Të ndash në rrugën e Allahut

Ramazani është një muaj që duhet vlerësuar në mënyrën më frytdhënëse të mundshme, si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës. Një nga rrugët e vlerësimit të tij është edhe që të ndash sa më shumë nga ç’është e jotja në rrugën e Allahut.

Siç e transmetuam edhe më herët, ibni Abasi, kur përshkruan Ramazanin e të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi Të), thotë kështu:
“I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ishte më bujari ndër njerëz. Dhe koha kur Ai ishte më bujar se kurdoherë, ishte koha kur me të takohej Xhebraili i Nderuar (alejhis’selam), takoheshin me Profetin tonë çdo natë dhe këndonin Kuran përballë njëri-tjetrit. Prandaj, gjatë këtyre ditëve, i Dërguari i Allahut bëhej më bujar edhe se erërat bujare që fryjnë pa njohur pengesë.”

Besimtarët, të cilët e merrnin Profetin tonë të Nderuar (pqmT) shembull në çdo veprim të Tij, përpiqeshin që të jepnin sa më shumë në rrugën e Allahut edhe ata gjatë këtij muaji. Po, megjithëse zekati sipas masës së karatëve të arit ishte detyrim një vit më pas, besimtarët tregoheshin shumë të kujdesshëm që ta jepnin zekatin gjatë këtij muaji, në mënyrë që të fitonin sa më shumë prej shpërblimeve të tij. Me sadakatë e shumta dhe të mirat e dhëna në rrugën e Allahut gjatë këtij muaji, bëheshin përpjekje që t›u fitohej zemra sa shumë njerëzve në radhët e të varfërve, jetimëve, nxënësve, të moshuarve dhe atyre që ishin në nevojë. Sepse, siç e nënvizuam edhe më parë, shpërblimi i punëve të kryera gjatë këtij muaji do të jepet shumëfish herë më shumë.

Në fakt, çdo punë e mirë, materiale apo shpirtërore, që kryhet për të fituar kënaqësinë e Allahut, është quajtur sadaka. Sadakaja, e cila është trajtuar mjaft gjerësisht në Islam, ka disa forma. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) thotë kështu:
“Çdo kyç i njeriut kërkon një falënderim të veçantë. Prandaj ia vlen sikur çdo ditë të jepet diçka për hir të falënderimit për të. Edhe të gjykosh drejt në mosmarrëveshjen mes dy vetëve është një lloj sadakaje. Edhe sikur ti vish në ndihmë dikujt që kërkon të hipë në kafshën tënde të barrës dhe ti e merr atë mbi kafshën tënde, apo ia ngarkon barrët e tij mbi të, është një lloj sadakaje. Çdo fjalë e mirë që thua është një lloj sadakaje. Çdo hap që hedh drejt faltores për të falur namazin, është një lloj sadakaje. Edhe të largosh diçka nga rruga, e cila përndryshe do të pengonte dikë teksa do të kalonte atypari, është një lloj sadakaje…”

Siç shihet, domethënia e sadakasë është trajtuar shumë gjerë në këtë hadith të bekuar. Në ditët e sotme, kur thua sadaka, parasysh vjen më shumë lëmosha e dhënë në formën e një shume parash. Mirëpo besimtari duhet ta organizojë jetën në atë mënyrë që të bëjë sadaka në çdo rast dhe në çdo kusht të jetës së tij, duke e bërë atë një pjesë të pandarë të jetës së vet. Siç transmetohet nga Ebu Musa el-Eshariu
(radijallahu anh), njëherë, Profeti Fisnik ka thënë: “Dhënia e sadakasë është detyrë për çdo mysliman.” – Ata që ishin të pranishëm, e pyetën: “Po ata që nuk kanë asgjë për të dhënë, çfarë do të bëjnë, o i Dërguari i Allahut?” – Kësaj pyetjeje të tyren Profeti ynë i Nderuar iu përgjigj me fjalët: “Do të punojë, do të fitojë me mundin e duarve të veta dhe do të bëhet i dobishëm edhe për veten, por do t’u japë edhe të tjerëve sadaka.”
– Po nëse nuk bëjnë dot, as kaq, o i Dërguari i Allahut? – vijuan të pyesnin ata.
– Ndihmon dikë që ka nevojë për ndihmë, atëherë.
– Po sikur të mos ketë mundësi as për këtë?
– T’i udhëzojë njerëzit për mirë.
– Po sikur të mos ketë mundësi as për kaq?
– Të paktën të mos i bëjë askujt keq. Edhe kjo është një lloj sadakaje, – u përgjigj në fund i Dërguari i Allahut.
Për të na e ndriçuar pak më shumë horizontin, që ta kuptojmë më mirë dhe drejt vlerën që ka dhënia e sadakasë pranë Allahut, do të na vinin në ndihmë edhe këto hadithe të bekuara:
“Ruajuni nga Xhehenemi, sikur edhe me gjysmë hurme.”
“Dhënia e sadakasë nuk e pakëson pasurinë.”
“Dora që jep është më e mirë se dora që merr.”
“Sadakaja e zbut ashpërsinë e Zotit dhe e mbron njeriun nga fundi i keq.”

Ka edhe shumë hadithe të tjera, të cilat tregojnë se sa e rëndësishme është dhënia e sadakasë për një mysliman. Çdo besimtar i vetëdijshëm për këtë, veçanërisht në muajin e bekuar të Ramazanit, kur shumëfishohet shpërblimi i punëve të mira, duhet të përpiqet që të japë sa më shumë sadaka.

Gjithashtu, një lloj tjetër i sadakasë është edhe ajo që quhet “sadakaja e vijueshme”, që është shkak që në librin tonë të bëmave të jetës të shkruhen shpërblime edhe pas vdekjes. Ndërtimi i xhamive, shkollave, rrugëve, konvikteve, prej të cilave mund të përfitojnë të gjithë njerëzit; mbjellja e pemëve; lënia e veprave të dobishme, janë disa nga kategoritë e punëve që mund të përfshihen në këtë lloj sadakaje. Edhe në hadithin e të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi Të) që shenjon pikërisht këtë lloj të sadakasë thuhet:
“Kur njeriu vdes, përveç tre bëmave, shpërblimi për bëmat e tij ndërpritet. Punët që e ndihmojnë njeriun t’i shkruhen shpërblime edhe pasi ka vdekur janë këto: “sadakaja e vijueshme”, dija e tij, nga e cila përfitojnë njerëzit dhe fëmija i mbarë që lutet nga pas.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: