Të fitosh njerëz që do të luten përgjatë gjithë jetës!

Sa mund që derdh një skulptor për t’i dhënë formë një statuje, prej një lënde të ngurtë si mermeri! Ai derdh djersë, lodhet, e në fund duke e gdhendur mermerin, orvatet që t’i japë një formë të bukur. Edhe puna e mësuesit nuk është më e lehtë se kjo! Ai, njeriut potencial, do t’ia gdhendë anët e ashpra, e do të rreket që ta nxjerrë në nivelin e njeriut të vërtetë. Me fjalë të tjera, porsi një argjendar, ai do t’i përpunojë xhevahiret që gjenden te njeriu, e sakaq do të përpiqet për të ngritur statujën e shpirtit të tij. Ai, sikur të ishte një artist, do ta ndërtojë edhe njëherë nga e para njeriun.

Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka nxjerrë njerëz që kanë shërbyer si mësues të krejt një qytetërimi, nga mesi i një grupi njerëzish të egër, injorantë, që në zakonet e tyre ishin çnjerëzorë, që kërkonin shkaqe nga më të ndryshmet vetëm për të derdhur gjak. Asisojësh që, kur vinin pranë Të Dërguarit të Allahut thoshin “Kush na qenka ky Muhamedi, nipi i Abdulmutalibit?”, ndërsa më vonë rrinin e dëgjonin në heshtje, pa belbëzuar asnjë fjalë, me një kujdes sikur të kishin ndonjë zog mbi krye që nuk donin t’u trembej e të largohej. Ja, kjo është mësuesia dhe kumtimi i vërtetë.

Teksa shohim profetët e nderuar që nga mesi i tyre kanë nxjerrë njerëz që meritojnë t’i vëmë si kurora mbi krye, atëherë kjo është e mundur në çdo kohë.

Postime të ngashme