ZEKATI NË BEREQETET TOKËSORE

Të gjithë dijetarët myslimanë, duke u mbështetur në argumentet themelore të sheriatit islam, janë njësuar në mendimet e tyre për detyrueshmërinë e dhënies së zekatit për bereqetet (prodhimet) tokësore që merren nga ajo. Këtë e vërteton ajeti Kur’anor që thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَنْفِقُوا مِنْ طَيِّبَاتٍ مَا كَسَبْتُمْ وَ مِمَّا أَخْرَجْنَا لَكُمْ مِنَ الأَرْضِ

O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që fituat dhe nga ajo që nxorëm për ju prej tokës” (Bekare: 267).

 Pastaj ajeti tjetër Kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:

وَ آتُوا حَقَّهُ يَوْمَ حَصَادِهِ

..dhe ditën e korrjes (vjeljes) së fryteve jepeni atë pjesë që është detyrim.” (En’am: 241)

Argument nga Syneti i Profetit a.s. për detyrueshmërinë e zekatit në bereqetet e tokës kemi hadithin, në të cilin Profeti a.s. ka thënë:

فِيمَا سَقَتِ السَّمَاءُ وَ الْعُيُونُ أَوْ كَانَ عَثَرِيًّا الْعُشْرُ وَ مَا سُقِيَ بِالنَّضْحِ نِصْفُ الْعُشْرِ

Në atë që ujitet nga qielli apo burimi ose është afër ujit jepet ushru (1/10 ose 10%), kurse në ato që ujiten me mjete të ujitjes, gjysmë ushri (gjysma e 1/10 ose 5%).” (Buhariu)

Nga ky hadith i Profetit a.s. nënkuptohet se detyrueshmëria e zekatit në bereqetet që dalin nga toka e që ujiten vetvetiu nga qielli, pa përdorimin e fuqisë dhe shpenzimeve, jepet 10 %, kurse për ato që përdoren shpenzime, siç është sistemi i ujitjes, motorë të ndryshëm, etj., jepet 5 %. 

Kushtet e zekatit në bereqetet tokësore

Dijetarët islamë, kur diskutuan për kushtet të cilat duhet plotësuar për dhënien e zekatit në bereqetet tokësore, i ndanë mendimet e tyre. Sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefi, krahas kushteve të përgjithshme për detyruueshmërinë e zekatit, për zekatin në bereqetet tokësore duhen plotësuar edhe këto tri kushte:

  1. Që toka nga e cila përfitohet bereqeti, të jetë tokë ushrije[1] e të mos jetë tokë haraçije[2], sepse sipas dijetarëve të medhhebit hanefi nuk mund të bashkohen ushri dhe haraçi, kurse sipas shkollave të tjera juridike mund të bashkohet ushri me haraçin. Argumenti ku dijetarët Hanefi mbështesin mendimin e tyre, është hadithi i transmetuar nga Ibn Mes’udi, e ky nga Profeti a.s., i cili ka thënë: “Nuk bashkohen ushri dhe haraçi në tokën e myslimanit.
  2. Që bereqeti i dalë nga toka të jetë realitet e jo i imagjinuar.
  3. Që prodhimi që e dhuron toka të jetë me qëllim shfrytëzimi, kultivimi e përpunimi i tokës dhe fryteve që bart, që nënkupton se për prodhimet e rritura vetvetiu në natyrë nuk jepet zekat, siç janë bari, drurët etj.

Nisabi në bereqetet tokësore

Dijetarët myslimanë, kur biseduan për nisabin dhe për cilat produkte që duhet të jepet zekat, i ndanë mendimet e tyre.

Sipas mendimit të Ebu Hanifes, nisabi nuk është kusht për dhënien e zekatit nga bereqetet tokësore, andaj jepet zekat si për të shumtat ashtu edhe për të paktat. Ky mendim mbështetet në gjithëpërfshirjen e argumenteve që detyrojnë dhënien e zekatit për bereqetet tokësore, që nënkupton se nuk përcaktohet nisabi për dhënien e zekatit, e kjo vërteton se zekati në bereqetet tokësore jepet si për shumicën ashtu edhe për pakicën.

Sipas mendimit të Imam Ebu Jusufit, imam Muhamedit dhe shumicës së juristëveve myslimanë të fushës, nisabi është kusht për dhënien e zekatit për prodhimet bujqësore që kanë farë dhe fryt, të cilat qëndrojnë një vit pa u prishur edhe pa kurrfarë interesimi për ruajtjen e tyre. Në këtë grup prodhimesh bëjnë pjesë gruri, orizi, misri etj. Sipas tyre, nuk jepet zekat nëse nuk plotësohet nisabi. Ky mendim mbështetet në hadithin e Profetit a.s., i cili ka thënë: “Nuk ka zekat në më pak se pesë eusek.” Aktualisht, nisabi për  bimët dhe frutat është 1092 kg.

[1]. Tokë ushrije, konsiderohet çdo tokë që banorët e saj e kanë pranuar Islamin dhe kanë ngelur pronarë të saj, ose çdo tokë që është çliruar me luftë e më pas ajo u është ndarë myslimanëve. Quhet tokë ushrije, sepse prej bereqeteve të saj jepet zekat 10%.

[2]. Tokë haraçije konsiderohet çdo tokë e cila është çliruar me luftë, por toka u është lënë në pronësi pronarëve të tyre, duke i detyruar ata të paguajnë haraçin.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: