duhen mbuluar me lavde, atyre nuk u duhet drejtuar me falje për mbrojtje, sepse përuljet, lutjet, faljet dhe lavdet i takojnë tërësisht dhe vetëm Allahut. Sipas Kuranit, askush tjetër nuk i zotëron vetitë e Zotit dhe askush nuk e ndan me Të këtë paracaktim hyjnor.
Vec engjëjve ekzistojnë edhe xhindët e iblisët si krijesa metafizike e jolëndore. Xhindët janë qenie të tejdukshme të krijuara prej zjarri, të cilët mund të marrin forma dhe trajta të ndryshme dhe që kryejnë akte të dukura si të cuditëshme. Sikurse ndodh me njerëzit, edhe ndër xhindët ka besimtarë dhe mohues. Ndërsa iblisët janë mohues kryenecë dhe do të jenë përjetësisht banorë të xhehenemit.
Pasues të iblisëve ndër njerëzit janë mëkatarët, të cilët nuk i kryejnë si duhet detyrimet që kanë përpara Allahut dhe përpara njerëzve. Pasuesit e iblisëve nga radhët e xhinëve është bërë zakon të thirren shejtanë, por sipas Kuranit, me një emër të tillë mund të thirren dhe njerëzit fatkeq. Shejtanët i shtyjnë njerëzit për nga e keqja, i largojnë nga rruga e drejtë, përpiqen t’u shkaktojnë dëme njerëzve dhe të mos i lënë ata të qetë. Më rebelët dhe më të fuqishmit mes tyre marrin guxim dhe përpiqen të ngjiten deri në qiellin më të afërt, e bëjnë për të mbajtur vesh bisedimet e banorëve të qiellit dhe për t’i shfrytëzuar për synimet e tyre të mbrapshta shenjat që u vijnë deri te veshët, në mënyrë që pas kësaj t’u sjellin dëme njerëzve. Por engjëjt nuk i lënë të qëndrojnë gjatë aty, i godasin me shigjetat e tyre. Thuhet se një dukuri e tillë ndodh në qiell, kur njerëzit shohin yjet që bien.