Veprimet e obligueshme (vaxhib) në namaz

Siç kemi thënë më parë, vaxhibi është detyrim. Grada e tij vjen menjëherë pas farzit, por duke qenë se argumenti për të nuk është i prerë, personi që përgënjeshtron ose nuk e pranon vaxhibin, ligjërisht  nuk quhet mosbesimtar. Moszbatimit i vaxhibit është braktisje e detyrimit (mëkat), ndërsa Kur’ani i emërton mëkatarët me termin “fasik”. Braktisja pa vetëdije e një vaxhibi në namaz nuk është shkak për mospranimin e namazit. Nëse personi kujtohet brenda namazit se ka bërë një lëshim, që është i kategorisë së vaxhibit, atëherë e plotëson faljen me sexhden e harresës (sehvi sexhde – suxhud es-sehu). Ndërkaq, ai që e lëshon një vaxhib dhe e përfundon namazin pa e kompensuar atë, duhet ta rifalë brenda kohës së tij. E, në qoftë se koha i ka kaluar, atëherë ai konsiderohet se e ka kryer detyrimin, namazin quhet i kryer, por shpërblim për të nuk ka.

Vaxhibet e namazit janë:

Tekbiri fillestar. Që tekbiri fillestar të shprehet me fjalët Allahu Ekber”. Nëse ndodh që personi që falet të harrojë apo gabimisht të fillojë tekbirin fillestar me ndonjë shprehje tjetër, që shpreh lartësim të Zotit dhe e vëren menjëherë se ka gabuar, atëherë e ripërsërit duke e korrigjuar. Nëse nis lutjen e “Subhanekes”, atëherë vazhdon namazin dhe në fund bën sexhden e harresës.

Leximi i Fatihasë. Leximi i sures Fatiha në dy rekatet e namazeve farze është vaxhib, në rekatet e fundit të farzit është synet, ndërsa në namazet nafile dhe në vitër është vaxhib të lexohet në të gjitha rekatet.

Leximi pas Fatihasë. Leximi i një ajeti të gjatë, apo tri ajeteve të shkurtra, apo një sureje të shkurtër pas sures Fatiha.

Përcaktimi i leximit të Kur’anit në dy rekatet e para të farzit.

Radhitja e leximit. Fillimisht të lexohet surja Fatiha dhe pas saj një pjese nga Kur’ani.

Vendosja e hundës në sexhde bashkë me ballin. Siç u shprehëm në temën e sexhdes, vendosja e ballit në sexhde është farz.

Ndenja e parë në namazet farz, që kanë tri e më shumë rekate, dhe në vitër.

Leximi i teshehudit (lutjes ettehijjat) në çdo ndenje. Në namazet farz dhe vaxhib, që përbëhen nga tri ose më shumë rekate, teshehudi shoqërohet me dy ndenje.

Të ngriturit pas teshehudit duke mos u vonuar në rekatin e tretë. Nëse personi vonohet më tepër se texhehudi për aq kohë sa mund të kryejë një rukn të namazit (sa të thotë “subhanallahi’l-Adhim”), atëherë duhet ta plotësojë namazin e tij me sexhden e harresës. Kjo zakonisht ndodh kur personi që falet shton lutje pasi të ketë lexuar teshehudin në fund të rekatit të dytë. Në këtë mënyrë ai e vonon kalimin në rekatin e tretë.

Kryerja e farzeve dhe vaxhibeve në kohën e vet, duke mos i lënë për më pas, siç mund të ndodhë që, pas këndimit të Kur’anit, të krijohet një pauzë harrese për shkak të rënies në mendime dhe, pastaj, të shkohet në ruku.

Përfundimi i namazit me dhënien e selamit të parë. Pejgamberi a.s. e përfundonte namazin me shprehjen: “esselamu alejkum ue rahmetullah” (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ju.). Kurse dhënia e selamit të dytë në krah të majtë është synet. Duke qenë se selami është vaxhib, nëse personit i prishet abdesi pas teshehudit, por para se të japë selam, namazi është i vlefshëm.

Këndimi i Kur’anit pa zë në namazin e drekës dhe ikindisë, si dhe këndimi me zë në namazet e sabahut, akshamit dhe jacisë, namazit të xhumasë dhe Bajramit.

Personi që falet lidhur pas një imami nuk duhet të lexojë asgjë prej Kur’anit në kijam. Leximi i imamit është i vlefshëm dhe i mjaftueshëm edhe për të. Pjesën tjetër të lutjeve duhet t’i këndojë gjithkush individualisht.

Ndjekja me rigorozitet e lëvizjeve të imamit. Personi që falet pas një imami nuk duhet të nxitojë në veprimet e namazit duke e paraprirë atë, por, gjithashtu, nuk duhet të mbesë shumë pas.

Bërja e tekbirit dhe këndimi i lutjeve të kunutit në namazin e vitrit.

Bërja nga tri tekbire shtesë në të dy rekatet e namazeve të Bajrameve (Fitrit dhe të Kurbanit).

Respektimi i radhëve të veprimeve që janë farz, si rënia në ruku pas kijamit, rënia në sexhde pas rukusë, bërja e dy sexhdeve njëra pas tjetrës.

Respektimi i “ta’dili erkan”-it, kryerja e rregullt e shtyllave të namazit. Ky është vaxhib sipas shkollës juridike (medhhebi) Hanefi. Kjo temë do të trajtohet imtësisht më poshtë.

Postime të ngashme