Ta mbash gjallë gjithë muajin e Ramazanit

Për njeriun që e mban gjallë muajin e Ramazanit të plotë Profeti ynë (pqmT) ka thënë:

“Kush e mban agjërimin e Ramazanit të bekuar duke besuar te shpërblimi i tij dhe duke e pritur shpërblimin vetëmse nga Allahu, atij i falen gjithë mëkatet e shkuara.”

Domethënë, në këto lloje adhurimesh qëllimi, sinqeriteti dhe bindja në besim janë shumë të rëndësishme, përderisa Allahu, sipas thellësisë së tyre, nganjëherë jep dhjetëfish, nganjëherë njëqindfish, e nganjëherë një milion dhe e bën shkas që njeriu të fitojë shpërblime që e kapërcejnë edhe jetëgjatësinë e tij.

Nëse do të duhej ta shpjegonim me një ilustrim, të themi që e kapët natën e Kadrit gjatë një muaji të Ramazanit dhe e jetësuat atë duke kryer adhurime të shumta. Sipas një përllogaritjeje në bazë të asaj që thuhet, me “njëmijë muaj”, ato bëjnë afërsisht tetëdhjetë vjet. Sipas kësaj ju do të fitoni shpërblime njësoj sikur të keni jetuar tetëdhjetë vite dhe të tetëdhjetë vitet t’i keni kaluar duke kryer adhurime. Kjo është një arritje dhe meritë shumë e madhe, të cilën njeriu e ka të vështirë ta përfshijë brenda jetës së tij të shkurtër.

Veçanërisht, ato janë njëmijë muaj ose tetëdhjetë vite të atilla që brenda tyre nuk ka, as vetëpëlqim, as dëshirë për t’u dukur. Sepse adhurimiin e kryer në një çast të natës dhe në një vend ku nuk ka asnjë njeri tjetër përveç teje, nuk mund ta marrë dot furtuna e vetëpëlqimit apo dëshirës për t’u dukur. Në të nuk ka mëkate të tjera; për shembull, nuk ke parë drejt së ndaluarës, nuk ke gënjyer dhe nuk ke vepruar ndesh me asnjë nga kriteret e fesë së madhe të Islamit.

Ja, një muaj që lind mbarësi kaq të rëndësishme, i këtillë është Ramazani. Unë jam i mendimit se veçanërisht për ata që i shërbejnë besimit dhe Kuranit, muaji i Ramazanit, por edhe kohë të tjera, kanë një rëndësi të veçantë. Sepse, duke qenë se ata ia kanë kushtuar shërbimit jetën e tyre, ndoshta çdo minutë, çdo sekondë e jetës së tyre, do të begatohet si të ishte Ramazan. Nga ky këndvështrim, nëse një muaj Ramazani i kaluar me sinqeritet i përfton njeriut tetëdhjetë vite jete në terma të adhurimit, atëherë besoj se është e pamundur të llogarisësh dot jetëgjatësinë e këtyre të fundit.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: