Pakujdesia në marrjen e informacionit mund të kushtojë shumë
Ibn Arabiu përmend një ngjarje interesante në veprën e tij “Futuhat el-Mekki”. Ai tregon se kur ishte në Mekë kishte takuar personin injorant më të suksesshëm gjatë gjithë jetës së tij. Studentët që i qëndronin pranë i kërkuan t’u tregonte se si ishte e mundur kjo. Ai u tha se gjatë tavafit kishte parë një njeri që ndiqej nga një masë e madhe njerëzish. Duke pandehur se ky njeri ishte i ditur dhe i kualifikuar, kishte vrapuar drejt tij për ta takuar. Pas disa minutash qëndrimi me të, e kishte kuptuar se ai njeri ishte veçse një sharlatan.
Ai e tërhoqi atë mënjanë dhe e pyeti se si kishte arritur të mblidhte pas vetes kaq shumë njerëz. “Si ke grumbulluar kaq shumë njerëz pas vetes, ndërkohë që nuk je aspak i kualifikuar?” Ai iu përgjigj: “Fillova t’u thosha njerëzve vetëm një gjë dhe ata filluan të mblidheshin rreth meje; ‘Nuk ka mirësi në ummetin e Muhamedit dhe nuk ka më mirësi mbi sipërfaqen e Tokës’.”
Kjo histori ka shumë për të ofruar në një kohë të mbushur me cinizëm dhe kur njerëzit janë aq të thelluar në mendimet negative për të tjerët. Kujdes nga ato që dëgjoni! Verifikoni mirë çdo informacion që merrni, në mënyrë që të mos bini pre e mashtrimeve, gënjeshtrave dhe përhapjes së akuzave të pabaza!