Argumente mbi Ekzistencen e Allahut (2)

Argumenti i kuptimshmërisë dhe qëllimit final

Në çdo objekt bie në sy një qëllim final, një synim, një dobi, të posaçme këto për atë objekt, si dhe fakti që në atë objekt ndiqet një rezultat; në të njëjtën kohë, qoftë edhe në një mole­kulë, madje, nuk vërehet kotësi, mungesë qëllimi dhe kuptimi si dhe ndonjë situatë që do të konsiderohej shpenzim ose shpër­dorim material apo energjitik. Mirëpo as në botën lëndore, as në botët bimore e shtazore, si dhe as në materien dhe dukuritë nuk ka vetëdije dhe përceptim e njohje që në ekzistencën e tyre të ketë kuptimshmëri dhe të ndiqet një varg i tillë qëllimesh. Atëherë, po t’ia atribuojmë këtë funksionim të vetëdijshëm në gjithësi, këtë kuptimshmëri dhe këtë varg qëllimesh finale Alla­hut, Zotit të gjithësisë, themi se mund të kemi zënë një rrugë të arsyeshme!

Argumenti i dhembshurisë, mëshirës dhe ushqyer­jes

Nevojat e të gjitha krijesave, veçanërisht të njeriut, janë të pafundme, kurse mundësia për të zgjedhur, e barabartë me zero. Ndërsa është kështu, nevojat e të gjithë nevojtarëve plotë­sohen nga një vend i pashpresuar dhe në një mënyrë të pa­shpresuar, në sasinë dhe cilësinë e kërkuar. Dërgimi i ndihmës e vërteton hapur faktin se ndihma e dërguar i përgjigjet plotë­sisht nevojës dhe, kështu, është një dorë dhembshurie ndaj çdo krijese më e afërt se vetvetja, që u përgjigjet nevojave. Kjo dhe­mbshuri, mëshirë dhe ushqyerje sistematike që vepron në tërë gjithësinë dhe që ka për të vepruar gjer në pafundësi, tregojnë për një Individualitet të Shenjtë me atribute që i japin mundësi për t’i kryer të gjitha këto punë, si dhe të pastër prej atributeve që shprehin mangësi dhe relativitet, dhe e vërtetojnë Atë.

Argumenti i ndihmës reciproke

Nga më të largëtit nga njëri-tjetri gjer te më të afërtit, të gjitha krijesat vrapojnë në ndihmë të njëra-tjetrës. Në një ndihmë të tillë, dy qenie të gjinive dhe llojeve të ndryshme që s’kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, bëhen pothuajse si pjesë të një të tëre du­ke e plotësuar njëra-tjetrën. Mendoni se si bakteriet, krimbat dhe dheu bashkohen me të njëjtin qëllim në ndihmë të bimëve, gjë që përsëritet pa pushim. Kjo veprimtari e këtyre qenieve pa mendje dhe vetëdije që e lë pa mend mendjen dhe të mahnitur vetëdijen, na shpalosin para syve të vërtetën se në planin e pa­sëm të saj është veprimtaria plot urtësi e një Individualiteti që është Qenie e Domosdoshme. E shprehur ndryshe, me gjuhën e kësaj ndihme reciproke, tërë gjithësia thotë “Allah”!

Argumenti i pastërtisë

Pastrimi dhe pastërtia që vërehen nga njeriu në qiell e gjer në thellësitë e kozmosit, si një argument më vete, na tregojnë për një Individualitet të quajtur i Shenjtë[1].

Bakteriet, insektet, milingonat dhe sa e sa kafshë grabitqare që e pastrojnë tokën, era, shiu dhe bora, ajzberget dhe peshqit në dete, atmosfera dhe vrimat e zeza në kozmos, oksigjeni që na e pastron gjakun dhe frymëzimet shpirtërore që na e shpë­to­jnë shpirtin prej shqetësimeve, na informojnë paprerë mbi em­rin i Shenjtë, i Pastër dhe, pas këtij emri na tregojnë Indivi­dua­litetin e Shenjtë!

Argumenti i fytyrave

Ndërsa çështjen, në fakt, mund ta përgjithësojmë në të gjitha krijesat, për ta ngushtuar dhe konkretizuar më mirë, le ta traj­tojmë atë duke u përqëndruar vetëm te njeriu dhe vetëm te fy­tyra e tij që është karakteristika më e qartë dalluese që e bën të veçantë çdo individ njerëzor nga tjetri.

Fytyra e një njeriu, kushdoqoftë ai, gjer në hollësitë më të vogla, nuk i përngjet absolutisht askujt prej miliarda njerëzve para tij. Ky rregull vlen edhe për njerëzit që kanë për të ardhur në botë pas tij. Të vizatosh në një sipërfaqe krejt të vogël miliar­da portrete të njëjta në një aspekt, por të ndryshme nga njëri-tjetri në një aspekt tjetër dhe pastaj ta veçosh njërin ndër mili­arda portrete të mundshme për t’i ngjarë njëri-tjetrit dhe çdo gjë ta vësh në një rrugë dhe formë ndër rrugë dhe forma pafundë­sisht të ndryshme, e gjitha kjo është, sigurisht, një shpallje e Zo­tit që e njeh gjer në imtësi çdo qenie që e krijon dhe që zotëron dijen dhe mundësinë për t’i dhënë asaj qenieje formën që dë­shiron, një shpallje aq e fuqishme sa ta dëgjojnë edhe shurdhët! Po, krijimi i organeve të një fytyre, të ndryshme nga organet e fytyrave të tjera dhe pajisja e çdo syri me një veçori dalluese absolutisht nga të gjithë sytë e tjerë, i tregon dhe ia bën të njohur çdo njeriu me ndërgjegje, qoftë ai edhe pa dritë në sy, Individualitetin që i krijon të gjitha këto dhe i pajis me urtësi të pafundme!

Argumenti i shtytjes hyjnore

Sapo del nga veza, biba mundet të notojë. Milingonat që da­lin nga fshikëza, fillojnë menjëherë të rrëmojnë korridor. Bleta mund t’i thurë brenda një kohe shumë të shkurtër hojet që janë një mrekulli arti, po kështu, merimanga mund ta thurë rrjetën e saj aq të hollë. Nga të gjitha këto kuptojmë se këto dhe të tjera kafshë të ngjashme i kryejnë këto veprime me anë të informaci­oneve që u jepen në një botë tjetër dhe të aftësive të bashkë­li­ndura. Mirëpo nuk ndodh aspak kështu me njeriun, i cili është i detyruar ta mësojë gjithçka në këtë botë, megjithëse është krije­sa më e përsosur për sa u përket aftësive dhe mundësive! Kjo do të thotë se krijesat e tjera nuk i kanë ato aftësi dhe mundësi nga vetja, por ua ka dhuruar Individualiteti që e bën çdo gjë me kuptim dhe urtësi!

Të vegjlit e ngjalave që i lëshojnë vezët disa kilometra larg dhe kthehen, sapo dalin nga veza, vihen në rrugë dhe e gjejnë nënën sikur ta kishin vënë aty me duart e veta! Me ç’mund të shpjegohet kjo veçse me shtytjen hyjnore? Po qe se kjo mrekulli që e shohim te kafshët shpjegohet vetëm e vetëm si një e dhënë e Allahut, Zotit të gjithësisë, atëherë ky shpjegim mund të shihet si racional dhe logjik, ndryshe, çdo interpretim tjetër mbetet thjesht një përçartje!

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: