Të jetosh i lirë, deri ku…?

Një nga ideologjitë e cila po përhapet me të madhe sot në shoqëri, është ajo e të menduarit se; unë kam jetën time dhe me të bëj çfarë të dua.

Kjo është një ide e cila në fakt nëse e ndjek pas, apo përpiqesh që ta sjellësh në jetë , ajo ligjëron të kotën, gjynahun dhe jomoralen.

P.sh shumë njerëz sot imoralitetin, drogën, alkoolin, sjelljet ekstravagante, veshjen skandaloze, paturpësinë e sjelljeve etj. e justifikojnë pikërisht me këtë fjalë, është jeta ime dhe bëj çfarë të dua.  

Mirëpo ka një kusht thelbësorë i cili thotë se; qëtë quhesh njeriu, duhet në fakt të jetosh si njeri, ku jetesa si njeri ka rregullat e saj disiplinore dhe morale.

Sot, sistemi i demokracisë i qëndron fort parimit për të drejtën e njeriut. Mirëpo kjo e drejtë në demokraci gjithashtu ka kufijtë e saj. Për këtë thuhet se e drejta e njeriut qëndron deri në pikën ku ti nuk i cënon të drejtën e lirisë tjetrit dhe në të njëjtën kohë me të drejtën e lirisë tënde nuk i bën keq tjetrit.

Nëse mbetemi deri në këtë pikë, atëherë kjo nuk ka asgjë. Zoti i Lartësuar në Kuranin Fisnik thotë kështu:

لَكُمْ دِينُكُمْ وَلِيَ دِينِ

“Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë kam fenë time!”(Kafirun,6)

Pra përderisa nuk më cënon lirinë time, nuk më lufton dhe armiqëson, por më respkton për atë çfarë unë jam, atëherë dhe nga ana ime do të kesh të njëjtën sjellje.

Këtë gjë e shohim në praktikë nga vetë jeta e Muhammedit (a.s), i cili kur shkoi në Medine, këtë parim do ta bënte pjesë të legjislaturës së parë islame e titulluar si “Karta e Medines”.

Pikërisht ky parim kaq i lartë vendoset nga Zoti i botëve, i Cili njerëzit i ka krijuar të ndryshëm dhe ka dashur që të jenë të tillë.

Allahu (xh.sh) në Kuranin Fisnik thotë kështu:

وَلَوْ شَاءَ اللَّهُ لَجَعَلَكُمْ أُمَّةً وَاحِدَةً وَلَٰكِنْ يُضِلُّ مَنْ يَشَاءُ وَيَهْدِي مَنْ يَشَاءُ ۚ وَلَتُسْأَلُنَّ عَمَّا كُنْتُمْ تَعْمَلُونَ

“Sikur të kishte dashur Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai shpie në humbje kë të dojë dhe udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë; e ju, gjithsesi, do të përgjigjeni për atë që keni bërë. (Nahl,93).

Këtu e shohim qartazi se njerëzit janë të lirë të veprojnë, pra, Allahu i ka dhënë mendjen, dëgjimin, shikimin, zgjuarsinë, ku njeriu i përcepton gjërat ashtu siç i mendon dhe është ai i cili me vullnet të lirë del në konkluzion.

Është njeriu ai i cili me vullnet të lirë beson apo jo, vepron punë të mira apo jo.

Kurani për këtë na thotë kështu:

إِنَّا هَدَيْنَاهُ السَّبِيلَ إِمَّا شَاكِرًا وَإِمَّا كَفُورًا

“Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës”. (Insan, 3)

Nëse e shikojmë vetëm nga prespektiva e jetës së kësaj bote, atëherë padiskutim që njeriu mund të bëj çfarë të dojë, sepse ai e ka lirinë e veprimit.

Por në fakt, pikërisht ky është problemi kryesor i njerëzve që mendojnë ta jetojnë jetën si ta duan, sepse ata mendojnë vetëm për një jetë e cila zgjat deri në vdekje.

Vdekja për këta njerëz është fundi, prandaj dhe filozofia e tyre e jetesës është ashtu sikur ata thonë: “të jetojmë, të dali ku të dali se një jetë kemi”.

Pikërisht kjo është fatkeqësia më e madhe për këta njerëz, mos njohja e Zotit, mos njohja e realitetit të qëllimit se pse njerëzit janë krijuar.

Këtë liri të jetuarit të jetës siç do, e ka dhe besimtari, dhe ai mund të veprojë si të dojë dhe çfarë të dojë, mirëpo këtë liri veprimi atij i’a ndalon njohja e Zotit dhe botëkuptimi që ka për jetën, sepse për besimtarin vdekja dhe largimi nga kjo jetë nuk është fundi, por fillimi i jetës së vërtetë.

Besimtari e ka kuptuar se është në gjumë dhe kur të vdesë ai do të zgjohet.

Prandaj Allahu i Lartësuar në suren kijameh na jep një pasqyrë mjaft interesante ku thotë:

أَيَحْسَبُ الْإِنْسَانُ أَنْ يُتْرَكَ سُدًى

Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjshmëri? (Kijaame,36)

Pra a mendon njeriu që është krijuar ashtu kot, ka ardhur në jetë ashtu rastësisht?!

Një pyetje e cila në fakt duhet të drithëroj shpirtin e njeriut dhe ta bëj atë të mendoj se; si erdha unë në këtë botë? Pse erdha?! Cili është qëllimi im?! Ku po shkoj?!

Dhe mbasi njeriu të përpiqet të reflektojë mbi këto pyetje,  atëherë duhet të kërkoj Zotin e Tij dhe ta njohë Atë.

Allahu i Lartësuar na tregon se krijimtaria e njeriut është një mrekulli mbresëlënëse;

أَلَمْ يَكُ نُطْفَةً مِنْ مَنِيٍّ يُمْنَىٰ

A s’ka qenë një pikë fare që derdhej,

ثُمَّ كَانَ عَلَقَةً فَخَلَقَ فَسَوَّىٰ

pastaj u bë droçkë gjaku e më pas Allahu e krjioi dhe i dha formë e përmasa të caktuara,

فَجَعَلَ مِنْهُ الزَّوْجَيْنِ الذَّكَرَ وَالْأُنْثَىٰ

e prej tij bëri çiftin: mashkullin e femrën?!

أَلَيْسَ ذَٰلِكَ بِقَادِرٍ عَلَىٰ أَنْ يُحْيِيَ الْمَوْتَىٰ

Vallë, Ai Krijues, a nuk ka fuqi që t’i ngjallë të vdekurit?! (Kijaame 37-40)

Këtu e shikojmë qartazi paralelizmin që ka besimtari në të menduarit të jetës.

Ai mendon për ahiretin e tij, si do të jetë gjendja e tij në atë botë, si do të jetë gjendja e tij kur të dalë para Allahut të Lartësuar.

Kur njeriu njeh dhe bindet për Fuqinë dhe Madhështinë e Allahut të Lartësuar,  atëherë ai padiskutim që jetën do ta orientonte drejt veprimeve të cilat kënaqin Allahun dhe jo drejt atyre veprimeve që e hidhërojnë atë. Prandaj mund të themi se e gjithë e keqja që vjen nga njerëz të tillë dhe me ide të tilla për jetën, pra që janë të lirë, kanë jetën e tyre dhe jetojnë si të duan, është përshkak të mungesës së njohjes me besimin, me Zotin e tyre dhe me të vërtetën.

Prandaj vetëm për këtë mirësi të madhe që Allahu I Lartësuar na ka mundësuar, meriton falenderimet dhe lavderimet e pafundme.

Mbasi njeriut i tregohen argumenta të qarta dhe ai vazhdon në kryençësinë e tij, atëherë siç dhe thotë profeti Muhammed (a.s): إِذا لَمْ تَسْتَحِ

فَاصْنَعْ مَا شِئْتَ

Nëse nuk ke turp, bëj çfarë të duash” (Buhariu)

Ndërsa Allahu I Lartësuar në Kuran thotë kështu:

لَا إِكْرَاهَ فِي الدِّينِ ۖ قَدْ تَبَيَّنَ الرُّشْدُ مِنَ الْغَيِّ ۚ فَمَنْ يَكْفُرْ بِالطَّاغُوتِ وَيُؤْمِنْ بِاللَّهِ فَقَدِ اسْتَمْسَكَ بِالْعُرْوَةِ الْوُثْقَىٰ لَا انْفِصَامَ لَهَا ۗ وَاللَّهُ سَمِيعٌ عَلِيمٌ

S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra! Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka. (Bekare 256).

Allahu na ruajt nga e keqja e njerëzve dhe na mundësoftë qëndrueshmërinë në besim dhe kah e drejta dhe e vërteta.

Amin.

Leonard Çela

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: