Të qenët i dhënë pas fëmijës duhet të bëhet shkas për lumturinë e tij të përjetshme

Kur ne e dimë fare mirë, se fëmijët, të cilët janë secili nga një pasqyrë më vete e “krijimit në trajtë të përsosur”, janë nga një amanet prej Allahut (xh.xh.). Nëse duhet t’i duam, duhet ta bëjmë këtë për hir të artit të Artistit që i krijoi dhe prej të Zotit, që na i fali. Dhe ç’është më e rëndësishmja, këtë dashuri dhe dhembshuri tonën duhet ta përdorim për t’i formuar ata me edukatën islame, meqenëse ata janë krijuar për të qenë kandidatë potencialë të përsosurisë së synuar thelbësisht prej Krijuesit. Me fjalë të tjera, që ata të rriten në udhë të drejtë, të jetojnë veçse në rrugë të drejtë, duke u kthyer me ngadalë në nga një shembull më vete të mishërimit të rrugës së drejtë. Nënat dhe baballarët, kur i përkëdhelin apo kur u ledhatojnë baluket fëmijëve të tyre, duhet t’u pëshpërisin atyrë në vesh gjithnjë këto të vërteta, që ata të mos tregohen rebelë karshi Zotit, të mos bien pre e mashtrimeve të mosnjohjes së fesë, çka do të ishte një ngritje kryesh që do t’u shkaktonte atyre humbjen e jetës së amshuar. Sepse prindërit janë përgjegjësit e parë, të cilët duhet të kujdesen për çdo gjë të nevojshme, që fëmijët e tyre të kthehen një ditë tek Zoti poashtu, të pastër, siç u patën ardhur foshnje. Sepse edhe realizimi i këtyre është një tjetër fytyrë e tregimit të dashurisë për fëmijet, për shfaqjen e të cilës nuk ka, jo vetëm kurrfarë problemi, por edhe kurrfarë kufiri.

Mirëpo, në në agjendën prindërore të njeriut nuk gjendet asnjëra syresh, nëse ai është lidhur pas fëmijës sikur me një idhull të vetin, duke e lidhur medoemos çdo gjë të kësaj bote me fëmijën e vet, asisoj që veç të ketë një mundësi që të flasë për të, ky njeri, që mund të thotë se i beson, si Allahut, ashtu edhe Profetit të Tij, pa e kuptuar as vetë, e ka përfshirë veten në një sjellje të pakëndshme idhujtarie. Për askënd që artikulon fjalën e dëshmisë, “Nuk ka zot tjetër veç Allahut, dhe Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij”, nuk mund të thuhet se ka rënën në idhujtari, mirëpo për të mund të thuhet se bart mbi vete një cilësi nga të idhujtarit, vetëmse prej qëndrimit karshi fëmijës. Shihni se si shprehet Profeti ynë i Dashur (s.a.s.) në një fjalë të Tijën që hedh dritë mbi këtë çështje: “Ajo, të cilës i frikësohem më shumë për ju, është idhujtari e vogël.” Ndërsa, kur e pyesin, se ç’është kjo idhujtari e vogël, Ai u përgjigjet: “Dyfytyrësia, dëshira për t’u dukur.” Njeriu mund të bjerë pre e dëshirës për të treguar veten nëpërmjet fëmijës së tij. E njeriu, ashtu siç mund të bjerë në idhujtari të vogël, duke dashur të bëjë të dallueshme bukurinë, formën, pasurinë apo çdo gjë tjetër të tijën, mund të përpiqet poashtu, që këtë dëshirë për t’u dukur ta ta përmbushë nëpërmjet shpërfaqjes së fëmijës.

Nëse do të na duhej, që këtë çështje ta ilustronim me shembuj konkretë, shprehja e vetes nëpërmjet mimikës është një lloj dëshire për t’u dukur. Kryerja e adhurimeve në prani të të tjerëve me një kujdes më të madh prej atij të shfaqur gjatë kohës kur i kryen vetëm është një tjetër shfaqje e dëshirës për t’u dukur. T’ia bësh të ditur gjithë të tjerëve një sërë punimesh të bukura pene, fjale a vizatimi, është një tjetër shfaqje e dëshirës për t’u dukur. Dhe sidomos, nëse përpiqet që fjalët e thëna t’i lëmojë edhe me shprehje të kadifenjta, si “me përpjekjet e mia modeste, me aftësitë e mia të cunguara, etj.”, kjo është shfaqja e një mendjemadhësie edhe më të thellë. Në thelb, edhe përpjekja e njeriut për ta nxjerrë veten në pah nëpërmjet fëmijës së tij nuk se ka kushedi ç’ndryshim prej shembujve të sipërpërmendur. Ky njeri, do të thotë se po e ndot dashurinë e tij për fëmijën e vet, qoftë djalë apo vajzë, me mëkatin e idhujtarisë. Për mendimin tim, një besimtar duhet të tregojë po të njëjtin kujdes që tregon edhe për të ruajtur cilësitë e tij prej besimtari, apo kur përpiqet për të ruajtur nderin e tij personal apo të familjes. Duhet të përpiqet, që t’i ruajë ndjenjat dhe mendimet prej çdo gjëje që përbën dyshim përsa i përket sinqeritetit të tij, qoftë kjo përballë mendjemadhësisë dhe dëshirës për t’u dukur, qoftë përballë krenimit apo kërkimit të duartrokitjeve. Sepse secila prej tyre është nga një cilësi prej idhujtari. Prania e një cilësie prej idhujtari në shpirtin e një njeriu i ngjan pranisë së një virusi të rrezikshëm në trupin e tij. Disa syresh mund të shkaktojnë veç grip, mirëpo disa të tjera mund të shkojnë gjer aty, sa të shkaktojnë kancer apo AIDS. Andaj, nga ky këndvështrim, njeriu nuk duhet të nënvleftësojë asnjë prej cilësive të mohimit apo idhujtarisë, madje nuk duhet t’i japë mundësi as shfaqjes së ndonjërës prej tyre në jetën e tij të zemrës apo të shpirtit.

Megjithatë, padyshim, që një njeri që tregon një dashuri kaq të thellë karshi familjes së tij, megjitëse mund të jetë bartës i një cilësie prej idhujtari, nuk mund të thuhet kurrsesi prerazi, se ai njeri është një idhujtar. Kur vdes, një njeri i këtillë padyshim që hyn në Xhenetin e amshuar. Allahu i madhërishëm, Ai (xh.sh.) e di më mirë këtë punë, nuk sillet me të si me një idhujtar. Mirëpo, tevona prej kësaj cilësie prej idhujtari, e pranishme në shpirtin e tij, duhet pasur shumë kujdes. Sepse, qoftë edhe një virus i thjeshtë gripal, të cilit nuk i bëhet kurimi i nevojshëm, mund të përbëjë një rrezik të atillë, saqë mund të çojë gjer në vdekje. Kështu, njeriu nuk duhet t’i hapë rrugë hyrjes së asnjë virusi në trupin e tij, sepse ata bien ndesh me prirjen që njeriu ka për t’u ngjitur drejt përsosurisë. Kur ato t’i trokasin në portë, ai duhet të jetë përherë i gatshëm, që t’ua mbyllë portën në fytyrë, duke u thënë: “Mos u lodhni më kot, se porta ime është e mbyllur për ju.”

Mirëpo, përse duhet, që njeriu të tregohet kaq shumë i kujdesshëm dhe përherë në gatishmëri karshi idhujtarisë? Sepse nganjëherë kjo prani e idhujtarisë është aq shumë e vogël tek njeriu, saqë ai nuk është në dijeni të saj, ndaj edhe nuk i jep shumë rëndësi. Mirëpo nuk do harruar, se mëkatet, qofshin ato edhe të vogla, ndaj të cilave nuk tregohet rëndësia e nevojshme, bëhen edhe më të mëdha edhe se vetë mëkatet e mëdha. Mëkatet e vogla që nënvlerësohen bëhen edhe më të rrezikshëm se mëkatet e mëdha, të cilat i dimë. Mirëpo, në këtë situatë, njeriu që i di mëkatet e mëdha dhe që i merr ato me tërë seriozitetin e nevojshëm, përulet menjëherë dhe i drejtohet Allahut (xh.sh.) me ndjenjat më të thella të pendesës. Ndërsa kjo i nxit atij ndjesinë për t’u përballur po njësoj me të gjitha mëkatet e mundshme, çka e bën të jetojë një jetë të kaluar në çdo çast të saj në gatishmëri dhe me gjithë kujdesin e nevojshëm.

Ja pra, megjithëse dobësia e nënës dhe e babait karshi fëmijës mund të lindë në përmasa mjaft të vogla si fillim, nëse ata nuk arrijnë ta ruajnë masën dhe drejtpeshimin, mund të kthehet në një problem që sa vjen e zmadhohet në të ardhmen. Këtu, për t’u kuptuar më mirë kjo çështje, mund të biem një shembull rreth një gabimi në të cilin ranë njerëzit që jetonin përpara popullit, për udhëzimin e të cilëve qe dërguar Profeti Nuh (a.s.). Ju e dini, që gjatë asaj periudhe, mes atij populli kanë jetuar edhe disa njerëz të vyer, si Uedd-i, Jagusi, Ja’uku dhe Nethri. Edhe një varg njerëzish të tjerë, të cilët i kanë ndjekur nga pas këta njerëz, jeta e të cilëve është kthyer në legjendë për gjuhët e njerëzve. Mirëpo, njerëzit e ardhur pas tyre, njëfarësoj për t’i kujtuar virtytet e tyre sa më shpesh e për t’i pasur përherë udhërrëfyes të udhës së tyre, i patën varur portretet e tyre në muret e shtëpive. Ky mendimi, i cili në thelb ngjason të jetë krejt i pafajshëm, me kalimin e kohës i cyti ata që të nisnin nga përnderimet karshi tyre, derisa kjo solli si rrjedhojë që nisën t’i receptonin si hyjni. Një kënd fillimisht i vogël, me largimin prej qendrës, krijoi një prerje këndore akoma edhe më të gjerë, çka ua ndryshoi krejt këndvështrimin këtyre njerëzve. Kështu që, njeriu nuk duhet ta teprojë asnjëherë, ose thënë me fjalë të tjera, nuk duhet ta kalojë cakun me dashurinë e tij, qoftë karshi fëmijëve të vet, qoftë karshi njerëzve të tjerë të dashur.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: