Të kuptuarit e mesazhit të Profetit në ditët tona

HASAN HORKUC

Në dritën e mesazhit që na ka sjellë Profeti Muhamed, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, krijimi i gjithësisë ka dy qëllime kryesore: I pari është që të bëhen të ditura të gjitha të vërtetat e arteve e të aftësive të Krijuesit në mënyrë që ne të mund t’i shprehim Atij mirënjohje e adhurim. Qëllimi i dytë është që përmes shkencave natyrore, të na bëhen të dukshme të gjitha shfaqjet e cilësive hyjnore në gjithësi, në mënyrë që të mund t’i njohim e t’i prekim ato. Duke njohur hyjnoren përmes përjetimit të shfaqjeve të saj, ne do të mbërrijmë te besimi.

Sipas besimit Islam, njerëzimi ka ardhur në këtë botë për t’u përsosur nëpërmjet mjeteve të diturisë dhe lutjes së mbështetur në besimin “e vërtetë”. Kështu, qeniet njerëzore zhvillohen gjatë jetës së tyre në tokë dhe përkryhen përmes përmbushjes së këtyre dy qëllimeve. Nëpërmjet këtyre, një njeri ia del mbanë të bëhet një qenie “e vërtetë” njerëzore.

Unë besoj se është e rëndësishme të vëmë në dukje që Islami, mesazhi i shpallur Profetit Muhamed, nuk ishte një mesazh i ri. Në të vërtetë, ai përbënte një vijimësi të mesazheve hyjnore që ishin shpallur më parë. Ai ishte “përmbushja” dhe “përsosja” e të gjitha shpalljeve hyjnore. Është mesazhi i Profetit Muhamed që e bën Zotin të njohur për njeriun dhe që na është dhuruar përmes Profetësisë dhe Islamit. “Profetësia mbart dëshminë e njëmendësisë më të gjerë e të marrëveshjes më gjithëpërfshirëse të të gjithë profetëve. Islami mbart shpirtin e feve hyjnore dhe ripohimin e tyre të mbështetur te Shpallja.”

Sidoqoftë, të kuptuarit e Mesazhit nuk është i njësuar, por i shumëfishtë. Mesazhi vetë është absolut. Të kuptuarit apo të interpretuarit e Mesazhit mund të ndryshojë në varësi të ndryshoreve si vendi dhe koha, mënyra se si është përcjellë Mesazhi apo mënyra se si ai është marrë e përftuar. Dy njerëz, secili në një gjendje të veçantë, mund të marrin të njëjtin Mesazh, por ta kuptojnë atë në dy mënyra krejtësisht të ndryshme; pavarësisht nga kjo, Mesazhi vetë mbetet absolut. Edhe ligjet e shenjta ndryshojnë në epoka të ndryshme. Në të vërtetë, në të njëjtën epokë, profetë të ndryshëm mund të shpallin, sikurse edhe kanë shpallur, një mesazh të njëjtë në thelb, por të ndryshëm në të shprehur e në hollësi. Ka pasur, madje, profetë e ligje të ndryshme në të njëjtin kontinent e në të njëjtin shekull.

Me fjalë të tjera, na duhet të jemi të hapur ndaj niveleve tejet të ndryshme të të kuptuarit që pasqyrojnë një pluralizëm të gjerë. Këtu nuk kemi të bëjmë me një qëndrim relativist, por ajo që po theksojmë është rëndësia e rolit të individit në interpretim. Urdhëresat kuranore nuk janë të përgjithshme, por absolute dhe, si të tilla, mund të përkufizohen.

Ekziston një shumëllojshmëri dhe tolerancë e madhe që mund të burojë prej këtij mesazhi. Sipas Mesazhit të sjellë te ne nga Profeti Muhamed, njerëzimi është i vetëm e i pashoq në aftësinë e tij për të shfaqur e pasqyruar të gjitha cilësitë e Krijuesit. Sidoqoftë, çdo cilësi mund të pasqyrohet në shkallë të ndryshme.

Kjo mënyrë e të kuptuarit të Mesazhit mund të zbatohet nëse marrim parasysh individin. Një njeri ka role të shumta dhe secili prej këtyre roleve shpalos cilësi të ndryshme të karakterit të tij, përfaqëson shkallë të ndryshme të shfaqjeve të shumëllojshme të cilësive të Krijuesit. Kështu, ne pranojmë dallimet në të kuptuarit e Mesazhit në të gjitha fushat e jetës, nga feja tek kombi, nga vetëpërmbajtja te shpëtimi. Kjo pikëpamje nuk është as absolutiste, as relativiste.

Një tjetër shembull për të kuptuar Mesazhin Islam është treguar në thënien e mëposhtme:

“E megjithatë, njeriu nuk është e thënë ta gëzojë dashurinë e të tjerëve për shkak të vetvetes. Ndoshta ai e gëzon këtë dashuri për cilësitë apo për veprimtarinë e vet. Si rrjedhim, nuk është e domosdoshme të pohohet se të gjitha cilësitë dhe veprimet e një myslimani janë islame dhe, nga ana tjetër, të gjitha cilësitë dhe veprimet e një jomyslimani janë joislame. Ashtu sikurse jo të gjitha karakteristikat e një individi mysliman nuk pasqyrojnë mësimet e Islamit, as cilësitë e ndjekësve të feve të tjera nuk janë të gjitha joislame.”

Kjo do të thotë se cilësitë dhe veprimet islame mund të vihen re lehtë edhe te jomyslimanët. Mesazhi për myslimanët është që nëse ata shohin te një individ cilësi në përputhje me mësimet e Islamit, duhet t’i vlerësojnë këto cilësi si të lëvdueshme, pavarësisht nga besimi që ka ky individ.

Duke besuar se Islami është udha e mesme, ne nënvizojmë rëndësinë e vetëpërmbajtjes dhe të shmangies prej lakmisë dhe teprisë duke sjellë ndër mend fjalët e Profetit: “Teprimi apo lënia mangët nuk është e mirë në asgjë. Përkorja është udha e mesme.”

Ne i pranojmë këndvështrimet, ideologjitë dhe kulturat e ndryshme. Sidoqoftë, toleranca dhe shumëllojshmëria nuk do të thonë medoemos tjetërsim apo konvertim; këto janë thjesht përbërës thelbësorë për ecurinë e mirë të një bote multikulturore.

Së fundi, Mesazhi i Profetit na mëson shpresën, dashurinë, tolerancën. Sipas fjalëve të Said Nursiut, “gjëja që më fort e meriton dashurinë është dashuria dhe gjëja që më fort e meriton urrejtjen është urrejtja. Është dashuria ajo që e bën të sigurt jetën shoqërore të njerëzve dhe që çon drejt lumturisë.” Ditët e urrejtjes e të armiqësisë janë të numëruara. Junus Emreja, një poet mistik, shprehet: “Duhet ta dashurojmë krijimin për hir të Krijuesit.”

Referencat

Said Nursi, The Words, (Stamboll: Sözler Nesriyat, 1992),

Said Nursi, “Epitomes of Light (Mathnawi al-Nuriya): The Essentials of the Risale-i Nur”, (Izmir: Kaynak, 1999)

Hasan Korkuc, “Said Nursi’s Ideal for Human Society: Moral and Social Reform in the Risale-i Nur” (PhD, Universiteti i Durhamit, 2004)

Hasan Horkuc, “New Muslim Discourses on Pluralism in the Postmodern Age: Nursi on Religious Pluralism and Tolerance”, American Journal of Islamic Social Sciences 19, nr. 2 (Pranverë, 2002)

Horkuc, “Said Nursi’s Ideal for Human Society: Moral and Social Reform in the Risale-i Nur”

Said Nursi, “The Flashes”, (Stamboll: Sözler Nesriyat, 1995)

Postime të ngashme

%d bloggers like this: