Ushtarët e shejtanit

I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të pohon se shejtani nuk kënaqet me asgjë tjetër, aq sa kënaqet nga prishja e një çerdheje familjare. Tekstualisht, hadithi në fjalë është kështu: “Iblisi e ka të ngritur mbi ujë fronin e tij ndërsa punët i bën duke dërguar kasnecët e vet sa majtas djathtas (Disa prej këtyre kasnecëve e dërgojnë atë të hajë prej kamatës, një tjetër fillon të sundojë në syrin e tij, duke e detyruar të shohë nga gjërat e ndaluara, kësodore ia nxit njeriut ndjenjat që të shpien në bohemi, për ta bërë atë një rendës pas ndjenjave epshore; një tjetër e detyron të gënjejë, të përflasë të tjerët kur ata nuk janë të pranishëm, apo edhe të shpifë për çështje të ndryshme.) Në nivel, me të janë më afër ata që fusin spica për grindjen më të madhe. Të gjithë mblidhen përreth Iblisit, dhe fillojnë të rrëfejnë ato që kanë bërë: “Unë bëra këtë, atë…”, ndërsa Iblisi i përgjigjet: “Gjë të madhe paske bërë!” (Në fakt, djalli i pëlqen të gjitha llojet e gjynaheve. Sepse tek çdo gjynah fshihet një shteg që të shpie kah kufri, mohimi. Çdo gjynah i kryer lë një njollë si pikë të zezë në zemrën e njeriut. Njëkohësisht, dikush që kryen një mëkat, largohet edhe një hap më shumë prej Allahut, vetëm se shejtani pret më tepër prej ushtarëve të vet.)
Pastaj vjen një tjetër dhe thotë: “Nuk iu shqita filanit, derisa e ndava më në fund nga e shoqja.” Iblisi kënaqet aq shumë prej këtyre fjalëve, sa e thërret menjëherë pranë, për t’i thënë: “Sa fantastik je!”, e një lumë me komplimente të tjera. (Muslim, munafikun, 67; Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 3/314) (Ja tek e kemi këtu një shenjë për një çështje që përbën një prej sëmundjeve dhe fatkeqësive më të mëdha shoqërore.)
Domethënë, aq e rëndësishme është për shejtanin shkatërrimi i një familjeje, saqë vetë djalli i derdh komplimente ushtarit të tij që nxit diçka të këtillë, të cilat nuk ia derdh një tjetri që mund të ketë nxitur diç tjetër të ndaluar. Madje, edhe e shpërblen me ndonjë medalje. Mirëpo, pse qenka kaq e rëndësishme për shejtanin kjo çështje? Sepse, ai duke shkatërruar një familje, nuk rrënon vetëm jetën e dy njerëzve që përbëjnë një çift, por edhe të fëmijëve, prindërve dhe të afërmve të tyre, kësodore deri në një prizëm që mund të përfshijë gjithë shoqërinë.
Sepse kur shpërndahet familja, e cila është si një molekulë e shoqërisë, edhe në shoqërinë si tërësi fillojnë të shfaqen plasaritje, e kështu shoqëria fillon të pësojë deformime të njëpasnjëshme. Mandej, çifti i ndarë fillon të përbëjë shembull të keq për të tjerët përreth, duke u shpërndarë si virus edhe në familjet e të tjerëve. Në dukje, shejtani ngjan sikur kryen vetëm një mashtrim të vogël, por me të ai ia arrin që të rrënojë shumë themele njëkohësisht.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: