MIKATET E HAXHIT
Shprehja “mikat” nënkupton vendin ku bëhet nijeti para fillimit të Haxhit dhe ku vishet ihrami. Mikatet janë dy llojesh: mikate kohore dhe mikatet e vendit. Mikat kohor quhet periudha e duhur, në të cilën shkohet në Haxh; kurse mikati i vendit quhet mjedisi, të cilin personi, që shkon në Haxh apo Umre, nuk guxon ta kalojë pa ihram, edhe nëse është tregtar apo vizitor.
Mikatet e vendit janë pesë;
- Vendi i quajtur Dhul Hulejfe është mikati për banorët e Medinës dhe për ata që kalojnë në atë drejtim. Largësia mes Dhul Hulejfes dhe Mekës është 450 km dhe ky është mikati më i largët, i cili bie në veri të Mekës, kurse nga Medina është 9 km në Jug.
- Vendi i quajtur Karnul-Menazil është mikati për banorët e Nexhdit dhe ata që kalojnë në atë drejtim. Ky mikat është në lindje të Mekës, buzë Arafatit, në largësi prej 54 km.
- Vendi i quajtur Dhate-Irkin është mikati për banorët e Irakut dhe të tjerët që kalojnë në atë drejtim. Ky mikat është në verilindje të Mekës, në largësi prej 94 km.
- Vendi i quajtur Jelemlem, është mikati për banorët e Jemenit, kodra e cila shtrihet në Jug të Mekës, afër 45 km.
- Vendi i quajtur Xhuhfe, është mikati për banorët e Shamit, Egjiptit dhe të tjerët, që kalojnë në atë drejtim. Ky vend gjendet në afërsi të Detit të Kuq, në veriperëndim të Mekës, në largësi prej 204 km.
Gjatë muajve të Haxhit lejohet që të vishet ihrami edhe para mikatit.
Banorët, të cilët banojnë jashtë mikateve, nuk lejohet që në asnjë mënyrë të hyjnë në Mekë pa ihram pavarësisht se kanë për qëllim Haxhin, Umren apo është fjala për vizitë të thjeshtë.
Njeriu, i cili ka hyrë brenda mikatit pa ihram, detyrohet që të kthehet në mikat, e nëse nuk kthehet, atëherë ka vaxhib që të therë kurban.