Përkujtimi i Allahut në çdo veprim
Umejh bin Mahshi tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ishte ulur me një burrë që po hante. Njeriu nuk e përmendi emrin e Allahut dhe vazhdoi të hante derisa të kishte mbetur vetëm një kafshatë. Kur e ngriti ushqimin në gojë, ai tha: “Në emër të Allahut në fillim dhe në fund”.
Profeti qeshi dhe tha: “Djalli po hante me të derisa përmendi emrin e Allahut, në këtë moment djalli vjell të gjitha ato që ishin në stomakun e tij!” (Transmetuar nga Ebu Daudi)
Ky hadith na kujton rëndësinë e përmendjes së emrit të Allahut edhe para veprimeve më të vogla dhe më të zakonshme, siç janë veshja, hyrja, dalja nga shtëpitë tona, gjumi, zgjimi dhe natyrisht, ngrënia dhe pirja.
I Dërguari i Allahut ﷺ na mësoi etikën e saktë në të gjitha këto situata dhe na tregoi pasojat e neglizhimit të tij. Kur përmendim emrin e Allahut, ai vepron si një pengesë që parandalon errësirën dhe të keqen të hyjnë në jetën tonë. Përtej kësaj, ai na kujton se vetëm Allahu mban ekzistencën e të gjitha gjërave. Kur hamë, flemë dhe ecim në emër të Allahut, ato veprime marrin një kuptim të ri. Kjo sepse ato janë të lidhura me Hyjnoren dhe janë të bekuara me mbështetjen dhe kujdesin e Allahut.
Nëse, megjithatë, nuk jemi të vetëdijshëm për këtë realitet (siç ndodh shpesh) nuk është kurrë vonë. Çelësi është që të kthehemi tek Allahu sa më shpejt dhe që ta kujtojmë. Nëse harrojmë të përmendim emrin e Allahut para se të hamë, mund të themi lutjen vijuese kur kujtojmë:
بِسْمِ اللهِ أَوَّلَهُ وآخِرَهُ
Bismillāhi ewwelehu ue āhirahu
Në emër të Allahut në fillim dhe në fund.
Ky incident na tregon gjithashtu se Profeti në të vërtetë ishte duke parë dëshminë e së padukshmes. Mbretëritë engjëllore dhe djallëzore iu zbuluan atij. Megjithëse ato janë të mbuluara prej nesh (me përjashtime shumë të rralla), është pjesë e besimit tonë të besojmë se ato ekzistojnë ashtu si Profeti na informoi për to.
Ashtu si djalli është i lumtur kur sheh veprimet tona të shkojnë kot, i Dërguari ﷺ qeshi dhe ishte i lumtur kur pa veprimet e djallit duke u bërë asgjë. Lumturia e tij ishte gjithnjë për fitoren e dritës mbi errësirën. Në këtë rast, një anëtar i bashkësisë së tij ishte neglizhues edhe pse ishte në praninë e Profetit. Por, ajo që i pëlqeu Profetit ishte që ai u rikujtua. Ne mund të ngushëllohemi nga fakti që, sado të jemi të pavëmendshëm ose harrues, ne gjithmonë mund të ndreqemi. Duke vepruar kështu, ne i bëjmë të lumtur udhëzuesin dhe mësuesin tonë.