VEÇORITË E SAHABËVE

Sahabët që Allahu xh.sh ia zgjodhi dhe ia dhuroi të Dërguarit të Tij s.a.s ishin individët më të mbarë në krejt shoqërinë. Edhe Kur’ani Famëlartë e shpreh qartë se umeti i Profetit Muhamed s.a.s është më i nderuari ndër gjithë umetet.

“Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun. Sikur ithtarët e Librit të besonin, do të ishte më mirë për ata; ka prej atyre besimtarë të vërtetë, por shumica e tyre janë larg udhës së drejtë.”[1]

Sipas asaj që është transmetuar, në kohën e hilafetit, Omeri r.a ka thënë këto fjalë kur është rrekur që t’i jape kuptim këtij ajeti: “Po të donte Allahu (xh.xh.) në vend të frazës “ju ishiť në ajet, mund të përdorte trajtën e saj “jeni ju dhe kësodore, në përmbajtjen e këtij ajeti mund të ishin të përfshirë të gjithë. Mirëpo, me atë “ju ishit” del mjaft qartë se me këtë nënkuptoheshin vetëm sahabët. Andaj, kush u ngjan atyre, duke kryer vepra si ato që bënë ata, arrin të bëhet pjesë e bashkësisë më të mbarë, më fisnike e më të përzgjedhur të gjithë njerëzimit.”

Në një transmetim tjetër, Omeri r.a, në kohën e Haxhit, pasi kishte parë disa sjellje të pahijshme prej disa njerëzve, u pati lexuar atyre këtë ajet, duke shtuar: “O njerëz, kush dëshiron që të jetë prej asaj bashkësie të cilën e ka përzgjedhur Allahu (xhelle sha’nuhu), t’i plotësojë të gjitha konditat që parashtron përfshirja brenda saj.” Kësodore ai e pati këshilluar popullin e tij, që në çdo veprim, qoftë përsa i përket udhëzimit për mirë apo ndalesës nga e keqja, qoftë në çfarëdolloj çështjeje tjetër, ata të merrnin si shembull sahabët, duke bërë çmos që t’u ngjanin atyre sa më shumë.[2]

I Vërteti Allah xh.sh, i Cili i njeh më së miri zemrat e njerëzve, zgjodhi pikërisht Muhamedin s.a.s, Krenarinë e Njerëzimit, për ta përgëzuar me detyrën e profetësisë. Mandej, sërish duke i vështruar zemrat e njerëzve zgjodhi bashkësinë e sahabëve që të ishte e denjë për të qenë umet i Profetit Muhamed s.a.s, duke bërë që të ishin ata ndihmëtarët e parë të fesë islame, me përfaqësimin sa më të përkryer të asaj që do të ishte feja e madhërishme e Allahut xh.sh. Andaj, për sa i përket kënaqësisë së Allahut, kush i pëlqen e i merr shembull sahabët është i pëlqyer, e kush nuk i pëlqen si shembullin, ai nuk mund të jetë i tillë.[3]

Abdullah ibni Omeri r.a, një prej prijësve të sahabëve, teksa flet për ta, ai shprehet me këto fjalë: “Ata që duan të ndjekin një rrugë të drejtë, le të ndjekin rrugën e të parëve të tyre. E ata janë sahabët fisnikë të të Dërguarit të Allahut s.a.s. Ata janë më të mirët e umetit të tij. Më të thellët, për sa i përket dijes, më të pastrit nga zemra; me pak fjalë, njerëz për të cilët është i pamundur kundërshtimi i ndonjë prej cilësive të tyre. Ata janë një shoqëri aq e lartë, sa që Allahu i Madhërishëm i pa ata të denjë për Profetin e Tij më të zgjedhur, Muhamedin s.a.s. Ishte pikërisht kjo shoqëri me të cilët Ai e mishëroi fenë e Vet. E meqë është kështu, ejani edhe ju, përftoni moral prej moralit të tyre, e ecni në të njëjtën rrugë ku ecën dhe ata, sepse ata nuk janë tjetër, veçse shoqëria më e zgjedhur e Profetit tonë të dashur s.a.s. Ju betohem për Zotin e Qabes, se ata patën ecur në rrugën e drejtë.”[4]

Përmendorja e madhe e dijes, Abdullah ibni Mesudi r.a, i cili ishte i afërm me të, aq sa t’i hynte pa teklif (drojë) në banesë, kaq mprehtë i qorton tabiinët: “Ju si tabiinë ndoshta mund të agjëroni edhe më tepër se sahabët, mund të falni më shumë namaz, e mund të lodheni më tepër sesa ata duke i shërbyer Islamit. Por mos harroni se ata ishin gjithsesi më të mirë e më të mbarë se ju.” E kur e pyetën se përse ishte kështu, ai iu përgjigj: “Sepse ata (me zemër) nuk ishin asfare të interesuar për asgjë të kësaj bote, e jashtëzakonisht të dhënë pas jetës së përtejme.”[5] Çdonjërit prej dijetarëve ndër sahabë që do t’i bënit një pyetje, përgjigjja që do të merrnit do të ishte përherë e njëjta përgjigje. Gishtërinjtë e tyre tregonin përherë kah varret e Ebu Bekrit r.a dhe Omerit të nderuar r.a.[6]

Një ditë, Aliu r.a u fali besimtarëve namazin dhe iu drejtua xhematit të tij me këto fjalë: “Unë i kam parë sahabët e Profetit tonë të dashur s.a.s dhe i kam njohur shumë mirë të gjithë një e nga një. E sot unë nuk shoh askënd që t’u ngjajë atyre. Uallahi atyre u shterej fuqia nga të falurit namaz pareshtur, flokët u djersiteshin e u shprisheshin, ndërsa fytyra u pluhurosej nga tërë ato ulje të njëpasnjëshme në sexhde. E gdhinin çdo ditë, ose duke lexuar Kur’an, ose duke falur namaz. Me t’u përmendur Allahu në praninë e tyre, ata fillonin të lëkundeshin sikur degët e pemëve kur fryjnë erëra të forta. Nga sytë u derdheshin lot sikur të ishte duke rënë shi i dendur, uallahi, ju betohem, aq shumë lot derdhnin, sa që edhe teshat në trup u lageshin. Të më besoni, më vjen keq, por unë besoj se sot njerëzit i kalojnë netët e tyre të topitur e larg kësoj ndjenjash.”[7] Pasi tha këto fjalë, Aliu r.a u ngrit për tu larguar së andejmi, e deri në ditën kur ra dëshmor nga dora e të shthururit armik të Allahut, Ibni Mulxhemit.

 

[1] Al ‘Imran, 3/110

[2] El-Hindi, Kenzul-Um’mal, 2/492.

[3] Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/375

[4] Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/305-306

[5] Ebu Nu’ajm, Hilje, 136

[6] Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/307

[7] Ibn Kethir, el Bidaje, 8/6

Postime të ngashme