Armiq të besimit dhe fesë.
“Qëndroni të palëkundur, mos u shqetësoni; nëse jeni prej besimtarëve, jeni të lartësuar.” (Al Imran, 3/139)
Tabloja me të cilën gjendemi ballë përballë është tejet frikësuese; megjithëse, sajë besimit, shpresës dhe drejtimit kah Allahu nuk duket as si e pakapërcyeshme. Nëse njeriu ecën apo fluturon drejt diellit, hijen e trupit e ka nga pas; ndërsa, po t’i kthejë kurrizin diellit, atëherë ka për të ngelur pas hijes së vet. Andaj vështrimi ynë duhet të jetë përherë i drejtuar kah drita e pashtershme.
Në këto ditë, po përballemi edhe njëherë me një prej përsëritjeve të vazhdueshme të historisë; në çdo anë rrjedhin fatkeqësitë njëra mbi tjetrën, në çdo anë bela që e kanë mbërthyer shoqërinë dhe po e shkundin, përmbytje, flakë, aksidente të rënda automobilistike dhe sa e sa bela të tjera të kësaj natyre..! Përveç këtyre, padrejtësi nga më të shumëllojshmet, kundërvënie, komplote, mosmarrëveshje, vrasje dhe trysni mbi ndërgjegje… dhe megjithëse gjithë këto padrejtësi dhe viktima të njëpasnjëshme, njerëz krejt pa vullnet, që nuk u ndihet zëri, të cilët nuk dinë as të rënkojnë prej kobit që i ka kapluar… pos këtyre janë edhe ata, të cilët pasi kryejnë lloj-lloj padrejtësish dhe shtypjesh, janë aq zullumqarë sharlatanë, sa të përpiqen për t’i treguar këta të shtypur si të padrejtë… grumbuj të tërë të çekuilibruar njerëzish, të cilët për arsye nga më të ndryshmet, bien e ngrihen veç me urrejtje dhe mllef; dhe qarqe të caktuara, që përpiqen t’i shtyjnë ato sa vjen e më shumë drejt përdorimit të dhunës.
Po, sot po ndihet në çdo anë një vjeshtë drithëruese, e cila i ka bërë të gjitha vlerat njerëzore të nëpërkëmben; nuk ka ngelur më, asnjë vlerë njerëzore e universale. Edhe nëse mund të gjesh tre-katër veta që sillen si të sjellshëm, edhe ata janë duke ngarendur pas respektit që kanë për shpërblimin. Shtresa të ndryshme të shoqërisë ende cilësohen si turma; dhe gjendja e turmave që vijnë e na ulen në zemra në trajtën më të hidhur të mundshme. Premtimet për bukë, punësim dhe mirëqenie janë nga fjalët më të rëndomta që përdoren gjatë fushatave elektorale. E ngase deri më sot nuk ka pasur asnjë njeri që të jetë pjekur me ndonjërën syresh, tanimë nuk ia vë veshin më askush. Dija i është lënë amanet vetë Zotit!.. Njohja ia ka mbathur pas Malit të Kafit… me artin që bën kallauzin e ideologjive… edhe një pjesë e mirë e çerdheve të dijes janë lënë në mëshirë të imitimit të thatë… përpjekje që nuk marrin përgëzime për dashurinë për të vërtetën, pasionin për dijen dhe kërkimin shkencor… në shumicën e rasteve, edhe ato pak përpjekje që tregohen, janë thjesht nga një hobi… nuk kemi asnjë institucion jetik, të cilit do të mund t’i lëmë brezat e ardhshëm në përkujdesje… ndërsa po të shihet propaganda që bëhet, ngjan sikur të jemi një shtet i stërfuqishëm, që i mjafton tërë botës; kur në fakt, e vërteta na thotë se nuk jemi të atillë as për një rrethinë të vetme. Është e dukshme që jemi shumë-shumë pas standardeve botërore edhe përsa i përket vlerave morale, ndjenjës së përgjegjësisë, së drejtës dhe mendimit për drejtësinë: një pjesë e mirë e jona nuk ka respekt, as për nderin, as për turpin, e aq më pak respekt për të drejtën dhe mendimin…
Frika nga Allahu dhe ndjenjat e virtytit ka kohë që kanë marrë arratinë… ndërkohë që jemi duke u përpjekur se si e si të shpëtojmë prej asaj ndjesisë ligështuese të të ndjerit turp prej njerëzve të tjerë, të cilët janë edhe ata robër. Na lexohet lehtazi që në fytyra se jemi kthyer në një tufë njerëzish krejt pa zemra dhe pa shpirt; në shumë prej nesh nuk ngeli më, as ndjenjë keqardhjeje dhe dhembshurie, e aq më pak ndjesi respekti e ndërsjellë… numri i njerëzve që e shohin fenë dhe komunitetet fetare si një institucion të vjetruar dhe rrënuar nuk është edhe aq i vogël. Në çdo anë ndjenjat fetare të rrënuara, fetaria e shkatërruar, ndaj dhe në çdo anë veç llafazanëri dhe rrënim moral; vetëm tradhti brenda tradhtish, në çdo anë vaje të pandalura… asnjë ndjenjë në shpirtrat e bjerrur prej erozionit që kanë përjetuar përsa i përket ndjenjave njerëzore… ose në rastin tjetër justifikime të natyrës, “Pse unë do ta shpëtoj botën?”, zemrat e prekura pre të dorëzuara pas emocioneve të tyre, dhe krejt të çekuilibruar… Numri i atyre që thonë: “Erdhi dita, ja ky është çasti i duhur”, nuk është fare i vogël… vetëm Allahu (xh.xh.) e njeh më së miri zakonin e atyre që ia kanë dedikuar jetën veç kapjes së çdo rasti dhe mundësie përfitimi personal kudo ku ato shfaqen.
Edhe nëse ka ndopak njerëz që shqetësohen dhe mendojnë sadopak karshi të gjitha këtyre, ata janë të detyruar të jetojnë duke vajtuar nën trysninë e dhunës dhe ashpërsisë… kaderi i atyre që duan t’i shërbejnë njerëzimit është të shtypen, andaj edhe për ato zemra që rrahin me sinqeritet, çdo anë e kënd kthehet në nga një kurth i mundshëm djallëzor… deri më sot, askush nuk u ka thënë ndonjë gjë atyre që kanë ndenjur të heshtur… se çdo të ndodhë nesër, apo pasnesër, ngelet që të presim e të shohim…
Gjendet gjithmonë një rreth i caktuar margjinal njerëzish këlthitës, të cilët dalin përherë kundër fesë, Islamit dhe vlerave universale të njeriut, të cilët nuk janë vetëm armiq të besimit dhe fesë, por njëherazi edhe mosrespektues gjer në kulm të mendimit të lirë, demokracisë së vërtetë dhe të drejtave të njeriut. Këtalloj, sapo përballen me ndonjë mendim a qëndrim që nuk përkon me të tyrin, i shpallin luftë; hedhin baltë mbi çdokënd që nuk është i një mendjeje me ta; luajnë me nderin e tyre, madje nuk mjaftohen vetëm me kaq, por ndodh edhe që të ngrenë kundërguerrile të menjëhershme për ta zhdukur apo heshtur njëherë e mirë atë lloj mendimi tjetër.
Me pak fjalë, sot, ka gjëra të papëlqyeshme e negative aq sa të mos duash që të ekzistojnë; ato mund t’i gjesh kudo, madje më shumë edhe se aq; ndërsa përsa i përket gjërave, të cilat i presim si popull, mund ta themi lirshëm se nuk kemi kurrfarë lajmi prej tyre. E ndërsa kjo është tabloja, të flasësh për shpresë, besim dhe vullnet është paksa e vështirë; mirëpo ne, si popull, jemi të detyruar që t’ia dalim kapërcimit të kësaj gjendjeje. Në të ardhmen, këto gjëra që po na ndodhin sot, mund të na i behin sërish mbi krye, por asaj here disa herë të shumëfishuara… i tërë vendi mund të kthehet në një varrezë gjigante, pa anë e pa fund… shpresa dhe përpjekja e popullit mund t’i vishet atij si qefin mbi krye… lumenjtë mund të kthehen në lumenj të Reuanit, shkretëtirat në Qerbela, armiqtë në Shimirë e muajt në muaj Muharremi… qytën e armës mund ta pasojë po qyta armësh njëra pas tjetrës… mund të ketë flakë tejefund, e flakët janë fare kaq pranë shtëpive dhe familjeve tona, për t’i bërë prush e hi të gjitha planet dhe pritshmëritë tona… mund të na ndodhë që të na lënë vetëm, të gjithë, si miq si armiq; madje, duke mos u mjaftuar vetëm me lënien vetëm, por mund të ndodhë që të pësojmë ndonjë goditje pas shpine pikërisht aty ku nuk e presim. Dhe ja pikërisht, në një kohë kur armiqtë turfullojnë kësodore prej mllefit, e miqtë tregojnë pabesinë e tyre, duke na lënë fillikat të vetëm përballë vështirësive, nuk duhet të lëkundemi aspak; duhet të qëndrojmë në këmbë pikërisht duke u mbështetur pas besimit dhe shpresave tona, aq sa, porsi kuajt e kalorësve, të dimë të vrapojmë derisa plasja të mund të na ndalë.