Ku po shkon Familja Shqiptare?
Shoqëria moderne shqiptare është vendosur përballë ndryshimeve të vazhdueshme në marrëdhëniet e individit me familjen dhe shoqërinë në tërësi. Ky trekëndësh social po bëhet gjithnjë e më shumë i brishtë, i papërcaktuar. Raportet e njeriut me familjen dhe shoqërinë, si dy institucione të sigurisë morale, kanë ndryshuar së tepërmi në dekadat e fundit. Shumë dukuri brenda familjes, në kohën e qytetërimit modern nuk ngjajnë aspak me familjen dhe shoqërinë tradicionale shqiptare.
Në këtë kohë si kurrë më parë duket se kemi probleme serioze me identitetin, rolet sociale dhe bashkëveprimin midis strukturave themelore të qytetërimit tonë. Nga pikëpamja morale dhe sociale, familja dhe shoqëria shqiptare momentalisht ndodhen në procesin e komplikuar kaotik të kalimit nga natyra tradicionaliste, nga rolet e dikurshme klasike, drejt ndryshimit, përshtatjes me kohën dhe kërkesat e qytetërimit modern.
Në trinitetin social të lidhjes midis individit, familjes dhe shoqërisë, po shfaqen ekuilibra delikatë, gjithnjë e më shumë të brishtë. Kjo vihet re në dukuritë që vërtetojnë mungesën e stabilitetit brenda familjes, e cila reflektohet dukshëm në kaotizmin e jetës sociale me të cilën po përballet shoqëria shqiptare sot.
Nga mënyra sesi po zhvillohen ngjarjet brenda familjes shqiptare, duket se ajo nuk është e qetë për të kryer funksionet sociale sipas zakoneve dhe traditave të së kaluarës, dhe se brenda saj ka një sulm të përgjithshëm kundër të kaluarës, kundër tipologjisë, marrëdhënieve dhe besnikërive të vjetra.
Magjia e dikurshme e familjes tradicionale shqiptare si qelizë e cila determinonte sjelljen, progresin dhe personalitetin e njeriut ka pësuar dhe vazhdon të pësojë ndryshime. Sipas sociologëve roli social i familjes është zbehur. Në këto kushte, a mundet feja dhe besimi ta nxjerrë familjen nga kaosi në rregull?