Haxhi, udhëtimi i jetës!

Ne udhëtojmë nxitueshëm nga asgjëja në diçka. Nga asgjëja drejt ekzistencës. Pastaj kthehemi përsëri nga ekzistenca në “mosekzistencë”.

Keni menduar ndonjëherë për të marrë udhëtimin më të rëndësishëm të jetës tuaj? Keni menduar të lini pas gjithçka dhe t’ia filloni sërish nga e para? Keni dashur të zhvisheni nga gjynahet dhe të rilindni sërish? Një udhëtim drejt pastrimit nga mëkatet dhe një rifillim është i mundur, është i prekshëm dhe ky është udhëtimi i jetës tuaj, udhëtimi për në shtëpinë e Zotit, udhëtimi për në vendin më të shenjtë që ka njohur ndonjëherë njerëzimi, udhëtimi për në Haremin e Madh, në Qabe.

Sa e sa zemra janë përvëluar nga malli e ashku për të parë njëherë të vetme këtë ngrehinë të shenjtë, e cila mbart në vetvete pikëfillesën e gjithçkaje dhe pikëtakimin e kësobotshëm me Krijuesin. Sa e sa shpirtra të përulur deri në flijim janë përmalluar e kanë derdhur lot dashurie përballë saj.  Sa e sa duar janë përpjekur për ta prekur e sa e sa e kanë prekur atë.

Meka, gjatë gjithë historisë njerëzore, me përjashtim të pak ndërprerjeve ka qenë kurdoherë mihrabi i gjithë  njerëzimit, e ndërsa Qabeja është mihrabi i mihrabëve, drejt së cilës është kthyer e kthehet njerëzimi; ajo është pikëfillesa e gjithçkaje, ajo është më e ndershmja dhe më e vjetra ngrehinë në faqen e dheut; ajo është faltorja e parë e ndërtuar për t’u falur çdo fis e çdo popull.

Qabja, së cilës i drejtohemi, bëjmë tavaf rreth saj, goditja me gurë e shejtanit në mënyrë simbolike, vrapimi drejt Safës dhe Mervas, të gjitha këto nga shtatë herë secila, puthja e gurit të zi, veshja e ihramit, janë ritualet të cilat përbëjnë udhëtimin e jetës.

Myslimanët e bëjnë këtë rrotullim rreth Qabes, pasi ajo është shtëpia e parë faltore që është ndërtuar për të adhuruar Zotin. Kështu ajo përgjatë historisë është  bërë simboli i devotshmërisë me Zotin. Të gjithë ne jetojmë duke nxituar ndërmjet dy pikave të jetës: Fillimin dhe Mbarimin.  “Fjala Safa do të thotë bosh (diçka e patrajtshme) pra asgjë. Ndërsa fjala Merva do të thotë burim. Diçka që fillon të ekzistojë, d.m.th. jetë. Pra ne udhëtojmë nxitueshëm nga asgjëja në diçka. Nga asgjëja drejt ekzistencës. Pastaj kthehemi përsëri nga ekzistenca në ‘mosekzistencë’.”[1]

Me këtë vrapim ne shprehim bindjen tonë ndaj Krijuesit ndaj ligjeve të tij. Aty fshihet sekreti i ekzistencës së kozmosit dhe lëvizjes së tij. Gjithçka rrotullohet rreth diçkaje.

Puthim gurin që profeti ka puthur; Zhvishemi nga materializmi e luksi i kësaj bote veshim rrobën e bardhë (ihramin), i përbërë prej dy copave të thjeshta, që simbolizonë ikjen nga bukuritë e kësaj bote, asgjë materiale nuk ka vlerë për besimtarin; Godasim shejtanin, që simbolizon goditjen e të keqes, djallëzores dhe çdo vepre të papëlqyer nga Zoti. Këto rituale na rrisin devocionin në zemër.

Në Arafat, shikojmë se si miliona njerëz njëherësh, thonë Allahu Ekber (Allahu është më i Madhi), lexojnë Kur’anin në më shumë se njëzet gjuhë. Të tjerë prej tyre thërrasin Lebejke Allahume Lebejke (i përgjigjemi thirrjes tënde, o Zoti ynë, i Përgjigjemi). Të tjerë lotojnë prej dashurisë dhe pendimit për gjynahet që kanë bërë. Të tjerë qajnë prej dashurisë ndaj Krijuesit.

Haxhi për ne myslimanët është një kongres vjetor ndërkombëtar. Në këtë tubim madhështor Profeti Muhamed mbajti fjalimin e lamtumirës, fjalimin e përmbushjes së misionit të tij. Haxhi është një adhurim (ibadet) dhe adhurimet kryhen për të fituar kënaqësinë e Allahut. Ndoshta, qëllimi dhe arsyeja më e madhe e bërjes detyrim të haxhit është edhe krijimi i paqes botërore dhe i vëllazërimit të gjithë popujve, duke vendosur një barazi të plotë në mes tyre dhe duke ndrequr e plotësuar moralet njerëzore.

Haxhi është momenti kur njerëzit e bindur dhe respektues të Allahut Mëshirëplotë i përgjigjen Atij në një kor të përbërë prej gjuhësh mikse dhe në sfondin e një mozaiku racash dhe kombesh të ndryshme, me fjalët Lebejk Allahume Lebejk “Ju përgjigjja thirrjes tënde o Allah, ju përgjigjja”. Kjo dëshmon unitetin e myslimanëve, njerëzve të besimit e të bindjes ndaj Zotit, dëshmon pandashmërinë dhe praktikimin e këtij besimi në çdo cep të globit në gjurmët e pahumbura të Krenarisë së Njerëzimit, Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të.

Një udhëtim që të çon një hap më pranë Krijuesit tënd. Një hap pranë parajsës së shumëdëshiruar  e  “…. do të kthehesh pas haxhit i falur nga të gjitha gjynahet ashtu siç ke qenë ditën që të ka lindur nëna”. Një udhëtim shpirtëror, përtej çdo dimensioni e kufiri, një udhëtim drejt pavdekshmërisë, drejt madhështisë së pafundme të të Plotfuqishmit. Nëse imagjinata e njeriut nuk e rrok dot fundit e kësaj rruge ku është nisur, është ai që të orienton. Nëse kryqëzimet të ftojnë drejt tyre, me mashtrimet lajkatare, është ai që të ndalon. Nëse falje e mëshirë kërkohet, është ai që të shpie në rrugët e shpirtit, në rrugën drejt Zotit, ku mëshira e falja s’kanë fund.

Jehona e thirrjes së miliona myslimanëve nga e gjithë bota, përshkon kupolën qiellore, shpërthen dyert e qiellit e shkon te i madhi Zot. Sytë e tyre shkëlqejnë, fytyrat shndrisin nga nuri qiellor, zemrat rrahin fort e shpirtrat “ngjiten” lart drejt mëshirës së Tij.



[1] Dr. Mustafa Mahmud, Ritualet e Haxhit, Revista Drita Islame, Tetor 2012, fq. 49

Postime të ngashme