ZEKATI
Allahu i Plotfuqishëm ka thënë:
خُذْ مِنْ أَمْوَالِهِمْ صَدَقَةً تُطَهِّرُهُمْ وَ تُزَكِّيهِم بِهَا
“Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’ua shtosh të mirat.” (Et-Teube:103)
Nocioni “zekat” në kuptimin leksiksor do të thotë: “shtim, rritje dhe pastrim”, kurse me nocionin “ez-zekatu” në aspektin terminologjik të sheriatit islam nënkuptohet: “Shpronësimi për hir të Allahut i një pjese të caktuar të pasurisë, nga pasuria e veçantë, për llogari të personit të veçanë që e ka përcaktuar Ligjvënësi (Allahu).” Kuptimi terminologjik i fjalës zekat ka edhe elemente të kuptimit gjuhësor, sepse zekati është detyrim i çdo myslimani që ka mundësi materiale për të bërë pastrimin nga mëkatet.
Nëse dëshirojmë të bëjmë bashkimin mes dy kuptimeve, gjuhësor dhe terminologjik, vërejmë se ekziston lidhshmëri e plotë në mes këtyre dy kuptimeve. Zekati do të thotë pastrim: me dhënien e një pjese të pasurisë bëhet jo vetëm pastrimi i pasurisë së atij myslimani që jep, por edhe pastrimi shpirtëror dhe i ndjenjës instiktive të zemërimit të myslimanit që merr zekat. Në anën tjetër, ajo pak pasuri që e nxjerr për zekat, shton vlerën dhe bereqetin e pasurisë së ngelur, kurse pronari i saj s’ka dyshim se meriton të jetë i lavdëruar tek Allahu xh.sh.. Allahu i Plotfuqishëm:
خُذْ مِنْ أَمْوَالِهِمْ صَدَقَةً تُطَهِّرُهُمْ وَ تُزَكِّيهِم بِهَا
“Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’ua shtosh të mirat.” (Et-Teube:103)
Zekati është një nga shtyllat kryesore të Islamit, andaj ai që e rrënon këtë shtyllë konsiderohet se drejtpërdrejt e ka sulmuar dhe e ka dëmtuar Islamin, kurse ai që e mbështet këtë shtyllë, drejtpërdrejt fuqizon Islamin. Zekati para së gjithash është adhurim, andaj myslimani përveçse detyrimit për kryerjen e këtij adhurimi, njëkohësisht ai detyrohet edhe me kujdesin sesi duhet ta kryejë atë.