Namazi është një adhurim shoqëror
Sa ç’është një adhurim individual dhe shpirtëror, namazi ka edhe aspektin e tij socializues. Veçanërisht domosdoshmëria e faljes së namazeve farze me xhemat është me rëndësi përsa i përket faktit që tregon dimensionin e përmbajtjes shoqërore të tij. Në Islam, xhamitë kanë kryer një rol dhe shërbim të madh në bashkimin e individëve myslimanë në shoqëri, në formimin tek ta të vetëdijes së kolektivit, sepse xhamitë nuk janë ndërtuar vetëm që individët të kryejnë aty adhurimin e namazit. Kur Profeti paqja qoftë mbi Të ndërtoi në Medinë faltoren e tij pasi emigroi aty, të gjitha planet dhe projektet e myslimanëve dhe të gjitha problemet që kishin të bënin me lidhjet dhe marrëdhëniet individuale, familjare, shoqërore e ndërkombëtare (mes fiseve arabe dhe mes shteteve të tjera dhe shtetit të Medinës) diskutoheshin, konsultoheshin dhe përfundoheshin me vendimet përkatëse në faltore. Ndoshta faltorja do të ngjitej në pozitën edhe të qendrës së rretheve dhe veprimtarive shkencore që do t’u vinin vulën shekujve të mëvonshëm. Mund të thuhet se aty u hodhën farat e para të shkencës dhe të qytetërimit. Qytetërimi islam mund të quhet edhe qytetërim faltoreje. Faltore do të thotë vend faljeje, por mjediset e adhurimit që kryhet kolektivisht, në formë xhemati, njëkohësisht kanë kryer funksione themelore në shoqërizimin e individëve myslimanë. Prandaj, në Islam, namazi nuk është vetëm një adhurim. Në Islam, namazi ka luajtur në rol qendror në shoqërizimin e individëve dhe formimin e qyteteve. Siç dihet, qytetet e para në Islam janë organizuar përreth faltoreve/xhamive.
Namazi siguron barazinë mes njerëzve
Njëri prej qëllimeve të sistemit Islam-adhurim është që, duke refuzuar grupet e statuseve shoqërore të ndryshme mes njerëzve dhe strukturat klasore, të formohet një model shoqëror që krijon një barazi të mbështetur në thjeshtësinë dhe modestinë; i varfër-i pasur, zotëri-shërbëtor, dijetar-injorant, aristokrat-qytetar i mesëm, kryetar i shtetit-nënshtetas i zakonshëm vihen në tënjëjtin status sikur të viheshin në radhë të shkuar në pé. Si u kanë shpërblyer konfliktet klasore në historinë e njerëzimit ngjarjeve të përgjakura, formimit të getove politike, kulturore, dhe etnike? Këtë e dimë nga historia e Perëndimit. Në historinë e Islamit nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë konflikt apo diferencim të këtij lloji apo në këtë kuptim. Njëri dhe ndoshta më i rëndësishmi prej shkaqeve të kësaj është fryma e barazisë dhe vëllazërisë që u kanë përftuar individëve namazet e falura në xhemat. Sepse pavarësisht nga pozita kulturore dhe shoqërore që gëzon, çdo besimtar, në sajë të këtyre namazeve e përfton idenë dhe kënaqësinë e bashkimit, unitetit dhe mendimit të përbashkët. Namazi është një spirale drite që e lartëson njeriun në pozitën e njeriut të vërtetë. Namazi është miraxhi i besimtarit.