Në fund të sures Lukman, koha e rënies së shiut dhe gjendja e fëmijës në barkun e nënës konsiderohen nga pesë të fshehtat. Si e shpjegoni?
Në ajetin e fundit të kaptinës Lukman, thuhet kështu:
S’ka dyshim se vetëm Allahu e di kur do të ndodhë kiameti, Ai e di kur e lëshon shiun. Ai e di se ç’ka në mitra (të nënave), nuk e di kush pos Tij se çka do t’i ndodhë (çka do të punojë) nesër dhe askush nuk e di, pos Tij, se në ç’vend (ose kohë) do të vdesë. Allahu është më i dijshmi, më i njohuri. (Lukman, 34)
Vetëm Allahu e di se në ç’kohë e kur do të shpërthejë kiameti. Pasi Kurani i Madhnueshëm ta ketë parashtruar këtë si një të vërtetë dhe parim, pa thënë Allahu e di, askush nuk ka mundësi të thotë ndonjë fjalë ose të shfaqë ndonjë mendim në këtë subjekt, ashtu siç është bërë e qartë edhe në ngjarjen e Xhebrailit. Ky i vjen të Dërguarit të Allahut me një veshje prej udhëtari, por që në trup nuk i dukeshin shenja udhëtari, i bie në gjunjë dhe i bën disa pyetje, si ç’është besimi, Islami, i thotë saktë, drejt fole. Në fund e pyet: Kur do të shpërthejë kiameti? Dhe i Dërguari i Allahut i përgjigjet: i pyeturi nuk di më shumë se sa ai që pyet. Pastaj i numëron si shenja disa ngjarje që do të ndodhin afër kiametit. Ja se si, i Dërguari i Allahut, me edukatë prej profeti, jepte përgjigje për një çështje nga të fshehtat[1].
Një njohuri të përbashkët kishin me Xhebrailin. Edhe për atë, vetëm Allahu e dinte kohën se kur do të shpërthente kiameti.
Sa për temën e kiametit, aq shumë gjëra ka nga këndvështrimi i shkaqeve, saqë realizimi i vetëm njërit prej tyre do të ishte i mjaftueshëm për të shkaktuar kiametin: goditja e tokës nga ndonjë kometë; shpërthimi i diellit ose, sipas ligjit të termodinamikës, shuarja e tij; realizimi i reaksioneve zinxhir nga ndonjë gabim i njerëzve dhe, për pasojë, shpërndarja e sistemit diellor… Sot, në kuadër të mundësive, është e mundur të radhiten edhe mjaft shkaqe të tjera.
Çështja e dytë e numëruar në ajet, është: shiun e lëshon Allahu. Kjo është edhe një nga specifikat që kundërshtohet më shumë. Me fjalë të tjera, kundërshtarët thonë kështu sipas mendjeve të veta: Sot, në bazë të vrojtimeve meteorologjike, mund të thuhet se kur do të bjerë shi. Po qe kështu, ta quash këtë si të fshehtë, s’ka kuptim…
Natyrisht, qëllimi i atyre që këtë pyetje e pririn kah blasfemia, s’është kjo. Qëllimi i vërtetë është të prodhojnë lëkundje dhe dyshime mbi Kuranin. Edhe ndjeshmëria jonë në dhënien e përgjigjes nga kjo buron.
Sot, çështjet që thuhet se ata i dinë me anë të teknologjisë moderne, në ç’shkallë janë të lidhura me të fshehtën, vallë? Në të vërtetë, parashikimi i rënies së shiut për të cilin kanë filluar të shfaqen në botën e dëshmisë, nuk ka asnjë lidhje të afërt apo të largët me të fshehtën.
Le të përpiqemi ta sqarojmë çështjen me një shembull shumë të thjeshtë. Le të mbushim një dhomë me dioksid karboni. Pastaj, me anë të aparateve që mbajmë në duar, të provojmë praninë e dioksidit të karbonit dhe të themi: Pas dy orësh, ata që ndodhen këtu brenda, do të ndjejnë dhimbje koke dhe rëndesë. E tani, duke bërë këtë parashikim, pasi kemi siguruar të dhëna për shkaqet, mos vallë kemi njohur të fshehtën? Kjo s’është e fshehtë! E fshehta është çështje, njohjen e së cilës Providenca Hyjnore ia ka rezervuar vetëm Vetes. Le të themi se vitin e ardhshëm ose pesë-dhjetë vitet e ardhshme ne e dimë se ku do të bjerë shi ose sa do të bjerë me të gjitha hollësirat përkatëse; kjo do të ishte njohje e të fshehtës. Por parashikimi se ku do të bjerë shi nesër, nuk është njohje e të fshehtës. Veç kësaj, në këtë parashikim ndodh që disa herë s’del ashtu siç thuhet ose ato që thuhen, gjë që tregon se edhe kaq gjë s’njihet mirë, prandaj edhe quhet parashikim… Pastaj, lëreni vitin e ardhshëm, a mund të thuhet që dihet se sa shi do të bjerë nesër?
Veçanërisht, për të ditur për rënien e shiut, shenjat e të cilit kanë filluar të shfaqen në botën e dëshmisë, nuk ka nevojë as për vegla, as për pajisje. Midis popullit ka aq shumë vetë që i njohin ato shenja me anë të përvojës dhe të aftësimit në vëzhgim, saqë thëniet e tyre jo vetëm nuk ndryshojnë nga ato të pajisjeve, por s’mbeten pas edhe nga saktësia. Meqë erdhi rasti, do ta tregoj rishtaz një kujtim që e kam treguar edhe më parë.
Disa shkencëtarë amerikanë vijnë në Turqi dhe vizitojnë një fshat. Merren me ca kërkime. Në këtë mes, takohen me një çoban që po kulloste dhitë. Një çast, çobani mbledh dhitë e drejtohet për nga vatha. Kur e pyesin për shkakun, u thotë se pas pak do të bjerë shi. Shkencëtarët habiten sepse në qiell nuk shohin asnjë shenjë që të paralajmëronte shi. As barometri që kishin me vete s’tregonte gjë. Por, me të vërtetë, pas njëfarë kohe fillon të bjerë shi. Shkencëtarët vrapojnë për në vathë dhe e pyesin fshatarin se si e kuptoi që do të binte shi. Sipas përvojës sime shumëvjeçare, para se të bjerë shi, dhitë e mbledhin bishtin. Nga kjo e kuptoj se do të bjerë shi. Shkencëtarët i përplasin për tokë aparatet duke thënë: S’paskemi vlerë as sa bishti i këtyre dhive!…
Një person i njohur thotë se, me anë të reumatizmës, e ndjejnë shiun 48 orë përpara. Në fshatrat tona është i përhapur parashikimi i shiut dhe borës duke u bazuar në disa shenja. Mirëpo, të dish se do të bjerë shi me këto mënyra dhe kritere ose dimensione, nuk do të thotë se e njeh të fshehtën. Parashikimi i shiut me llogaritje të njohura, i një shiu që është nisur për rrugë me shenja sheshit si retë e ngarkuara, presioni atmosferik, frontet atmosferike, e me këtë dije të nisesh për të asgjësuar një argument, një konkluzion të Kuranit, kjo s’mund të jetë veçse një model injorance!
Gjithashtu, dua të flas për një deklaratë-mrekulli të Profetit (s.a.s.) që sot pranohet edhe nga kërkuesit shkencorë. I Dërguari i Allahut urdhëron: Asnjë vit nuk është më me reshje si vitin tjetër. Nga kjo kuptohet se në sipërfaqe të tokës bie e njëjta sasi reshje. Veçse nuk dihet se ku dhe sa. Ja, kjo është e fshehta dhe kjo nuk dihet.
Edhe specifika e tetë e treguar në ajet, është midis pikave që kundërshtohen: vetëm Allahu e di ç’ka në mitra. Thuhet se sot njihet gjendja e fetusit në barkun e nënës me anë të rrezeve roentgen. Madje, kohët e fundit, me njohjen edhe të seksit mashkull ose femër të spermës, mund të përcaktohet gjendja e fetusit edhe në këtë nivel.
Më sipër folëm për një rregull ose kusht. Ai është i vlefshëm edhe këtu. Të dish për diçka shkaqet e të cilës janë sheshit, nuk do të thotë se di të fshehtën.
Nëse është përcaktuar se sperma është mashkull, në çfarëdo forme që të jetë bërë prova, në mitër apo në inkubator, pasi të shfaqen shkaqet, kjo s’përbën njohje të së fshehtës. Midis deklaratave të ndritshme të Profetit (s.a.s.) zë vend edhe kjo specifikë: Po pati epërsi mashkulli, fëmija do të bëhet mashkull, po pati epërsi femra, fëmija do të bëhet femër. Disa këtë porosi, si pasojë e të moskuptuarit, e kanë kushtëzuar ndaj interpretimit dhe komenti të gabuar. Me fjalën mashkull kanë kujtuar burrin dhe me fjalën femër, gruan. Një epërsi e tillë s’ka asnjë kuptim. Ndoshta kuptimi duhet të jetë kështu: Nëse në vezë futet spermatozoidi mashkull, fëmija do të lindë mashkull, nëse futet spermatozoidi femër[2], fëmija lind femër. Kjo është një porosi e pranuar si një nga mrekullitë diturore të Profetit dhe shkencëtarët e ditëve të sotme e pranojnë këtë çështje në formën siç është shprehur. Ata që e quajnë veten se dinë të vërtetën pse njohin një çështje pasi shkaqet e saj të jenë bërë kaq të qarta, gënjejnë vetveten.
Edhe Kurani i Madhnueshëm, kur e trajton këtë çështje, thotë kështu: Ve jalemu mâ fil- erhâmi, Ai e di se ç’ka në mitra; fajla mâ do të thotë gjë, domethënë se në ajet flitet për një gjë e nuk thuhet se vetëm Ai e di në se është mashkull apo femër(!).
Providenca Hyjnore, ashtu siç e di se fëmija është mashkull ose femër, di edhe gjithçka do t’i ngjajë në jetë atij, karakterin, dobësitë dhe aftësitë dhe ç’do të bëhet më në fund, i lartë, a i poshtër[3]. Ja pra, njohja e gjithë këtyre është e posaçme vetëm për Providencën Hyjnore. Ato që përbëjnë të fshehtat, përmblidhen në gjerësinë e kuptimit të fjalës gjë. Ato të fshehta s’janë vetëm të qenit mashkull apo femër. Kurani e sheh çështjen përgjithësisht dhe komplet. Po të dish ato që hyjnë në përkufizimin që bën ai, atëherë do të thotë se njeh të fshehtën. Pretendimet pas kësaj, quhen shtrembërim i çështjes dhe dialektikë.
Këtë temë mund ta përqasim mendërisht më tepër me një shembull të tillë. Ta zëmë se pate një dru molle. Rrënjët dhe trupi i pemës të jenë nga ana juaj, kurse degët dhe gjethet të jenë të varura në anë të kundërt, pas një pengese që t’i bëjë të padukshme ato. E tani, nëse ju në pranverë ngriheni e thoni se degët e padukshme janë plot me mollë, mos vallë me këtë konkluzion tregoni se njihni të fshehtën? Apo po lajmëroni për diçka që e dinë të gjithë? Po të përballeni me një gjë të tillë, sigurisht që do të thoni se trajtuat alternativën e dytë. Në të njëjtën formë, edhe njohja e gjendjes së fetusit në mitër me anë të vërtetimit të shkaqeve konkrete, përbën një njohje të atij niveli cilësor e nuk është njohje e të fshehtës. Nuk është njohje e të fshehtës të dish për degët e padukshme të një peme me rrënjët dhe trungun të dukshëm. Të ngrihesh për të shkatërruar konkluzionin[4] e Kuranit me supozime dhe pandehma, s’është veçse kokëtrashësi dhe budallallëk.
E katërta, njeriu nuk e di se ç’do të fitojë. Këtë duhet ta regjistrojë vetëm me fitimin material. Edhe përfitimi i kënaqësive dhe i favoreve materialo-shpirtërore, përbëjnë një fitim më vete. Edhe ato që një shkencëtar apo dijetar u shton njohurive të tij, janë një fitim dhe madhësinë e kësaj e gjer ku do të shkojë kjo, vetëm Allahu e di. Disa herë lexohen vëllime të tëra pa marrë asnjë rresht njohuri, disa herë një rresht njohuri i përfton njeriut mendime dhe gjykime sa një libër dhe i shpërthen burimet e frymëzimit të njeriut.
Bashkë me këto që thamë, edhe sikur çështjen ta trajtonim vetëm në planin material, do të thoshim se, përfshi njerëzit me të ardhura fikse, askush nuk e di se sa do të fitojë nesër. Veçanërisht esnafi dhe tregtari e kanë krejt të pamundur ta dinë një gjë të tillë. Sa për ata me të ardhura fikse, ashtu siç mund të ndodhë që të ndikojë mbi të ardhurat e tyre papritmas ndonjë gjobë apo shpërblim, ashtu edhe një fatkeqësi ose një ngatërresë që mund t’u bjerë në kokë, mund t’u shkaktojë ndryshime të papritura në të ardhurat. Po mund t’u vijë nga ndonjë mik një pako me ndonjë dhuratë të çmuar pa e pasur fare në hesap një gjë të tillë që gjer pesë minuta më përpara nuk e prisnin. Ndoshta këtë pikë do ta shtjellojmë më tej me shembuj të tjerë, por, për të mos e zgjatur fjalën, po them vetëm sa thotë Kurani: Askush nuk mund ta dijë se sa do të fitojë nesër…
Dhe e pesta, ku dhe kur do të vdesë. Edhe këtë vetëm Allahu e di. Për të gjithë ne është i panjohur çasti kur do të vijë personalisht vetë Azraili ose me anë të ndihmësit të tij, do të na dalë përpara e do të na thotë: Erdhi koha…. Fundja, këtë askush s’e kundërshton…
[1] Në origjinal: mugajjebât-i hamse, pesë të fshehtat: a. Koha e kiametit, katasrofës; b. Koha e të rënit shi; c. Gjendja e fëmijës në barkun e nënës; d. Ç’do t’i ndodhë njeriut të nesërmen; e. Koha dhe vendi i vdekjes së njeriut.
[2] Spermatozoidi mashkull, spermatozoidi femër: këtu nënkuptohen spermatozoidet me kromozomet x ose y.
[3] Në origjinal: Said, shaki (arab.)
[4] Në origjinal: Hukum (arab.), konkluzion, vendim i prerë, kategorik nga pikëpamja e terminologjisë filozofike, ajetet-argumente të Kuranit, posaçërisht ato që kanë të bëjnë me cilësitë dhe atributet e Zotit dhe dogmën, janë konkluzione të nivelit të postulatit.