Të edukosh me dhembshuri

Familja konsiderohet guri themelor i një shoqërie pa të cilën ajo nuk do të ekzistonte. Formimi i një familjeje të konsoliduar sigurisht që kërkon ndërgjegjësim, sakrificë, respekt, bashkëpunim dhe ç’është më e rëndësishmja, dashuri. Marrëdhënia mes dy prindërve përcakton dhe ndikon ndjeshëm në ritmin e edukimit dhe ecurinë e zhvillimit të karakterit të fëmijës. Një marrëdhënie e shëndoshë mes bashkëshortëve përkthehet me fëmijë të sigurt në vetvete, të suksesshëm në shkollë dhe të miredukuar. Edukimi i fëmijëve përbën një përgjegjësi të rëndë mbi supet tona nëse i konsiderojmë ata si një amanet i vyer i Krijuesit fisnik.

Të mos harrojmë fjalët e vyera të Profetit tonë të dashur teksa thotë: “Nuk ka gjë më të mirë që një prind mund t’i japë fëmijës sesa një edukatë e mirë”. Ata janë fëmijët tanë, por në të njëjtën kohë janë individë unikë, të ndryshëm nga ne, me personalitetin dhe dëshirat e tyre. Edukimi i fëmijës fillon që në barkun e nënës dhe vazhdon më pas në fëmijërinë e hershme e deri në adoleshencë. Secila etapë ka karakteristikat dhe problematikat përkatëse, të cilat mund të kalohen me anë të ndjenjës së dhembshurisë. Të edukosh me dhembshuri, nuk do të thotë të tregohesh i dobët përballë fëmijës tënd, përkundrazi, do të thotë të jesh i duruar, tolerant në rastet e duhura, falës kur ai gabon, shoku më i mirë i tij. Edukimi me dhembshuri bën të mundur dhe zhvillimin, maturimin emocional të fëmijës, e bën atë të ndjeshëm ndaj njerëzve e ngjarjeve përreth tij.

Emrat Rrahman (Mëshirues) dhe Rrahim (Mëshirëplotë) të Allahut të madhëruar janë burim i çdo dhembshurie, delikatese e mëshire. Dhembshuria është një ndjenjë e lindur nga dashuria, e pranishme te secili prej nesh që në lindje, diku më pak e diku më shumë; është një koncept i cili përfshin dashurinë, mëshirën dhe solidaritetin. Kriteri themelor i suksesit në edukimin e fëmijëve është dhembshuria. Ajo mësohet si një model apo shembull nga fëmija. Prindërit, nëna dhe babai, janë modelet e para të fëmijës prej të cilëve ai mëson, kopjon çdo gjë. Të mos harrojmë se fëmijët kopjojnë më shumë veprimet, sjelljen tonë dhe jo fjalët këshilluese që shpeshherë ua përsërisim. Shembulli më i mirë i dhembshurisë e mëshirës për ne padyshim që është Profeti ynë (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të).

‘E Ne të dërguam Ty Muhamed vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.’ (Enbija,107), thotë i Lartmadhëruari në Kur’an. Qëllimi i ardhjes së tij ishte të zbuste zemrat e njerëzve me ilaçin e dhembshurisë e mëshirës. Përse të mos e shfrytëzojmë këtë ilaç?

Enes bin Malik rrëfen: ‘I shërbeva të Dërguarit të Allahut dhjetë vjet, por nuk më kujtohet që të më ketë thënë ‘pse s’e bëre’ për një gjë që s’e pata bërë dhe ‘pse e bëre’ për një gjë që e pata bërë. Ai kurrë nuk më qortoi.’ (Buhari, Edeb). Kjo ishte mënyra e sjelljes e Profetit tonë të dashur, shumë dhembshuri e aspak kritikë apo qortim. Nëse fëmija duhet të ketë frikë prej diçkaje, ai duhet të ketë frikë jo nga kërcënimi, ndëshkimi, kritika apo bërtitjet, por nga humbja e dhembshurisë prindërore. Ndërkohë është shumë e rëndësishme që ai të besojë te ne dhe të jetë i bindur se jemi pjesë e dhimbjeve të tij.

Secili prind duhet ta pranojë fëmijën e tij ashtu siç është dhe të tregohet tolerant me të. Shumica e njerëzve shpeshherë tregohen tolerantë ndaj njerëzve të huaj dhe jo shumë të afërm dhe harrojnë të tregojnë dhembshurinë e kërkuar përballë fëmijës apo bashkëshortes së tyre. Të pranosh gabimet e fëmijës si hedhja e sendeve, hapja e sirtarëve, kërkesa me këmbëngulje e diçkaje është një formë e shprehjes së dashurisë së vërtetë dhe pasqyrim i dhembshurisë brenda teje. Është një urë e cila shpie në korrigjimin e sjelljeve të padëshiruara. Mbi të gjitha, është një tregues se dashuria jote për fëmijët është e pakushtëzuar me një sjellje të caktuar, sidomos para moshës dhjetëvjeçare, moshë e formimit, edukimit dhe orientimit. Dhembshuria është një shtyllë e fuqishme në edukimin pozitiv të fëmijëve dhe në orientimin e duhur të tyre.

Toleranca ndaj gabimeve të fëmijëve do të forcojë lidhjen tonë me ta dhe do t’i shtyjë ata të komunikojnë në mënyrë të sinqertë e pa frikë me ne. Nëse prindi do të kundërpërgjigjet me ndëshkim e ashpërsi ndaj gabimeve të fëmijës, madje edhe ndaj atyre gabimeve të parëndësishme, kjo do të ndikojë negativisht në personalitetin e fëmijës. Gabimi më i madh këtu është fokusimi te një sjellje e gabuar dhe përgjithësimi i saj me personalitetin e fëmijës, duke e shoqëruar edhe me etiketime ofenduese. Një edukues pozitiv i mbushur me dhembshuri duhet t’i konsiderojë gabimet e përditshme si gabime të vogla, të cilave nuk u duhet kushtuar vëmendje. Ai fokusohet te puna serioze që duhet bërë për korrigjimin e sjelljes, të gjejë metodat dhe rrugën e duhur për këtë. Kjo mënyrë veprimi do t’i dhurojë prindit një qetësi të brendshme, do ta bëjë atë të ndihet mirë, ta mbushë me dashuri e dhembshuri dhe njëkohësisht do t’i mësojë durimin, vetëkontrollin dhe maturinë, që janë veçoritë thelbësore të një edukuesi pozitiv.

Një mënyrë e shprehjes së dhembshurisë suaj është dhe solidarizimi me fëmijët. Të solidarizohesh me fëmijët, konsiderohet një formë edukimi tepër efikase, pasi ndihmon në fokusimin e shëndoshë në realizimin e objektivave dhe distancimin nga reagimet hakmarrëse.

Mosvlerësimi dhe injorimi i fëmijëve prodhon mungesë respekti dhe sjellje agresive. Fëmija ka nevojë të ndihet i vlerësuar dhe kjo është një nevojë emergjente, të cilën mund t’ia plotësojmë. Vlerësimi i fëmijëve me fjalë dhe sjellje është një domosdoshmëri dhe këtë mund ta arrijmë pa shumë mund, por vetëm me shumë çiltërsi e sinqeritet. Mjafton një buzëqeshje, një lavdërim, një fjalë e mirë mirënjohëse, një shprehje pozitive, një përqafim.

Psikologia amerikane Virginia Satir thekson se një fëmije i duhen 12 përqafime në ditë për të mbijetuar emocionalisht, 4 janë për të mbijetuar dhe 8 të tjera për të mbajtur veten dhe për t’u dhuruar të tjerëve dashuri e ngrohtësi. Secili prej nesh mund të pyesë veten nëse e ka përqafuar sot fëmijën e tij kur është zgjuar nga gjumi apo para se ta përcjellë për në kopsht apo shkollë. Askujt nuk i kushton shumë një përqafim i ngrohtë, përkundrazi, ai e pasuron atë duke i falur qetësi e lumturi. Fëmija që vlerësohet, ndihet i lumtur, është i ndërgjegjshëm për detyrimet e tij, punon për të arritur objektivat dhe pranon me lehtësi sugjerimet apo këshillat.

Një gabim tjetër i prindërve gjatë edukimit të fëmijëve është edhe të folurit ashpër apo ironizimi i sjelljeve të tyre, një gabim fatal, i cili sjell pasoja negative afatgjata. Në këtë rast mund të flasim për mungesë të dhembshurisë e butësisë në edukim. Mungesa e tyre e bën fëmijën të ndihet i fyer, i pavlerë, i demoralizuar duke e shtyrë atë të mbyllet në vetvete. Një sjellje e tillë e prindit mund t’i shkaktojë fëmijës pasoja të rënda, si kokëfortësi, belbëzim, urinim të pavullnetshëm, dhunë dhe agresivitet. Prandaj e nënvizojmë me kujdes rëndësinë e dhembshurisë e butësisë në procesin edukativ të fëmijëve.

Së fundmi, edukimi i fëmijës është një art më vete dhe ashtu si çdo degë e artit kërkon të bëhet me dëshirë e pasion, kërkon të dhurohet shumë dashuri. Dhembshuria është çelësi magjik në edukimin pozitiv të fëmijëve tanë. Ndryshimi thelbësor i edukimit pozitiv nga edukimi negativ qëndron te ndjenja e dhembshurisë. Le të mos harrojmë se një fjalë e ngrohtë, një përqafim, një përkëdhelje lë më shumë gjurmë dhe ndikon pozitivisht te fëmija sesa një kritikë apo qortim, që mund të lërë gjurmë të padëshirueshme.

Ne jemi mbartës të amanetit të cilin nuk e mbajtën as toka e as malet. Si mbartës të tij na takon të edukojmë sipas parimeve të larta të fesë islame, sipas parimeve të paqes, dashurisë e solidaritetit. Nëse ne edukojmë në këtë mënyrë, të jeni të bindur që edhe fëmijët tanë do të jenë pasqyrim i kësaj dhe do të jenë individë të një shoqërie me vlera të larta morale. Butësia dhe dhembshuria e lartësojnë njeriun, e zbukurojnë sjelljen dhe e pasurojnë shpirtin e tij.

Lus Allahun e madhëruar që të na i kthejë shpirtrat në kopshte dhembshurie, të mos na heqë buzëqeshjen nga fytyrat tona dhe të na dhurojë fëmijë të mbarë!

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: