Mrekullia shkencore e Kuranit, bleta Femër
Mrekullitë Shkencore të Kuranit – 4
Bleta Femër
Para se të flasim për mrekullinë shkencore të Kuranit që do të shtjellohet në këtë shkrim, duhet të japim disa informacione të shkrutra për gjuhën arabe. Falë informacionit në vijim, mrekullia shkencore që do të shqyrtohet do të kuptohet më mirë.
Fjalët në gjuhën arabe ndahen në dy kategori për sa i përket gjinisë: fjalët që përdoren për qeniet femërore quhen muanneth (femërore); fjalët që përdoren për qeniet mashkullore quhen mudhekker (mashkullore). Në gjuhën arabe, fjalët janë ose muanneth (femërore) ose mudhekkar (mashkullore), pavarësisht nëse ato emërtojnë kafshë, bimë; objekte apo veprime (folje).
Nga ketu kuptojmë se foljet në gjuhën arabe ndahen në gjini mashkullore dhe gjini femërre. Kur vepruesi është në gjininë mashkullre edhe folja është në gjininë mashkullore, dhe kur vepruesi është në gjininë femërore edhe folja është në gjininë femërore. Me fjalë të tjera, ekziston një harmoni gjinore midis foljes dhe kryefjalës.
Pas këtij informacioni, le t’i kushtojmë vëmendje ajetit 68 dhe 69 të sures en-Nahl:
- Zoti yt e frymëzoi bletën, (duke thënë): “Ndërto shtëpi në male dhe në drurë dhe në atë (kosheret) që kanë ngritur njerëzit!
- Ushqehu me gjithfarë lloje frutash dhe ec rrugës së Zotit tënd përulshëm!” Nga barku i tyre del lëng ngjyrash të ndryshme, në të cilin ka ilaç e shërim për njerëzit. Vërtet që kjo është shenjë për ata që përsiatin.
Në arabisht, fjala bletë shkruhet “Nahl” si për mashkullin ashtu edhe për femrën. Kjo fjalë nuk ka gjini femërore. Mirëpo, Kurani përdor gjininë femërore të foljes kur jep informacion në lidhje me frymëzimin që i jepet bletës dhe çfarë kryen bleta. Siç e përmendëm edhe më parë, foljet në gjuhën arabe përdoren në mënyra të ndryshme sipas gjinisë që kërkohet për të treguar vepruesin. Kjo është e vlefshme edhe në shumë gjuhë të tjera të botës. Kur transmetohet në Kuran për atë çfarë angazhohet bleta, folja është përdorur në gjininë femërore, siç shihet më poshtë:
1- Në ajet, për të shprehur kuptimin “Ndërto shtëpi“, është përdorur fjala اِتَّخَذِي (ittakhadhi) e cila përdoret për femrën, në vend që të përdoret fjala اِتَّخَذْ (ittakhadh) e cila përdoret për mashkullin.
2- Për të shprehur kuptimin “Ushqehu me gjithfarë lloje frutash“, është përdorur fjala كِلِي (kul-li) e cila përdoret për femrën, në vend që të përdoret fjala كُلْ (kul) e cila përdoret për mashkullin.
3- Për të shprehur kuptimin “ec rrugës së Zotit tënd“, është përdorur fjala اُسْلُكِ (usluki) e cila përdoret për femrën, në vend të që të përdoret fjala اُسْلُكْ (usluk) e cila përdoret për mashkullin.
4- Në fjalinë “Nga barku i tyre del lëng…“, përemri “i tyre” shprehet me fjalën هَا (ha) që i referohet femrës në vend të fjalës هُ (hu) që i referohet mashkullit.
Pra, veprimet të cilat përmenden nga Kurani si; ndërtimi i shtëpive, domethënë i koshereve të mjaltit, ngrënia e të gjitha frutave për të mbledhur nektarin, ndjekja e të gjitha rrugëve të frymëzuara nga Allahu si dhe nxjerrja e mjaltit nga barqet e tyre, kryhen të gjitha nga bleta femër.
Me fjalë të tjera, kryerësi i të gjitha veprimeve të numëruara është bleta femër.
Por çfarë thonë vallë shkencëtarët për këtë lajm të dhënë 1,400 vjet më parë?
A kryhen realisht të gjitha këto punë të renditura nga bleta femër? Tani le të shohim se çfarë thonë shkencëtarët për këtë temë?
Ata thonë se: Të gjitha angazhimet që përmend Kurani kryhen nga bletët punëtore të cilat janë bletë femra. Nuk ka asnjë lidhje të angazhimeve që përmenden në Kuran me bletët meshkuj. Detyra e vetme e bletëve meshkuj që kanë sy të mëdhenj dhe kanë një formë më të madhe sesa bletët femra punëtore është të sigurojnë riprodhimin me mbretëreshën e re. Bletët meshkuj që e kryejnë këtë detyrë në fund të verës dëbohen nga kosherja dhe vdesin shpejt pasi janë mësuar të jetojnë nën kujdesin e bletëve femra.
Siç e shihni, infomacionet e dhëna nga Kurani dhe faktet që shkenca ka zbuluar në këtë shekull përputhen plotësisht.
Ky fakt, i cili është zbuluar nga shkenca kohët e fundit por që Kurani na ka informuar më shumë se 1,400 vite më parë është një mrekulli e Kuranit.
Në kohën e shpalljes së Kuranit ishte e pamundur që njerëzit të dinin ndarjen e punës në kosheren e mjaltit. Njerëzit e asaj kohe nuk e dinin që bletët punëtore ishin femra dhe as që punët për ndërtimin e koshereve dhe prodhimin e mjaltit kryheshin nga bletët punëtore. Mirëpo, Kurani dha informacion për këtë çështje dhe informacioni rezultoi të jetë i saktë.
Përballë kësaj mrekullie kaq të madhe të Kuranit, e cila i mahnit vërtetë njerëzit, a ka ndonjë rrugë tjetër përveç se të pranohet Kurani si libër i Allahut?
Kurani është libri i Qenies që frymëzon bletën dhe përgatit mjaltin në barkun e saj. Ai urdheroi që mjalti të përgatitej nga bleta femër, e frymëzoi atë dhe neve na informoi për këtë në librin e Tij shekuj më parë. Po, Kurani është libri i Allahut dhe fjala e Tij e përjetshme. Ne e besojmë dhe e pranojmë atë.
Përgatiti: Indrit Isufi
© URTESI.AL