Xhevahir i “ndryshkur”!
Lamë pas edhe një vit, ashtu siç lamë pas kujtimet, ëndrrat, dëshirat e çdo gjë tjetër që nuk kthehet më. Në të këtillë kohë është momenti ku gjithsecili bën një analizë brenda tij, se sa prej objektivave të tij arriti, sa i përmbushi dhe sa u përpoq për to. E në mjegullinë e mendimeve, pikëpyetjeve e dilemave, gjithmonë ka gjëra akoma më shumë për të bërë. Në horizontin e vështrimit asnjëherë nuk arrihet fundi, pasi sapo ti shkon aty, një tjetër fund shfaqet dhe humbet në largësinë e mendimit.
Përveç këtij kalkulimi të së shkuarës, vjen edhe një moment tjetër, se cilat janë objektivat për të ardhmen, ç’është më e rëndësishmja a duhet të kemi një qëllim, apo le të rrjedhë jeta në drejtimin e saj, pa e vrarë shumë mendjen. Edhe pse duket si një mënyrë e arsyeshme e të menduarit, njeriu nuk do të mund të ecë pa piketa, pa orientime, përndryshe do të humbiste në vorbullën e dynjasë. Kur them duhet të ketë piketa orientimi, nuk kam parasysh planifikimin e së ardhmes, por qëllimin ekzistencial që njeriu i vë vetes, idealet, dhe jo dëshirat materiale e arritjen e suksesit të përkohshëm.
Një tjetër vit, i panjohur për ne, po pret në pragun e derës, duke vështruar me një shikim qortues, sikur do të thotë se, edhe mua do të më shpërdorosh ashtu sikur bëre me vitin paraardhës dhe me të gjithë vitet e tjera që shkuan në jetën tënde ashtu pa u vënë re, nën mjegullën e hutimit e nën përgjumjen e kësaj bote? Edhe këtë herë do të ngrysësh netët pa bërë asgjë për shpirtin tënd? Do t’i gdhish sërish mëngjeset me dëshirën e madhe për të përfituar sa më shumë nga të mirat e këtushme, duke e ditur që ato janë kalimtare? Do të harxhosh kohën kafeneve e në punë do të dukesh sa për sy e faqe? Jo miku im, nuk është ky qëllimi i jetës, nuk është kjo ajo që duhet të bësh.
Përkundër kësaj, ky vit që po largohet nis të flasë akoma edhe më ashpër. Gjithë vitin e mbushe stomakun, kënaqe egon, por harrove shpirtin, atë e le të uritur, atë ti e le të mënjanuar, të vetmuar, i mbylle derën në momentin që u dhe pas kënaqësive të kësaj bote, i mbylle derën në momentin që mendove e punove vetëm për përfitim material, duke e lënë atë të vuajë. Për t’i shpëtuar këtyre vuajtjeve shpirtërore, u zhyte herë pas herë në qejfe apo argëtime nga më të tepruarat. Ndonjëherë ia dhe veten alkoolit, e herë të tjera u zhyte në kënaqësitë trupore të mishit, e herë të tjera shkove deri në përdorimin e drogës, me dëshirën e vetme për të mos qenë më aty, për të shkuar në hiçmosgjë. Krejt çakërrqejf, i dalldisur në një jetë krejtësisht boheme, u orvate si e si të mos mendoje e të mos ndjeje asgjë për fundin tënd, e pra të jesh i sigurt se ai fund do të vijë.
Po me zemrën ç’bëre? Harrove që duke kënaqur egon tënde, zemrës i dhe goditjen më të fuqishme, e lëndove, dhe e tkurre, në strofullën e saj mes kraharorit. A mendove se zemra jote është vetëm për të pompuar gjak e përmes kësaj të vërë trupin në lëvizje, të të bindet ty? Jo miku im, ashtu siç ti ke nevojë për ushqim edhe ajo ka. Nuk është funksioni i saj vetëm pompimi i gjakut, ajo kërkon të dashurojë, të dashurojë sublimen dhe jo materialen, të dashurojë hyjnoren dhe jo tokësoren. Nëse ka një gjë që të mund ta shpëtojë atë prej shqetësimeve, e që do ta nxjerrë në bregun e shpëtimit, duke e bërë atë një burim të pashtershëm shprese, ai është besimi. Një burim i fortë shprese me të cilin njeriu mund t’i largohet përherë botës së tij të ngushtë për t’u hapur drejt bukurive të pashtershme të amshimit. Mendo pra, ktheje botën tënde të ngushtë në një botë të gjerë saqë të mbështjellë gjithë universin. Braktise truporen që të shpëtosh prej kafazit të lëkurës, aq sa të ngrihesh në gradën më të lartë shpirtërore, aq sa syri të mos ta shohë më mëkatin, aq sa veshi mos ta dëgjojë, aq sa zemra ta urrejë atë. Vetëm falë kësaj drite që besimi i përfton jetës, do të mund ta shohësh të shkuarën dhe të ardhmen të ndriçuar, sepse sido që të jetë e shkuara nuk është një varrezë e frikshme, e as e ardhmja një humnerë e thellë.
Sa herë u lëndove nga kjo botë, sa herë u zhgënjeve, kur nuk u përmbushën pritshmëritë e tua, sa herë miqtë të kthyen shpinën, e ti përpiqeshe të gjeje justifikim në vetvete, përpiqeshe të bëje llogaritë dhe të gjeje fajtorin. Sa herë të lënduan zemrën dashuritë e kësobotshme? Akoma nuk ke kuptuar se kështu po e nxjerr nga funksioni atë të shkretë zemër që po të pulson në kraharor, akoma nuk e kuptuar se çdo gjë në këtë botë është kalimtare, çdo dashuri do të vdesë, e kur të ndodhë kjo, çfarë do të bëjë shpirti yt? Kë do të dashurojë zemra jote? Sigurisht ti nuk e ke menduar se shërimi i saj është vetëm te sublimja, sepse po ta kishe kuptuar do ta kishe dashuruar atë marrëzisht e asnjë dashuri tjetër nuk do të të hynte në sy.
Eh, të hidhura ishin fjalët e mia. Nuk e prisje këtë nga një vit në largim? Më ndje nëse të lëndova, por më shumë se ç’e ke lënduar ti veten, unë nuk do të denjoja ta bëja kurrë?! Do të të them edhe diçka të fundit përpara se të largohem, ndoshta kjo do të të pëlqejë, ndoshta jo. Pavarësisht këtyre që të thashë në të vërtetë ti je një xhevahir, një xhevahir që veten nuk e njohe kurrë, që nuk ia dite vlerën, duke e lënë atë të “ndryshket”, nga pisllëku i kësaj bote! Sepse, nëse nuk e ke kuptuar akoma, kjo botë ngrihet mes errësirës dhe dritës, mes së kotës dhe të dobishmes, mes së mirës dhe së keqes.
E ndërsa vitet ikin ashtu njëri pas tjetrit nxitimthi si një lum i rrëmbyeshëm teksa zbret rrëpirave të thukëta të kësaj toke, lypset që ne të zbulojmë vetveten, ta gjejmë dhe ta njohim atë, kush jemi? E më pas të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt së nesërmes që na pret, ku duhet të zgjedhim mes dritës apo errësirës!